Përveç partive shqiptare, me BDI në krye, të cilat themeluan shtabet e fushatës për të shtyrë shqiptarët të dalin në referendum dhe votojnë marrëveshjen për emrin, është edhe një shtresë e qytetarëve shqiptarë, që bëjnë fushatë jo zyrtare, por jo më pak agresive se ajo e partive, në media dhe veçanërisht në rrjetet sociale.
Këta janë kryesisht shqiptarë (disa prej tyre intelektualë) të cilët në çdo sistem jetojnë në “zonën e komoditetit”, duke bërë kompromis me pushtetin në duart e sllavomaqedonasve, e jo rrallë edhe duke u vënë në shërbim të tij, duke i siguruar vetes kështu komoditetin individual në dëm të interesit kombëtar të shqiptarëve. Tipike për këtë shtresë të shqiptarëve janë profilet dhe statuset në rrjetet sociale në dy gjuhë, bile më shumë në atë sllavomaqedonishte, si dhe numri i madh i miqve sllavomaqedonas. Statuset janë plot mesazhe internacionaliste dhe neveri ndaj nacionalizmit dhe patriotizmit, zakonisht të paadresuar, përkrahur me plot mirëkuptim nga miqtë sllavomaqedonas, asnjëri nga të cilët, për çudi, nuk di shqip, ose më saktë nuk duan ta mësojnë, pavarësisht faktit që jetojnë në qytete të rrethuar me shqiptarë.
Argumenti i tyre më i përdorur dhe njëkohësisht më manipulues për të bindur të tjerët që të dalin në referndum dhe të votojnë marrëveshjen është ai i shpëtimit nga “katrahura shovene dhe nacionaliste” duke ia mveshur këtë vetëm partisë VMRO dhe qeverisjes së saj, pa dhënë përgjigjen në pyetjen se si dalja në referendum dhe vota pro marrëveshjes do të shpëtonte shqiptarët nga ky nacionalizëm dhe shovenizëm, kur e njëjta i zhvesh fare nga sovraniteti mbi shtetin, dhe u’a jep atë ekskluzivisht sllavomaqedonasve!
Këta përpiqen që t’i bindin shqiptarët e tjerë për të dalë në referendum me argumentin se marrëveshja nuk cënon pozitën e tyre në IRJM, duke mos dhënë përgjigje shumë shqetësimeve të ngritura nga ana e tyre: Si është e mundur që marreveshja per emrin bën ndarjen e identitetit maqedonas antik në mes te grekëve dhe sllavëve si plaçkë lufte ( “Historic deal on shared Macedonian identity …” – The Guardian), e me këtë edhe pronësinë mbi shtetin, duke injoruar faktin që shqiptarët sot përfaqësojnë një të tretën e banorëve të IRJM, si dhe faktin historik që në territorin e IRJM së sotme, gjithandej gjenden pothuajse vetëm gjurmë të Ilirëve (Dardanëve, Paionëve, Enkelejve …) e fare pak të maqedonasve antikë?
Vet kryeqendra e IRJM, Shkupi (Skupi i vjetër) është një thesar arkeologjik i mbushur me gjurmët e kryeqendrës së dardanëve që para shekullit 25 para erës sonë. Nëse emri i IRJM duhej pajtetër të ndryshohet, përse duhet shqiptarët të dalin në referendum dhe votojnë pikërisht emrin Maqedoni Veriore!? Si mund të lejojohet që me kaq lehtësi një marreveshje në shekullin 21 thjesht të fshijë si të kaluarën ashtu dhe të sotmen e shqiptarëve?
Është veçanërisht fyes pohimi i këtyrë propaganduesve të referendumit se, ndryshimet e kushtetutës që do të sillnin përmirësimin e statusit të shqiptarëve do të bëhen pasi të votohet marreveshja! Pa i dhënë përgjigje pyetjes se PSE do të duhej sllavomaqedonasit të bëjnë ndryshime të tjera të kushtetutës pas votimit të PAKUSHTËZUAR të Marrëveshjes së Prespës nga ana e shqiptarëve dhe ndryshimeve të kushtetutës që burojnë nga kjo marrëveshje: ndryshimi i emrit, kombësisë dhe gjuhës zyrtare.
Manipulimi tjetër nga këta shqiptarë që propagandojnë daljen në referendum është ai me termin “nationality” të përdorur në dokumentin origjinal të marrëveshjes, në gjuhën angleze duke u bërë palë me qeverinë në synimin për të mashtuar shqiptarët se bëhet fjalë për nënshtetësi. Termi “nationality” në anglisht, ka dy sinonime – atë të nënshtetësisë (citizenship) dhe atë të kombësisë (ethnic group), të cilën, edhe qeveria qëllimisht, e përkthen si “nënshtetësi” në dokumentin e pëkthyer në gjuhën sllavomaqedonase dhe atë shqipe, për të maskuar faktin që, sipas marrëveshjes, edhe shqiptarët do të konsiderohen me kombësi maqedonas/qytetarë të Maqedonisë Veriore, dhe kështu dë të shkruhet në të gjithë dokumentet e tyre të identifikimit. Sinonimi “nënshtetësi” me të cilin manipulohen shqiptarët për t’i bindur të votojnë marrëveshjen, gjen kuptim vetëm në shtetet kombe, ku nënshtetësia nenkupton kombin ( “a people having a common origin, tradition, and language and capable of forming or actually constituting a nation-state” – Merriam Webster dictionary). Poqese në nenin 1 të marrëveshjes për emrin, termi i rënë dakord do të ishte “nënshtetësi”, në variantin origjinal të marrëveshjes (atë anglisht – verzioni i vetëm me fuqi juridike), do të përdorej sinonimi “citizenship” (shtetësi) e jo “nationality” (kombësi).
Nëse të qenit në zonën e komoditetit individual në dëm të interesit të përgjithshëm për këta shqiptarë dikur arsyetohej me kushtet e frikës nga terrori i egër që e mundësonte sistemi komunist në duart e sllavëve të jugut, sot kjo nuk arsyetohet më. Eshtë për të gjithë e qartë që marrëveshja përkrahet nga faktori ndërkombëtar për të zgjidhur kontestin për emrin mes grekëve dhe sllavëve që quajnë veten maqedonas (argument i përdorur nga të njëjtët), por është po aq e qartë për të gjithë që duan ta kuptojnë, përfshirë dhe këta shqiptarë, se kjo marrëveshje po përdoret me shumë mjeshtëri nga qeveria e kryeministrit Zaev për t’i dhënë goditjen finale statusit të shqiptarëve në IRJM.
Me daljen në referendum dhe votimin e Marrëveshjes së Prespës, shqiptarët do të përbaltnin të gjitha veprimet e tyre të guximshme në të kaluarën e afërt, si bojkotimi i referendumit për pavarësinë e IRJM dhe mos miratimin e kushetutës së re të IRJM më 1991, si dhe daljen në referendumin për “Autonomi politike dhe teritoriale të shqiptarëve në Iliridë IRJM” më 1992. Do të shkelnin mbi atë pak dinjitet që u ka mbetur nga nëpërkëmbja që u bëjnë përfaqësuesit e tyre zyrtarë të kapur nga kjo qeveri, dhe me votën e tyre për këtë marrëveshje do të vulosnin fatin e tyre ndëkombëtarisht të pranuar– atë të pakicës pa identitet, pa gjuhë, pa shtet, pa dinjitet…
Afrim Fanda