Siç duket, kompania koreano-jugore Samsung do të vazhdojë ta mbajë, së paku për të ardhmen e afërt, titullin e prodhuesit më të madh global të telefonave inteligjentë.
Samsungu do të nxjerrë së shpejti në treg një model të ri telefoni, në kategorinë ndërmjetëse mes tabletit dhe telefonit, pra me përmasa më të mëdha se telefonat tradicionalë.
Gjatë muajve të fundit kjo kompani shënoi rënie në konkurrencën me gjigandin amerikan Apple, pasi doli në treg telefoni iPhone 6 i Apple-it. Tani Samsungu do të nxjerrë një variant të ri të produktit të tij Galaxy Note me një eveniment special të enjten në Nju Jork.
Galaxy Note do të ketë një ekran shumë të madh, thuajse të ngjashëm me ekranin e tabletave elektronike, për përdoruesit që tashmë duan të shohin video-klipe në çdo moment dhe çdo vend ku ndodhen. Megjithë përmasat produkti premton të jetë një pajisje elegante dhe e sofistikuar si nga kapacitetet ashtu edhe nga pamja. (voa)