Kryeministri Zaev, një burrë shteti reformator dhe paqësor, apo vazhdimësi e politikës së vjetër!?

ZaevNjë gjë është e sigurt, kurthi i përgatitur nga dy komedianët rus Vovan dhe Leksus (nëse janë thjesht komedianë),  nuk kishte për synim thjesht humorin, vënien në lojë të kryeministrit naiv  Zaev, i cili u tregua aq mendjelehtë, sa që ra dakord të korruptojë me 100.000 Euro (dhe atë me ulje çmimi!) patriarkun ekumenik Bartolomej.  Por, dy komedianët, të informuar mire për rrethanat politike, me shumë kujdes e tërhoqën kryeministrin Zaev nga kurthi në kurth, për të nxjerrë atë në dritën e vërtetë, jo ashtu siç paraqitet, por si një politikan i korruptuar po aq sa paraardhësi i tij. Një intrigant, spekulator, manipulator dhe antishqiptar po aq sa paraardhësi i tij.  Dhe për të nxjerrë edhe “shtetin e tij”, ish IRJM, në dritën e vërtetë – po aq jo stabël dhe rrezik për regjionin sa që ishte edhe gjatë qeverisjes së mëparshme. Prononcimet e tij lidhur me shqiptarët në rajon, nuk janë aspak për të qeshur.

Pas publikimit të bisedave telefonike në mes të kryeministrit Zaev dhe dy komedianëve rus, disa shqiptarë naiv, në mes te tyre dhe ca analistë dhe politikanë, nxituan ta falënderojnë z. Zaev për, gjoja denoncimin e planeve për ndarjen e Kosovës, duke injoruar faktin që këto bisedime qenë bërë publike me kohë dhe hasën në reagimin e menjëhershëm dhe të vendosur të të gjithë shoqërisë shqiptare dhe faktorit ndërkombëtar, pa patur nevojë për ndihmën e tij.

Vërtet kryeministri Zaev, gjatë bisedës telefonike me “presidentin Petro Poroshenko”, dhe “sekretarin e përgjithshëm të NATO-s z. Jens Stoltenber” denonconte me zell të madh marrëveshjen e fshehtë për ndryshimin e kufijve, por jo se shqiptarëve u kërkohej që të japin territore të tyre për të marrë përsëri territore të tyre, por për shkak të rrezikut që kjo të bëhej “praktikë ndërkombëtare”.  Nuk e kishte as hallin që kjo “praktikë ndërkombëtare” të përdorej nga Rusia për Abkhazinë dhe Krimenë, gjë me të cilën mundohej të interesonte “presidentin Poroshenko”. Por shqetësimi i tij i vetëm ishte që kjo “praktikë ndërkombëtare”, në një të ardhme mund të rrezikojë gjysmën e shtetit të tij të banuar me shumicë shqiptare, i vetëdijshëm për faktin që, për të ndërtuar shtetin e ish IRJM nuk është respektuar kurrë vullneti i lirë politik i shqiptarëve.  E nuk u respektua as me Marrëveshjen e Prespës, e as me ndryshimet e fundit të kushtetutës, kur shqiptarët thjesht u trajtuan si pakicë e ardhur.  Ndaj dhe nga paniku, në mënyrë histerike, me dhjetëra here gjatë bisedave telefonike, përsërit rrezikun e “praktikës ndërkombëtare” .

Ndërkohë, pyetjes me kunj të “presidentit Poroshenko” se cili është qëndrimi i shqiptarëve të ish IRJM për këtë, kryeministri “i zgjuar”, e “informon” atë gjithë kënaqësi, se shqiptarët e ish IRJM janë kaq të dashuruar pas tij dhe partisë së tij, saqë në asnjë mënyrë nuk duan të ndryshojnë kufijtë absurdë që kalojnë mes përmes territoreve të banuara në të dy anët me shqiptarë, dhe të jetojnë bashkë në një shtet si të gjithë popujt tjerë të Evropës, por vdesin të jetojnë në shtetin unitar të  kryeministrit Zaev si pakicë me të drejta të kushtëzuara me përqindje.  Sipas kryeministrit Zaev, shqiptarët autokton në territoret e tyre, me “vullnetin e tyre të lirë” të përfaqësuar në parlament dhe pushtet nga shqiptarë me dosje kriminale, zgjodhën shtetin e ASNOM-it, të Goce Delçevit, me histori të përbashkët me Bullgarinë! Por jo vetëm kaq, nuk kanë nevojë më as për partitë e tyre shqiptare, ndaj dhe në të ardhmen, shqiptarët do të votojnë vetëm për partinë multietnike të kryeministrit Zaev!

Dhe për gjithë këtë parajsë që kryeministri Zaev u ofron shqiptarëve, i duhen vetëm pak kushte – sistemi qeverisës unitar, përfaqësuesit e kriminalizuar të shqiptarëve, të cilët sistemi unitar i prodhon me bollëk,  dhe një opozitë që hesht për gjithë këtë dhe pret me durim të futet në pushtet.

Kryeministrit “reformator”, i cili morri pushtetin  nga paraardhësi i tij duke e akuzuar atë për korrupsion dhe abuzim me pushtetin, pranon pa asnjë ngurrim këshillën e “presidentit Poroshenko” për falsifikim të rezultatit të referendumit  (“nuk është me rëndësi se si votojnë njerëzit, por kush numëron votat”); bie dakord të korruptojë me para në dorë patriarkun Bartolomej, për të siguruar autoqefalin e Kishës, dhe fton “investuesin Poroshenko” për “bisedë private” lidhur me ndërtimin e fabrikës së çokollatave në ish IRJM. Fakte që do të ishin të mjaftueshëm jo vetëm për dorëheqjen e menjëhershme të tij si kryeministër, por edhe për ngritjen e padisë penale për abuzim me funksione shtetërore.

Gjithë kësaj, shijen e fundit, atë te hidhur, e lë opozita aktuale, e cila gjithë zell angazhohet për të demaskuar partitë shqiptare në pushtet, por hesht me këmbëngulje për partinë sllave në pushtet dhe sistemin qeverisës unitar, që u mundëson partive sllave rolin e marionetistit që tërheq fijet ndërsa partive shqiptare rolin e marionetës!

Afrim Fanda

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>