Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të enjten se një në 10 pacientë me COVID-19 përjetojnë probleme shëndetësore edhe 12 javë pasi kanë patur virusin dhe u bëri thirrje autoriteteve shëndetësore ta shqyrtojnë me seriozitet situatën e tyre.
Në një konferencë virtuale për shtyp të enjten, dega e OBSH-së për Evropën publikoi një raport që dokumenton se si vendet e ndryshme në rajon u janë përgjigjur pacientëve që vuajnë simptoma afatgjata të COVID-19.
Drejtori për Evropën i OBSH-së Hans Kluge tha se i ashtuquajturi “COVID i gjatë” mund të shkaktojë simptoma që përfshijnë lodhje të rëndë, dhimbje gjoksi, inflamacion të zemrës, dhimbje koke, harresë, depresion, humbjen e nuhatjes, ethe të përsëritura, diarre dhe zhurmë në veshë.
Në raport thuhet se të dhënat e disponueshme tregojnë se rreth një në katër persona me COVID-19 shfaqin simptoma rreth një muaj pas testimit pozitiv, ndërsa një në 10 përjetojnë simptoma pas 12 javësh.
Zoti Kluge tha, “vuajtësit e simptomave pas COVID-it duhet të dëgjohen nëse duam të kuptojmë pasojat afatgjata dhe rimëkëmbjen nga COVID-19″. Ai tha se është e rëndësishme për politikëbërësit të marrin në konsideratë pacientë të tillë afatgjatë si pjesë të përgjigjes për të zbutur ndikimin e pandemisë.
Zoti Kluge shtoi se të sëmurët afatgjatë janë një përparësi për OBSH-në dhe duhet të jenë për çdo autoritet shëndetësor.
Ai tha gjithashtu se në Evropë për të dytën javë radhazi, numri i rasteve të reja ka qënë më pak se një milion, gjë që tregon se transmetimi i virusit vazhdon të ngadalësohet. Zoti Kluge tha se rastet e reja kanë rënë gati përgjysëm që nga fillimi i vitit, si rezultat i zbatimit të masave të reja të ndërmarra nga vendet për ngadalësimin e transmetimit.
Por zoti Kluge paralajmëroi se COVID-19 vazhdon të përhapet me ritme shumë të larta në të gjithë Evropën, me dy variante shqetësuese që vazhdojnë të dominojnë mbi variantet e tjera.
voa