Mbrëmë turma festive e mbledhur në Ankara, në mbështetje të partisë laike të opozitës socialdemokrate (CHP) e cila po udhëhiqte me një milion vota diferencë në Ankara dhe në të gjithë vendin kundër Erdoganit dhe partisë së tij të djathtë islamike (AKP) brohoriste: “TURQIA ËSHTË LAIKE DHE DO TË MBETET LAIKE”. Ishte kjo një fitore e rëndësishme e sekularizmit turk të Ataturkut kundër diktaturës së islamit politik të Erdogan që zgjati mbi njëzet vite.
Ndërkohë, në po të njëjtën ditë, partitë e bashkuara erdoganiste shqiptare në ish IRJM paralajmëruan përmes mediave se Salim Sulejmani, magjistër i teologjisë dhe filozofisë islame (studimet dhe magjistraturën të përfunduara në Jordani) dhe ish myftiu i Strugës për 12 vite me radhë do të jetë bartës liste i Njësisë zgjedhore numër 5.
“Prurjen e re në ASH” dhe inkuadrimin e tij në VLEN, para pak ditësh e prezantoi Arben Taravari, kandidati i “opozitës” VLEN për president të ish IRJM, duke e prezantuar myftiun si një figurë e shquar, intelektual dhe veprimtar i dalluar nga Struga… i cili ka dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e jetës fetare, duke lënë gjurmë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore e shpirtërore në Strugë e jo vetëm.”
Do të ishte shumë me vlerë përgjigja në pyetjen, si dhe nga kush u inspirua dhe motivua myftiu që “derset” për “xhematin” ti vazhdonte përmes politikës e jo në xhami! Ashtu siç do t’ua bënte të qartë shqiptarëve përgjigja në pyetjen se pse krerët e Vetëvendosjes të cilët mbështesin këto parti erdoganiste, mendojnë se myftitë dhe hoxhallarët mund të kenë fjalë vendimtare në fitoren e VLEN kundër BDI në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në maj të këtij viti!
Ndoshta vet termi “komunitet” të cilin Albin Kurti përdori për shqiptarët në ish IRJM me rastin e urimit për zgjedhjen e “kryeministrit të pare shqiptar”, sqaron gjithçka… ose së paku shumëçka!?