Sistemi qeverisës unitar – gjenerator i përfaqësuesve shqiptarë të korruptuar dhe kKriminalizuar, burim i konfliktit të vazhdueshëm ndëretnik në ish IRJM

vladaMe publikimet e kohëve të fundit të bisedave telefonike të përgjuara në mes të eksponentëve të BDI, të njohura me kohë për LSDM dhe prokurorinë speciale, por qëllimisht të fshehura nga opinioni,  shqiptarët u njohën me fakte të hollësishme komprometuese dhe inkriminuese për përfaqësuesit e tyre në pushtet si dhe personalitetin e tyre të vërtetë. E gjitha kjo, e veçanërisht fjalori ofendues prej rrugaçi, përmes të cilit ata gjatë bisedave telefonike mes tyre, tallnin dhe ofendonin të gjithë shqiptarët, ngjalli zemërim dhe revoltë të ashpër të qytetarëve shqiptarë të manifestuar në rrjetet sociale dhe media, gjë që u përshkallëzua edhe me protesta të formave të ndryshme.  Qytetarët e revoltuar kërkojnë me ngulm dorëheqjen dhe përgjegjësinë para ligjit për udhëheqësin e BDI, e madje edhe dëbimin e selisë së kësaj partie nga Tetova.

Por a do të zgjidhnin me këtë, fenomenin e vazhdueshëm të  kriminalitetit dhe korrupsionit ndër përfaqësuesit e tyre në pushtet, të cilët, pavarësisht përkatësisë partiake, të gjithë kanë një emërues të përbashkët – përfitimin personal dhe klanor në dëm të interesave kombëtare të shqiptarëve? Përgjigjen e gjejmë  tek koncepti i sistemit qeverisës unitar,  të mbrojtur me kaq ngulm nga partitë sllave, të pranuar me përulje nga partitë shqiptare që synojnë me çdo kusht pushtetin, e madje të mbrojtur edhe nga kisha ortodokse e ish IRJM.

Sistemi Unitar ka shkallën më të lartë të centralizimit krahasuar me sistemet tjera, ndaj dhe shumica e monarkive dhe tiranive absolute funksionojnë nën sisteme unitare. Është i natyrshëm edhe për shtete kombe, sepse si i tillë është i përshtatshëm, për të zbatuar politika kombëtare përmes një qeverie kombëtare.  Por në asnjë mënyrë nuk është i përshtatshëm për shtete- bashkësi popujsh.  Në Evropë, ish IRJM është pothuajse shteti i vetëm i përbërë nga dy grupe etnike shumicë, që ka sistem qeverisës unitar. Që nga themelimi si shtet komb me vendimin e ASNOM-it në vitin 1944, sistemi unitar vazhdon të shërbejë si një garanci për bashkësinë etnike sllave, për statusin dhe privilegjet që gëzojnë si zotërues të vetëm të pushtetit.  Rrjedhimisht, kjo i bën edhe të vetmit pronarë të gjithë shtetit, pra edhe të territoreve të banuara në mënyrë homogjene me shqiptarë autoktonë, në vazhdimësi territoriale me pjesën tjetër të territoreve shqiptare në R. Shqipërisë dhe R. Kosovës. Duke qenë të vetëdijshëm  se kjo, në fakt përfaqëson një pushtet të imponuar, partitë sllave marrin masa për të mbrojtur këtë pushtet ilegjitim, duke mobilizuar në pushtet shqiptarë të dëgjueshëm si përfaqësues të shqiptarëve.  Duke i implikuar ata në afera korruptive fitimprurëse, i bëjnë të cënueshëm nga ligji, dhe si rrjedhojë të dëgjueshëm dhe lojal ndaj pushtetit.  Të njëjtit, përveçse shërbejnë si kozmetikë demokratike të një pushteti krejtësisht jo legjitim, pa shembull në Evropë, njëkohësisht shërbejnë edhe si dorë e zgjatur e partive sllave  për të disiplinuar popullsinë shqiptare për të qenë lojal  dhe të dëgjueshëm ndaj pushtetit unitar.

Sistemi qeverisës konfederativ do të bënte pikërisht të kundërtën e asaj që bën sistemi unitar në ish IRJM.  Duke qenë një marrëdhënie e lirshme midis njësive politike, në sistemet konfederative shumica dërrmuese e pushtetit politik qëndron në qeveritë lokale (njësive federale, ose kantoneve, ose landeve); qeveria qendrore federale ka shumë pak fuqi. Qeveritë lokale kanë një liri të madhe për të vepruar sipas dëshirës, gjë që i bën shtetet me këtë sistem qeverisës, një aleancë e vullnetshme midis shteteve të pavarura.  Duke patur mundësinë për të vetëqeverisur në njësitë ku janë shumicë,  shqiptarët jo vetëm që do të gëzonin të gjitha të drejtat si popull autokton dhe shtetformues, jo vetëm përfaqësuesit e tyre politikë do ju jepnin llogari drejtpërdrejt zgjedhësve në vend të partive sllave, jo vetëm do të ishin në gjendje të zbatojnë politika zhvillimore, arsimore dhe kulturore me buxhetin që ju takon, për të parandaluar eksodin e të rinjve jashtë vendit,  por kjo do të shuante konfliktet dhe do të relaksonte njëherë e mirë marrëdhëniet ndëretnike, dhe do të siguronte paqe në këtë pjesë të Gadishullit Ilirik.  Ashtu siç u mundësoi italianëve, francezëve dhe gjermanëve të jetojnë në paqe, dhe Zvicra të jetë një vend joshës për jetesë për të gjithë. Ashtu siç sistemi qeverisës konfederativ në Belgjikë, me tre nivele qeverisjeje, federale, regjionale dhe të komunitete gjuhësore, shuajti armiqësitë mes valonëve dhe flamanëve, dhe siguroi pjesë të pushtetit edhe për 1% gjermanë.

Shqiptarët, posaçërisht ata që patën guximin të publikojnë përgjimet, protestuesit, intelektualët (nëse ka të tillë), studentët dhe në përgjithësi të rinj e të reja, që sot me guxim nxjerrin përfaqësuesit e tyre politik në dritën e tyre të vërtetë, atë të kriminelëve dhe rrugaçëve, duhet t’i shkojnë deri në fund denoncimit të së keqes.  Nuk duhet të mjaftohen duke u marrë vetëm me pasojat (përfaqësuesit e tyre të shitur dhe kriminalizuar), por njëherë e përgjithmonë të luftojnë dhe pamundësojnë burimin e të keqes për shqiptarët, duke kërkuar ndryshimin e sistemit qeverisës! Pikërisht kërkesa për ndryshimin e sistemit qeverisës duhet të jetë në ballë të protestave të paralajmëruara për 26 korrik, krahas  kërkesës për lirimin e të burgosurve politikë dhe viktimave të pafajshme të proceseve të montuara pafund.

Afrim Fanda

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>