Menduat se ndonje analfabet, të cilët BDI i ka me bollëk, me urdhërin Ali Ahmetit, i cili edhe vet nuk shquhet për ndonjë intelegjencë, e përktheu gabim emrin e ri të propozuar për IRJM? Ia qëlluat, por pjesërisht! E vërteta nuk është aq e thjeshtë. Keni të drejtë kur mendoni se injorantët dhe të paqytetëruarit kanë gatishmërinë për të shërbyer me kaq zell të huajin duke mashtruar, manipuluar bashkëkombasit në pike të ditës, me arrogancën dhe paftyrësinë më të madhe.
Duhet kuptuar “halli” i Kryeminstri Zaev, e me këtë edhe i puthadorëve shqiptarë rreth tij. Brenga e pare e tyre ishte se si t’ua servirin shqiptarëve të IRJM, përndryshe kryesisht të fesë muslimane, emrin e ri të propozuar që mban emrin e Shën Ilisë. Emri Ilinden ka kuptim vetem sllav (Fjala Ilin në sllavishte ka kuptimin “i/e Ilisë” dhe den- ditë), që në përkthim do të thotë Dita e (Shën) Ilisë. Kjo festë, me po këtë emërtim festohet edhe nga shqiptarët ortodoksë. Pra, nuk ka si përkthehet ndryshe, prandaj dhe emri i ri, i përkthyer saktë do të ishte: Republika e Maqedonisë e ditës së Shën Ilisë. Shqetësimi i tyre i dytë ishte se si ta bëjnë këtë ngjarje të rëndësishme të historisë së bullgarëve sipas ministres së jashtme të Bullgarisë, të “pranueshëm” për shqiptarët si pjesë të emrit të ri IRJM. Por në një moment, një renegati shqiptar të zellshëm iu kujtua idea “gjeniale”: ta përkthejmë ashtuqë mos të jetë as përkthim e as emër i ri, por diçka e ndërmjetme. Dhe për t’ua bërë shqiptarëve mendjen dhallë, morën pjesën e pare të emrit, “Ilin” pa e ndryshuar, dhe shtuan, “dita” për të tingëlluar shqip. Dhe kryeministri Zaev, i këshilluar kështu nga kjo klasë politike shqiptare gjakprishur, që e siguroi atë se shqitparët do ta përbijnë çdo pisllëk që do t’u serviret, me entuziazëm dhe vetëbesim e shpalli si emrin e ri të IRJM “të përkthyer” në shqipe bastarde “Rebublika ILINDITASE e Maqedonisë”,.
Denko Maleski, profesor i politikës dhe të drejtës ndërkombëtare dhe ministri parë i jashtëm i IRJM, në një kolumnë të tijë në revistën “Fokus” në IRJM, tha se mbijetesa si një komb dhe shtet i IRJM varet në fije të perit. Me transparencën prej një intelektuali Denko Maleski pranoi se kompromisi për emrin është një mundësi për ekzistencën e IRJM, duke e distancuar politikën shtetërore nga Leka i Madh dhe Maqedonia antike. Kryeministri Zaev pasqyron këtë reflektim karshi faktorit të jashtëm , por ndaj shqiptarëve vazhdon të përdorë strategjinë e lojës së rrezikshme të manipulimit duke kërkuar të ndërtojë stabilitetin e IRJM me shqiptarët e poshtëruar me identitet të ri bastard, që fillon pikërisht me emrin e shtetit të përkthyer me nje shqipe bastarde. E kjo do të ishte edhe e ardhmja që bashkë me emrin u serviret shqiptarëve si grup etnik në IRJM – bastardë me identitet të ri, gjuhë të re, ilegjitimë, pa përkatësi, pa “prindër”, pa të kaluar, pa origjinë…
Edhepse të çoroditur dhe në kundërshti me njëri tjetrin, bie ne sy angazhimi i zellshëm i zv. kryeministrit Bujar Osmanit dhe shefit të kabientit të Ali Ahmetit, Artan Grubit. Aroganca dhe gatishmëria e tyre, zelli për të mashtruar dhe manipuluar bashkëkombasit e vet për llogari të padronit, si dhe në përgjithësi higjiena morale e ulët të bën për të vjellë, sado që i pari këtë mundohet ta mbulojë me qëndrimin autoritar, kurse i dyti me pamjen prej idioti. Bujar Osmani, me paturpësinë dhe paftyrësinë më të madhe deklaroi se “shqiptarët nuk kanë qenë përkthyes në këtë proces, por negociues …” duke e përgenjeshtruar me këtë edhe padronin e vet – kryeminstrin Zaev i cili në konferencën për shtyp i lexoi variantet në shqip dhe anglisht, duke i cilësuar pikërisht si përkthime të variantit në gjuhën sllavomaqedonase. Kurse Artan Grubi përgënjeshtroi Bujar Osmanin duke deklaruar se “për arsye se nuk ekziston fjalë në shqip për të përkthyer emrin e ri të propozuar, shqipërimi pas konsultimit me shumë gjuhëtar i bie që emri i ri i shtetit të jetë Republika Ilinditase e Maqedonisë. Është një fjalë e re që futet në fjalorin shqip”.
I gjithë ky pisllëk i rradhës lidhur me propozimin e fundit për emrin e IRJM, që nxori në sipërfaqe qëndrimin poshtërues dhe armiqësor ndaj shqiptarëve të LSDM dhe në veçanti të kryeministrit Zaev, si dhe rolin rolin destruktiv dhe poltronist të klasës politike shqiptare, përfundoi me refuzimin e qeverisë greke ndaj këtij propozimi.
Qëndrimi i Bullgarisë ishte i hapur dhe i qartë. Sipas ministres së jashtme Ekaterina Zaharijeva, emri i ri i propozuar për IRJM është i pranueshëm për Bullgarinë sepse pranohet historia dhe e kaluara e përbashkët, pjesë shumë e rëndësishme e historisë bullgare.
Tek Shqiptarët, edhe pse hasi në kundërshtim dhe tallje të përkthimit në rrjetet sociale, mungoi reagimi institucional ndaj këtij poshtërimi të shqiptarëve, posaçërisht ai i ministrisë së jashtme të R. Shqipërisë. Ndërsa Behgjet Pacolli infromoi me indiferentizëm si një ministër i jashtëm i një shteti “të huaj”, për variantin e dakorduar mes dy shteteve, si dhe për mundësinë që shqiptarëve të mos u pëlqejë – dhe kaq.
E gjithë kjo nxori në sipërfaqe domosdoshmërinë për një strategji të nivelit kombëtar, apo strategji madhore për të artikuluar qartë dhe përballur me çështje të tilla fundamentale dhe ekzistenciale që i takojnë sferës së interesit kombëtar, në mënyrë që çështje të tilla madhore mos u lihen në dorë të politikanëve të shitur, që për interesa të tyre bëjnë kompromise në dëm të interesave kombëtare.
Afrim Fanda