Cila është ndihma që shqiptarët në ish IRJM presin nga VetëVendosja?
Të gjithë shqiptarët, përfshirë edhe votuesit e BDI, edhe ata që nuk gjejnë veten me asnjë nga këto parti, presin nga Vetëvendosja që të mbështesin idetë dhe parimet, jo individët dhe partitë. Shqiptarët në ish IRJM kanë varur shpresat tek Vetëvendosja, jo vetëm sepse BDI e bëri vendin e tyre të pajetueshëm, por akoma më shume për faktin se nuk gjejnë shpresë tek partitë shqiptare opozitare, ato pak muaj sa ato qëndrojnë në opozitë. Ndihma e Vetëvendosjes nuk u nevojitet shqiptarëve për të hequr BDI-në nga pushteti dhe për të sjellë aty një apo më shumë parti të tjera që do të vazhdonin të shërbenin si dekor multietnik në sistemin qeverisës unitar në duar e partive “maqedonase”, por për të imponuar standardet e politikëbërjes dhe parimin e vetëvendosjes, që do t’u shërbenin atyre si kriter për përzgjedhjen e partive.
Të dashur miq, për më tepër, ju ftoj të lexoni trajtesën time lidhur me këtë temë, në vazhdim.
“Kosova shtet i pavarur është projekt i përkohshëm… unë jam ministër i një qeverie të një shteti të përkohshëm… primare konsiderojmë ngritjen e vetëdijes tek qytetarët për realizimin e bashkimit kombëtar si një nevojë të shqiptarëve në Ballkan në funksion të mirëqenies dhe sigurisë. Bashkimi i shqiptarëve në një shtet në territoret ku ata janë shumice dhe kanë kontinunitet territorial, ndërton kushtet për stabilitet e paqe në Ballkan. Stabiliteti aktual i Ballkanit është i vendosur në kurriz të shqiptarëve. Politika e shqiptarëve në të gjitha pjesët e territorit të ndarë, ishte dhe mbetet e zellshme të bëjë kompromise për hir të stabilitetit në Ballkan”, deklaroi Liburn Aliu në shtator të këtij viti. Dhe për të bindur edhe skeptikët, se nuk bëhej thjesht për një lajthitje apo emocion çasti, por për në qëndrim të drejtë dhe të palëkundur, Liburni këtë deklaratë të tij e konfirmoi edhe para pak ditëve, me rastin festimeve të 28 Nëntorit. Me këtë deklaratë, Liburn Aliu, i biri i Ali Aliut ish i burgosur, i mbijetuar i Masakrës së Dubraves, i konsideruar si një ndër shtyllat e Vetëvendosjes, dëshmoi para gjithë shqiptarëve, për qëndrimet e palëkundura të Vetëvendosjes, lidhur me zgjidhjen e çështjes shqiptare në Gadishullin Ilirik në përgjithësi, dhe idesë së bashkimit kombëtar në veçanti.
Pas kësaj deklarate, eksponentë të LDK dhe PDK, tani në opozitë, ju sulën Liburn Aliut, për të mbrojtur nga ai, jo Kosovën, siç u munduan ta paraqesin para opinionit, por një “pashallëk” që për ta nënkupton pushtet dhe para. Për dallim nga ata, deklarata e Liburnit synon zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare që do t’u siguronte të gjithë shqiptarëve, jo vetëm në Kosovë, mirëqenie dhe siguri, duke dhënë shembullin më të qartë se si duhet të jetë një përfaqësues politik shqiptar në këto kohë të vështira dhe delikate për shqiptarët.
Janë pikërisht këto qëndrime dhe parime me të cilat shqiptarët në ish IRJM konceptojnë Vetëvendosjen, dhe janë pikërisht këto parime dhe qëndrime të palëkundura të Vetëvendosjes, që aktualisht përfaqësojnë shpresën e vetme për zgjidhjen e drejtë të çështjes së tyre të pazgjidhur edhe pas luftës së armatosur të vitit 2001. Luftë, e cila për dallim nga luftërat e tjera në ish Jugosllavi që përfunduan me pavarësinë për sllovenët, kroatët, shqiptarët në Kosovë dhe pjesërisht edhe për boshnjakët përmes konfederalizimit të Bosnjës, për shqiptarët në ish IRJM përfundoi me një marrëveshje poshtëruese (Marrëveshjen e Ohrit tanimë të zhvlerësuar), e cila, bashkë me kushtetutën, i la ata me statusin e pakicës që diskriminohet hapur, edhe sot e kësaj dite.
Por, për fat të keq, mesazhet që vijnë nga Vetëvendosja për shqiptarët në ish IRJM, janë zhgënjyese dhe në kundërshtim me parimet e Vetëvendosjes. Kështu, vet lideri i VV, Albini Kurti, i cili në Kosovë dhe më gjerë, denjësisht përfaqëson modelin politikanit dhe burrështetasit të pakorruptuar, në gusht të këtij viti, gjatë vizitës së tij në Tetovë dhe Shkup, befasoi shqiptarët në ish IRJM duke dale krah për krah me ish eksponentë të BDI-së së korruptuar – me Izet Mexhitin, ish nënkryetarin e BDI, bashkëpunëtorin besnik të Ali Ahmetit qe nga themelemi i BDI dhe me Bilall Kasamin, në BDI që nga viti 2000, nëndrejtor në drejtorinë e doganave, sekretar shtetëror në Ministrinë e Ekonomisë, dhe si lider i “Lëvizjes Besa”, në koalicion bashkëqeverisës me BDI, bashkëfajtor për tragjedinë në spitalin modular të Tetovës më 8 shtator 2021, ku u dogjën të gjallë 14 të sëmurë na Covidi.
Pak muaj më vonë, Elvis Hoxha, këshilltar i Albin Kurtit dhe anëtar i kryesisë së VV, befasoi përsëri shqiptarët në ish IRJM me deklaratën e tij në një intervistë në Alsat, duke quajtur koalicionin e pashpallur parazgjedhor të “opozitës” me VMRO, “një bllok opozitar që është për t’u lavdëruar”! Në këtë kontekst, për të mos harruar, Vetëvendosja kishte përshëndetur humbjen e VMRO në zgjedhjet parlamentare te vitit 2020 dhe ndryshimet qe do vinin me fitoren e LSDM! Në vazhdim të intervistës ai deklaroi: “Ne kemi mbështetur çdo subjekt që ka kundërshtuar qeverinë që ka tentuar të fsheh dhe hesht elementin shqiptar. Prandaj, gjithmonë kemi mbështetur opozitën, cilado qoftë ajo. Kemi mbështetur edhe Aleancën për Shqiptarët në vitin 2020”.
A është në fakt kjo ndihma që shqiptarët në ish IRJM presin nga VetëVendosja? Me keqardhje më duhet të them se JO.
Shqiptarët në ish IRJM, jo vetëm ata pak votues të Lidhjes Demokratike të Izet Mexhitit, Lëvizjes Besa dhe Alternativa, por edhe votuesit e BDI, edhe ata që nuk gjejnë veten me asnjë nga këto parti, presin nga Vetëvendosja që të mbështesi idetë dhe parimet, jo individët dhe partitë. Shqiptarët në ish IRJM nuk janë pakicë për t’u mëshiruar me pak më shumë të drejta, por siç theksoi edhe Liburn Aliu, popullatë autoktone shumicë, pothuajse sa gjysma e Kosovës, që jeton në territore me kontinuitet territorial me R. Shqipërisë dhe R. Kosovës, me madhësi sa territori i Kosovës.
Shqiptarët në ish IRJM kanë varur shpresat tek Vetëvendosja, jo vetëm sepse BDI e bëri vendin e tyre të pajetueshëm, por akoma më shume për faktin se nuk gjejnë shpresë tek partitë shqiptare opozitare, ato pak muaj sa ato qëndrojnë në opozitë. Ndihma e Vetëvendosjes nuk u nevojitet shqiptarëve për të hequr BDI-në nga pushteti dhe për të sjellë aty një apo më shumë parti të tjera që do të vazhdonin të shërbenin si dekor multietnik në sistemin qeverisës unitar në duar e partive “maqedonase”, por për të imponuar standardet e politikbërjes dhe parimin e vetëvendosjes, që do t’u sherbenin atyre si kriter për përzgjedhjen e partive. Për të vetëdijësuar dhe inkurajuar të gjithë shqiptarët, përfshirë edhe atë masë të madhe votuesish të BDI, për të drejtat e munguara kolektive, si grupi etnik i dytë më i madh në ish IRJM, duke adresuar qartë kushtetutën në përgjithësi dhe sistemin qeverisës unitar në veçanti si burimin e vetëm për statusit të tyre prej pakice të diskriminuar. Për të vetëdijusuar dhe inkurajuar shqiptarët për nevojën për ndryshimin rrënjësor të kushtetutës që do të garantonte barazinë e plotë për shqiptarët duke respektuar realitetin binacional të shtetit. Dhe ky do të ishte kushti për çdo komunikim të partive shiptare me partitë sllave në ish IRJM, dhe njëkohësisht kriteri i vetëm për përzgjedhjen e partive nga ana e shqiptarëve në ish IRJM dhe kriteri i vetëm për mbështetje të partive shqiptare nga ana e Vetëvendosjes.
Ndaj, shqiptarët në ish IRJM nuk do të mbështesin opozitën, “cilado qoftë ajo”, për faktin se në qëndrimet, veprimtarine dhe sjelljen e tyre politike, nuk dallojnë në asnjë gje nga BDI ne pushtet. Sepse statusi i tyre opozitar është moralisht i diskutueshëm per faktin se, qoftë si individë, qoftë si parti, te gjithë e provuan komoditetin e vasalit ne koalicione qeveritare me BDI dhe partitë “maqedonase” ne pushtet; për fatin se edhe tani synimi i tyre i vetëm, është pjesëmarrja pa kushte në qeveri. Ashtu siç nuk do të mbështesin as opozitën në Kosovë vetëm sepse është opozitë, për ta ndihmuar të kthehet në pushtet per të vazhduar korrupsionin dhe dëmtimin e interesave kombëtare të shqiptarëve në Kosovë.
Afrim Fanda