Një intervistë e Mehmet Gegës për “Zërin e Kosovës”
Mehmet Murtezani i njohur si GEGA siç e quajtën shokët e burgut dhe tani i tërë populli, këtë martir të burgjeve serbo‐maqedonase ,e njohin të rinj e pleq në mbarë rrethinën e Tetovës madje edhe më gjerë. Atë e njohin si militant të çështjes shqiptare, që për 60 vjet rresht i bëri rezistencë politikës shtypëse pansllaviste.
Aktiviteti i tij ilegal filloi në vitin 1936 në moshën 14 vjeçare. Pikërisht atëherë kur u nënshkrua marrëveshja mes Turqisë dhe Jugosllavisë për dëbimin e shqiptarëve në Turqi. Në këto ditë të vështira Mehmet Gega filloi propagandën për të penguar shpërnguljen. Në vitin 1941 bashkë me disa atdhetarë të tjerë shkyen flamurin Bullgar në sheshin e Tetovës dhe ngritën flamurin shqiptar duke demonstruar para forcave Gjermane,me kërkesën se flamuri bullgar nuk e ka vendin në tokën shqiptare. Në vitin 1951 dhe 1952 Mehmet Gega dallohet në propagandën për pengimin e hapjes së shkollave turke, ku duhej të përfshiheshin edhe nxënës shqiptarë. Pas përsëritjes së Konventës jugosllavo ‐ turke për dëbimin e shqiptarëve për në Turqi në vitin 1953, Mehmet Gega sërishmi ia nisi aksionit për të penguar realizimin e këtij plani famëkeq.
Gjatë vitit 1954 dhe 1955 Mehmet Gega personalisht shpërndau afishe në Tetovë, Gostivar, Shkup, Prishtinë, Mitrovicë, Pejë dhe Prizren. Më 21 maj të vitit 1955 në hotelin ‘Sharr’ të Shkupit policia maqedonase e arrestoi me një çantë plotë afishe, në të cilat shkruhej: ‘Jemi në tokën tonë dhe mos shkoni në Turqi .’për të cilat u dënua me dhjetë vite burg. Më 1968 me iniciativë të Mehmet Gegës në tri xhamitë e Tetovës u ngrit flamuri shqiptar. Shovinistët maqedonas atëherë e dënojnë me 7 vite burg. Edhe sot Mehmet Gega, me gjithëse plak 70 vjeçar, viziton miqtë e tij, shokët e tij të burgut, takohet me fshatarë e qytetarë, me intelektualë e hoxhallarë dhe bisedon për gjendjen aktuale, për çështjet e ndryshme që e preokupojnë popullin. Edhe sot puna e tij është shumë efektive, sepse i tregon popullit rrugën e drejtë, i kritikon partitë politike për gabimet që bëjnë, u shkon në rrënjë dështimeve të njëpasnjëshme që pëson politika empirike.
Mehmet Gega vetëm në vitet e para pas Luftës Antifashiste punoi si mësues. Një kohë në fshatin Nerashtë, fshat ky shumë i madh, shkollën e të cilit e pagëzoi me emrin e Ismajl Qemajlit, edhe pse këtë emër e mbajti një kohë të shkurtër. Prandaj duke respektuar këtë martir dhe militant, zhvilluam një intervistë për lexuesit e ‘Zërit të Kosovës’.
‘Z.i.K.’: I nderuari Gega, na thoni disa fjalë në fillim, se si e filluat veprimtarinë tuaj politike dhe si karakterizoheshin ato vite pas Marrëveshjes Jugosllavo ‐ Turke për dëbimin e shqiptarëve në Turqi? Ç’bënë atëherë patriotët shqiptarë dhe personalisht Ju?
M. Gega: Politikisht fillova të mendoj në vitin 1936 dhe më shumë më shtyri çështja: pse shqiptarët të shpërngulen në Turqi? Një vit më vonë u bëra anëtar i Shoqatës ‘BESA’ Atëherë isha 16 vjeçar. Shoqata nuk kishte seli të përhershme edhe pse ajo ishte në Tetovë. Shkaku ishte se policia po të na kapte do të na vriste. Kryetari i shoqatës ishte Selim Shehapi ‐ Luma, ndërsa zëvendës Idriz Cercëri, i cili edhe pse fliste turqisht në shtëpi, ishte shqiptar shumë i mirë. Ai na këshillonte dhe shpeshherë na sugjeronte që të shkojmë nëpër shtëpia dhe t’i bindim njerëzit se nuk janë turq por janë shqiptarë edhe pse nëpër shtëpia flasin turqisht’. Në këtë punë u dalluan Sheref Kazazi i cili pas Luftës Antifashiste mbajti edhe gjashtë vjet burg në Goli Otok, Abdyrrahman Tresi. Përveç këtyre ka patur edhe shumë të tjerë. Shoqata kishte edhe një jurist të diplomuar i cili ishte i vjetër në moshë dhe u bë këshilltar i Shoqatës. Ky ishte Selim Luma i cili shpesh shkonte në Shqipëri dhe sillte Abetare dhe libra të tjerë, të cilat i shpërndante në popull falas. Selim Luma, neve që nuk dinim shkrim dhe lexim na mësoi alfabetin shqip dhe për të ngjallur dashurinë për atëdheun na e mësoi Himnin kombëtar dhe disa këngë të tjera patriotike. Në vitin 1938 Shoqatës iu bashkua edhe Shaip Kamberi, jurist i ri, i cili erdhi nga Universiteti i Beogradit. Me iniciativën e tij u shkruan dhe u shpërndanë ilegalisht afishe në gjuhën sërbe në të cilat shkruhej: “Neqemo asfaltne puteve i duple koloseke veq osnovne shkolle, koje ih nemamo” ( Nuk duam udhë të asfaltuara dhe hekurudha të dyfishta por shkolla fillore që nuk i kemi ). Shaip Kamberi si atëdhetar u dallua edhe më vonë sidomos nga viti 1941 ‐ 45, kur u dënua me vdekje nga gjyqi maqedonas dhe u pushkatua. Përveç Shaip Kamberit i cili ishte intelektual i dalluar në Tetovë dënuan edhe shumë atëdhetarë të tjerë. Shumica prej të cilëve u dënuan me vdekje.
‘Z.i K’: Çfarë presioni bëri pushteti Maqedonas pas Luftës Antifashiste dhe si karakterizohej rezistenca shqiptare ?
M. GEGA: Në vitin 1945, pas ripushtimit të sërishëm të tokave shqiptare dhe vendosjes së pushtetit maqedonas, shqiptarët e ndiejnë se gjinden në robëri. Masat shtypëse fillojnë të marrin kahje gjithnjë e më të thellë edhe pse formalisht ishte proklamuar politika e barazisë kombëtare. Këto masa shtypëse shpreheshin edhe në fushën e arsimit ku bëhej përpjekja që aty ku ishin edhe mundësitë minimale në vend të shkollave shqipe të hapeshin ato turke. Megjithatë deri në vitin 1952 shkollat turke nuk u hapën. Rezistencë të fuqishme kundër hapjes së shkollave turke bënë arsimtarët ku u dallua Azem Morana nga Shkupi i cili për rezistencën që bëri kundër hapjes së shkollave turke u dënua me vdekje dhe u pushkatua. Shumë të tjerë u dënuan me dënime të rënda deri me 10 vjet burg. Në vitin 1953 pasi u hapën shkollat turke, u përhap propaganda për shpërngulje për Turqi. Pushteti alarmonte, se sa më parë ata që dëshirojnë të shkojnë, duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi sepse rruga një ditë mund të mbyllet. Njerëzit vraponin përgatitnin dokumentet, shpërnguleshin për në Turqi dhe nuk ishin të vetëdijshëm pse bëhej kjo punë. Ata që e kuptonin dhe i bënin rezistencë kësaj fushate të egër, ndiqeshin, thirreshin në polici, torturoheshin, burgoseshin dhe dënoheshin me burg. Në këto kohë të liga,duhej një kundërpropagandë prandaj unë përpos bisedave direkte me njerëz më të afërt vendosa që të shpërndaj afishe dhe të bëj thirrje për rezistencë. Afishe shpërndava në Tetovë, Shkup, Gostivar, Prishtinë, Mitrovicë, Prizren, Pejë. Më 21 maj të vitit 1955 policia më zuri me çantën plotë afishe në Hotelin ‘Sharr’ të Shkupit, më burgosi dhe më dënoi 10 vite burg. Në afishe shkruhej:’Jemi në tokën tonë dhe mos u shpërngulni në Turqi’.
Për rezistencë kundër dëbimit të shqiptarëve në Turqi e kundër hapjes së shkollave turke u dalluan disa intelektualë ‘mësues’ të cilët edhe u dënuan me dënime të rënda si Nijazi Fanda, Sheref Kazazi, Vehbi Lushi, Ismajl Saiti etj. Pushteti maqedonas e bëri të veten, por edhe ne si shqiptarë e bëmë tonën sado kudo edhe fjala jonë, edhe burgimet tona edhe mbrojtja jonë para gjyqit ndikojnë që populli ta kuptojë se po ndiqet me dhunë për ta ndërruar kombësinë duke e dëbuar për në Turqi.
Z.i.K.: Ç’vërejtje keni për pozitën e shqiptarëve në Maqedoni dhe si e shihni situatën politike sot?
M. GEGA: Ne as sot nuk kemi kurrfarë të drejtash. Maqedonasit veprojnë me ne ashtu siç kanë vepruar edhe më parë. Pati shumë premtime se pozita e shqiptarëve do të ndryshojë në favorin tonë, pas diktaturës së ashtuquajtur komuniste, por nuk u realizua asgjë. Unë dua të bëj një vërejtje kur është puna te diktatura. Shumë intelektualë thonë se neve na ka shtypur diktatura komuniste. Unë mendoj ndryshe, se neve nuk na ka shtypë diktatura komuniste por diktatura sllave. Pse sllavët nuk i shtypi kjo diktaturë dhe pse u dha pozitë të privilegjuar në këtë sistem. Diktaturë ka pasur vetëm për shqiptarët, por jo edhe për sllavët. Shqiptarët nuk fituan pozitë të barabartë me maqedonasit kur u vendos demokracia. U bënë votimet por për mua këto ishin formalitet, sepse nuk u zgjodhën njerëzit liridashës, njerëzit e popullit që kishin sakrifikuar dhe sakrifikonin, por u zgjodhën pikërisht ata që më parë ose kishin qenë indiferent ndaj çështjes kombëtare ose që kanë torturuar popullin gjatë diktaturës titiste. Edhe sot puna e deputetëve shqiptarë që marrin pjesë në Sobranien e Maqedonisë nuk është në nivelit të duhur. Puna e tyre është krejtësisht në dobi të pushtetit maqedonas.
Z.iK.: A kanë luajtur partitë politike rolin e tyre dhe ç’farë të drejtash konkrete realizon populli shqiptar në pjesëmarrjen e barabartë në pushtet?
M. GEGA: Jam i mendimit se partitë politike kanë bërë shumë gabime. Vetë pozita e palakmueshme e shqiptarëve në pushtet flet qartazi për mosangazhimin e partive tona politike. Premtuan punësimin e shqiptarëve, por djemtë tanë janë shpërndarë nëpër Evropë: në Zvicër, Gjermani, Skandinavi etj, edhe pse janë ekspertë me fakultete, kurse sllavët me shkollë të mesme ose pa të, kanë zënë vendet kyçe në jetën politke, shoqërore dhe ekonomike.
Z.i K.: Ju besoni, jeni fetarë, por jeni në polemikë, madje edhe në konflikt me disa hoxhallarë dhe besimtarë pikërishtë rreth çështjeve politike, Ç’kishit për të thënë për këtë?
M. GEGA: Mospajtimi i im me shumë hoxhallarë dhe besimtarë ka të bëjë pikërisht rreth çështjes se ata i japin përparësi fesë dhe e nënçmojnë kombin. Shumë hoxhallarë neve na prezentojnë si muslimanë të Maqedonisë. Unë mendoj të kundërtën. Ne nuk jemi muslimanë të Maqedonisë, por jemi shqiptarë të fesë islame ashtu siç janë shqiptarët tjerë të fesë krishtere. Një propagandë e tillë shkon në favor të sllavëve dhe të gjithë armiqve tanë, prandaj duhet ta luftojmë dhe unë kudo që më jepet rasti e bëj këtë dallim dhe ua sqaroj njerëzve që nuk e dinë.
Z.i K.: Si e shihni zgjidhjen e çështjes shqiptare?
M. GEGA: Ne jetojmë në Evropë dhe Evropa na konsideron se jemi nga popujt më të lashtë të këtij kontinenti. Madje Evropa edhe bota na pranon se jemi autoktonë në tokën tonë si shumë popuj tjerë të bashkësisë evropiane dhe nuk jemi popull i ardhur më vonë siç kanë ardhur sllavët. Me këtë konstatim dhe me këtë mendim të Evropës për ne, për lashtësinë, për historinë dhe për autoktoninë tonë, ne duhet të krenohemi. Po jo vetëm të krenohemi dhe të rrimë pasiv por duhet të përpiqemi edhe të kërkojmë nga Evropa që ajo ta pranojë jo vetëm lashtësinë dhe autoktoninë, por edhe që të jemi zot në tokën tonë. Këtë ne mund ta realizojmë dhe duhet ta realizojmë për çka na duhet punë dhe përpjekje në të gjitha drejtimet. (Intervistoi Beqir Berisha)
Pjesë nga libri i Beqir Berishës: Do ta bëjmë Shqipërinë (kështu fliste Mehmet Gega)