Stoltenberg ramaSekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg vlerësoi sot Shqipërinë për angazhimin e saj shumë të fortë në Aleancë, në sigurinë e përbashkët dhe për ndihmesën që po jep në misionet e NATO-s në Afganistan dhe në Kosovë, në shtimin e kapaciteteve mbrojtëse në Ukrainë, në Gjeorgji dhe në Lindje, si edhe në ndikimin për qëndrueshërinë e Ballkanit perëndimor.

“Ne besojmë se bashkëpunimi juaj me fqinjët është një ndihmesë e vlefshme për sigurinë në rajon. Ne ju falenderojmë për mbështetjen që i jepni politikës së dyerve të hapura që ndjek NATO dhe për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në familjen euro-atlantike” – tha zoti Stoltenberg gjatë një vizite në Tiranë në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Edi Rama.

Pak ditë më parë NATO, tha ai, mori një vendim historik në këshillin e NATO-s, duke ftuar Malin e Zi të nisë bisedimet me Aleancën për antarin e 29 të saj.

“Kjo ftesë tregon vazhdimin e angazhimeve të NATO-s për t’i mbajtur dyert hapur. Kjo tregon angazhimin tonë për qëndrueshmëri në Ballkanin perëndimor dhe për një Europë të lirë dhe në paqe. Shqipëria ka rol kyç në këtë proces dhe ka falenderime për mbështetjen e fortë ndaj politikës së dyerve të hapura dhe për vendimin që të ftohej Mali i Zi si anëtar” – tha zoti Stoltenberg.

Ai tha se siguria po sfidohet në drejtime të ndryshme dhe NATO po kundërpërgjigjet duke iu përshtatur një mjedisi të ri sigurie, duke rritur gadishmërinë. Ajo ka një forcë dyfish më të madhe reaguese dhe një prani ushtarake të rritur në pjesën lindore të Aleancës. Po ashtu po ofron më tepër mbështetje për partnerët në lindje dhe në jug.

“Të gjithë aleatët e NATO-s janë pjesë e koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS-it dhe e mirëpres kontributin e Shqipërisë këtu. Është me shumë rëndësi të theksojmë që ky nuk është një konflikt midis islamit dhe Perëndimit. Ky është një konflikt midis ekstremizmit dhe shoqërive të hapura dhe ne duhet të çohemi në mbrojtje të vlerave tona, të luftojmë ekstremizmin dhe terrorizmin së bashku” – tha zoti Stolteberg.

Ai shtoi se shumë prej sfidave komplekse duhet të trajtohen nëpërmjet mjeteve diplomatike dhe politike, por edhe atyre ushtarake, kështu që përshtatja e vazhduar ushtarake e Aleancës mbetet e një rëndësie kyçe. “Na duhet të vazhdojmë të investojmë në mbrojtjen tonë, ashtu siç të gjithë shefat e qeverive dhe të NATO-s vendosën kur u takuan në Uells vitin e kaluar” – tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg.

Ndërsa kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se temat kryesore të bisedimeve të sotme me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s ishin terrorizmi me origjinë nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut, shqetësimi për sigurinë dhe qëndrueshmërinë në lindje të Europës, çështja e hapur e Ukrainës, zgjerimi i Aleancës, fuqizimi dhe modernizimi i kapaciteteve mbrojtëse, si dhe misionet ushtarake.

“Ne e ndajmë fuqimisht shqetësimin me të gjithë anëtarët e Aleancës për kërcënimin serioz që paraqet terrorizmi i shfaqur sot në trajtën e tij më barbare në formën e një nazizmi të ri tek i ashtuquajturi ISIS. Të gjitha vendet aleate ndihen njëlloj të kërcënuara, ndërkohë që njëlloj zotërojmë vullnet, kemi mundësi dhe kapacitete për të përballuar me sukses këtë betejë dhe për ta fituar këtë që Papa Françesku e quan një “Luftë të Tretë Botërore” – tha zoti Rama.

Shqipëria, tha ai, përfaqëson në Aleancë modelin e një vendi ku bashkëjetesa fetare është e mundur dhe baza solide e paqes dhe harmonisë mes njerëzve të besimeve të ndryshme. Shqipëria sapo ka miratuar edhe Strategjinë Kombëtare kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe ai theksoi se ky është një tjetër hap si pjesë e përpjekjeve kundër së keqes, sepse “ne besojmë që qasja për të luftuar, jo vetëm shfaqjen e kësaj të keqeje aty ku ajo është e mishëruar fizikisht, por edhe shkaqet më të thella të saj, është qasja e duhur për të zhvilluar në këtë rrugë një proces nga ku bota jonë e lirë demokratike të dalë më e fortë”.

Sipas tij, zgjerimi i mëtejshëm i NATO-s në hapësirën ballkanike me Malin e Zi është në thelb zgjerim i hapësirës së lirisë, të paqes dhe të demokracisë së mbrojtur. “Ne vlerësojmë dhe mbështesim anëtarësimin e Malit të Zi dhe anëtarësimin e vendeve të tjera të rajonit, që aspirojnë dhe përpiqen realisht për integrimin në Aleancë. Shqipëria shpreson që vendet aleate do të sqarojnë në kohën më të shpejtë mundësinë e afrimit dhe të institucionalizimit të marrëdhënieve të NATO-s me Kosovën” – tha zoti Rama.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg vizitoi sot për herë të parë Shqipërinë, ku zhvilloi takime me kryeministrin Rama, Presidentin Nishani dhe ministren e mbrojtjes Kodheli. Kjo është vizita e tretë e një sekretari të përgjithshëm të Aleancës, që nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, nga prilli i vitit 2009. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>