VOTA PËR “OPOZITËN” NUK ËSHTË VOTË PËR “SHPËTIM” NGA BDI! AQ MË PAK ËSHTË VOTË PËR “NDRYSHIM”!


Zijadin Sela tradhtoi? Dakord, por cilën ide? Cilin parim? Kë tradhtoi Sela duke aderuar në “Frontit Evropian” në vend se në “VLEN”? Shqiptarët, apo Bilall Kasamin, Afrim Gashin, Izet Mexhitin, Arben Taravarin… apo Albin Kurtin?

Cili është dallimi në mes të “Frontit Evropian” dhe “VLEN”? Si, dhe ku është manifestuar dhe po manifestohet aktualisht “opozitarizmi” i të ashtuquajturës “opozitë”, sot “VLEN”, të cilën e “tradhtoi” Sela?

Duke votuar, bashkë me BDI-në, në vitin 2018, Marrëveshjen e Prespës dhe ndryshimet kushtetuese, ku shqiptaret u ridefinuan si pakicë e ardhur? Duke mashtruar shqiptarët se, si shpërblim, vendi do të anëtarësohet pas kësaj në BE?

Duke votuar, bashkë me BDI-në, po në këtë vit, Ligjin për përdorimin e gjuhëve (ligjin e famshëm 20%), që gjuhën “maqedonase” e definon si gjuhë zyrtare ndërsa shqipen si gjuhë pakicash të ardhur, të kushtëzuar me përqindje? Duke mashtruar shqiptarët se me këtë ligj gjuha shqipe bëhet zyrtare dhe e barabartë me gjuhën “maqedonase”?

Duke treguar, bashkë me BDI-në, gatishmërinë për të votuar ndryshimet kushtetuese për të futur bullgarët në kushtetutë, duke ridefinuar përsëri në kushtetutë, shqiptarët si pakicë e ardhur? Duke mashtruar përsëri shqiptarët, se pas kësaj vendi do të integrohet në BE?

Duke premtuar, bashkë me BDI-në, kryeministra dhe presidentë kukull shqiptarë, të sojit të Sinan Hasanit?


Duke ja kaluar edhe BDI-së, me kërkesën për “Jugosllavi të vogël” me “kushtetutë qytetare” ku shqiptarët do të definoheshin si “qytetarë” pakicë, në vend se grup etnik me të drejta kolektive, me njësinë e tyre shtetërore?

Duke instaluar në jetën politike të shqiptarëve Islamin Politik të dirigjuar nga Erdogan, që rrezikon indin kombëtar dhe të ardhmen evropiane të shqiptarëve?

Duke luftuar kazinotë, ne pritje të hyrjes në qeverinë e VMRO-së?

Ca miq të mi më thonë: “atëherë, trego zgjidhjen”… “cila është rruga, zgjidhja e drejtë”!?

Unë nuk mund t’ju bëj thirrje bashkëkombasve të mi, për të votuar njërën apo tjetrën, ose akoma më mirë, asnjërën parti shqiptare!

Por një gjë mund t’u them me bindjen e plotë: vota për ata që sot quajnë veten “opozitë”, nuk është votë për “shpëtim” nga BDI! Aq më pak votë për “ndryshim”!

Vet përvoja e viteve të fundit, na mëson që të mos votojmë një parti, vetëm e vetëm për të ndëshkuar një parti tjetër! Sepse gabimi paguhet shtrenjtë! Ashtu menduam, kur votuam PPD-në (jo se kishim për të zgedhur), vetëm e vetëm për të shporrur partitë sllave dhe pushtetin monist. Pastaj vuajtëm për të hequr PPD-në, që u bënë më zi se ata që “shporrëm”. Zgjodhëm PDSH-në vetëm e vetëm për të hequr PPD-në. Pastaj, bëmë luftë për të hequr PDSH-në, për ta zëvendësuar me BDI-në. Tani na thonë të votojmë ca mashtrues, që deri dje bashkëqeverisën me BDI-në në pushtet, vetëm e vetëm për të hequr BDI-në “të keqen më të madhe”. Që pas ca vitesh përsëri të bëjmë luftë për ti hequr këta mercenarë të tjerë, që mezi presin të lëshojnë rrënjë në pushtet!

 

IluzioniShqiptarët në ish IRJM nuk kanë nevojë të “shpëtojnë” nga BDI apo nga cilado parti tjetër shqiptare, por nga kushtetuta që i diskriminon duke i trajtuar si pakicë. Anëtarët e BDI, ashtu edhe gjithë shqiptarët e tjerë, anëtarë të partive tjera shqiptare, duhet të shpëtojnë nga injorantët, mercenarët, oligarkët, të shiturit… në krye të këtyre partive, që mbajnë peng të ardhmen e shqiptarëve duke përfituar nga ky diskriminim, të shpërblyer për heshtjen dhe miratimin e tyre.

Në vend të etiketimit si “radikal”, pa e ditur kuptimin shqip të fjalës “rrënjë, rrënjësor”, të kërkojmë ndryshime rrënjësore të statusit kushtetues të shqiptarëve në këtë shtet, duke kërkuar ndryshime rrënjësore të kushtetutës, duke kushtëzuar partitë shqiptare me votën tonë, si brenda, ashtu edhe jashtë këtyre partive.

Kjo është lufta për të ardhmen, për fëmijët tanë, që sot duhet ta bëjë çdo shqiptar në ish IRJM, qoftë anëtar i partive shqiptare, i iniciativave qytetare, apo qytetar i pavarur.

Afrim Fanda

 

Çka tha Arben Taravari në një intervistë në Plusinfo: 

Vlen të mendojmë për një “KUSHTETUTË QYTETARE” Arben Taravari propozon një ide të guximshme në prag të zgjedhjeve.

Disa zgjidhje në Kushtetutën e Maqedonisë nga viti 1974 ishin më liberale sesa zgjidhjet në Kushtetutën e tanishme” të sanuar”, tha në edicionin e ri të podcast-it Plusinfo, Arben Taravari, kandidat për president i koalicionit “VLEN”.

“Neve ndoshta na duhet një kushtetutë qytetare dhe duhet të mendojmë për këtë opsion”, tha Arben Taravari, kandidati presidencial i opozitës së bashkuar shqiptare, në një bisedë me gazetarin Branko Geroski, duke konfirmuar se kushtetuta qytetare do të thotë se Maqedonia definohet si shtet i të gjithë qytetarët që jetojnë në të.  (https://plusinfo.mk/vredi-da-razmislime-i-za-gra-anski-ustav-arben-taravari-predlaga-smela-ide-a-vo-presret-na-izborite/)

Sa për informim, politikanët maqedonas si Branko Cërvenkovski dhe Ljubomir Fërçkovski ishin ata që tentonin që të hiqen nacionalitetet nga kushtetuta dhe ishin ideatorët / përkrahësit e Kushtetutës Qytetare për Republikën e Maqedonisë ndërsa politikani si Arbër Xhaferi ishte kundër Kushtetutës Qytetare!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>