Reagim ndaj shpifjeve të Menduh Thaçit

Të dashur miq dhe bashkëqytetarë të mi të Tetovës,ndihem i obliguar që të informoj dhe sqaroj bashkëqytetarët e mi, posaçërisht ata që nuk na njohin, lidhur me disa shpifje dhe trillime të Menduh Thaçit që kanë të bëjnë me familjen time, të thëna në një tubim të këtyre ditëve në lagjen Teteks 2 të Tetovës. Në këtë tubim, në një kontekst që fare nuk ka të bëjë me ne ( një konflikt me F. Xhaferin, vëllai i të ndjerit Arben Xhaferi) jemi përmendur unë dhe familja ime. Dua tua bëj të qartë të gjithëve që ne KURRË nuk kemi përfituar nga ASNJËRA parti dhe ky fakt ia merr të drejtën Thaçit dhe të tjerëve që të na përmendin dhe të keqpërdorin emrat tonë për qëllime të veta.

Për hir të së vërtetës dhe për të parandaluar çfarëdo keqpërdorimi të mundshëm, më duhet të sqaroj disa fakte:

E para, familja ime, as më parë, as gjatë qëndrimit tim dhe të vëllait tim në burg, e as pastaj, nuk ka qenë kurrë në situatë që të na mungojë buka dhe aq më tepër që dikush (mos dhashtë zoti njeri si Thaçi) të na furnizojë me miell! Duke qenë të bindur në idetë, qëllimin dhe kauzën e drejtë, gjatë vuajtjes së dënimit, si gjysma brenda ashtu dhe gjysma tjetër e familjes jashtë burgut (nëna dhe vëllai i vogël) qëndruam me kokën lartë, me dinjitet dhe pa ia shtrirë dorën njeriu.

Thaçi shpif paturpësisht kur deklaron në publik që ka ndihmuar në bartjen e mobileve që u flakën jashtë në rrugë nga policia me rastin e nxjerrjes me dhunë nga banesa e nënës dhe vëllait tonë në shenjë hakmarrjeje pas arrestimit tonë.

Së dyti, gjatë hetimeve, gjykimit dhe qëndrimit tonë në burg dhe më vonë, ka pasur njerëz që na janë larguar, por daja jonë, Dr. Jusufi , Atilla dhe pjesëtarë të tjerë të familjes së tyre nuk ka qenë në mes tyre. Përkundrazi, na kanë qëndruar pranë dhe na kanë përkrahur me të gjitha mjetet (gjë që Thaçi do të duhej ta dinte, meqë pretendon se na ka qëndruar pranë). Daja im kurrë, as në momentet e fundit të jetës së tij, nuk u lëkund nga qëndrimet e tij mbi mungesën e perspektivës së shqiptarëve në këtë shtet, të udhëhequr nga matrapaz dhe sahanlëpirës por i qëndroi besnik idesë së bashkimit kombëtar si zgjidhje e vetme e drejtë për shqiptarët. Një mendim ky me të cilin vazhdoj të jem dakord.
Ka pasur njerëz që na kanë qëndruar pranë (jo me miell), por që kurrë nuk mburren dhe nuk përpiqen të përfitojnë.

Në vend të shpifjeve, meqë vetë na përmendi, Thaçi bën mirë të sqarojë tetovarët dhe elektoratin e vet se pse gjatë kohës kur ishte në pushtet nuk ndërmori asgjë që të na kthehej ajo banesë që na u mor ne padrejtësisht dhe iu dha një familjeje maqedonase. Po këtë sqarim duhet të japi edhe kundërshtari i tij, Ali Ahmeti! Natyrisht, si njëri ashtu edhe tjetri kanë qenë të zënë duke bërë pazaret dhe bizneset me ata nga të cilët duhet ta kërkonin këtë. Ai duhet te jap shpjegime se pse unë dhe vëllai im, pasi bëmë nga 4, respektivisht 5 vite burg dhe ishim ndër themeluesit e PDSH-së, u detyruam të largohemi nga vendi i lindjes për të nxjerrë kafshatën e gojës, në ndërkohë që ai dhe shërbëtorët e tij si Ernad Fejzullahu me shokë i radhisnin milionat e eurove duke keqpërdorur këtë parti.

Liderët shqiptare të vetëshpallur në IRJM një ditë do të duhet të përgjigjen për krimet kundër këtij populli sepse shkelën mbi të ardhmen e mijëra të rinjve shqiptarë, në mënyrë që të bënin milionat e tyre në pushtet, duke ju shërbyer me zell padronëve maqedonas në Shkup në shndërrimin e qyteteve shqiptare në provinca pa vlerë, pa të ardhme ekonomike, pa arsim të mirëfilltë dhe pa jetë kulturore..!

Nëse ndonjëherë para shumë kohësh kam qenë mik dhe kam bashkëvepruar me individë në fjalë, kjo ka ndodhur sepse në atë kohë kam pasur mendimin se ndajmë ideale të njëjta dhe kemi vizion si të plotësohen ato. Gjithçka ka përfunduar shumë shpejt, meqenëse idealet e tyre u shndërruan në kompani fitimprurëse. Për mua qëndrojnë! Këtu rrugët tona ndahen përgjithmonë!

Në fund, ua lë juve, miqve dhe bashkëqytetarëve të mi që të gjykoni nëse është e mundur që Thaçi si lider “i vuajtjeve dhe dajakut të qeverisë të sllavëve” t’i bëjë ato miliona Euro duke qenë në pushtet me po ata “sllavë të dajakut”. Në ndërkohë, unë do të vazhdojë të nxjerri bukën e gojës pa ja shtrirë dorën as njërës parti e as tjetrës, duke pritur që të iki koha e maskarenjve dhe antivlerës dhe të gjej bashkëmendimtarë që do të kenë moralin dhe guximin për të ndryshuar njëherë e mire fatin e shqiptarëve në Maqedoni. (Afrim Ibrahimi)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>