Kjo fundjavë pritet të jetë shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe për Greqinë. Në një takim që pritet të jetë thuajse një “Big Brother”, por pa kamera, dy ministrat e Jashtëm, Bushati dhe Kotzias do të mbyllen aty me shpresën për të nxjerr në fund një “tym të bardhë”.
Kjo lidhet me një sërë problemesh që janë të pambyllura, të cilat janë sa aktuale dhe historike. Historiket dihen, janë vija kufitare detare, tokësore, gjendja e luftës, çështja e varreve të të rënëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, por si një xhol në mes ka ngelur çështja e Himarës.
Për të diskutuar mbi këto çështje në emisionin “Top Story” në Top Channel ka qenë i pranishëm një panel i përbërë nga historiani Pëllumb Xhufi, ish-drejtues i marrëdhënieve ndërkombëtare në PD Tomor Alizoti, gazetari Stavri Marko, analisti Skënder Minxhozi dhe në lidhje telefonike anëtari i OMONIA-s Vasil Bollano.
Ka qenë Bollano që fillimisht ka mohuar që Athina të ketë shitur pushtetin e shkuar vendor, ndërsa e ka cilësuar projektin për rehabilitimin e Himarës si të paligjshëm. “Nëse shohim ligjin për zhvillimin urban, ai thotë: nisma për zhvillim urban është çështje e vendorëve dhe pronarëve. Në rastin konkret banorët nuk janë pyetur fare”, ka thënë Bollano. Bollano ka cituar edhe atë nen të ligjit që thotë se, projekti duhet të miratohet vetëm nga një e treta e pronarëve. “Por këto praktika dhe procesverbale i mungojnë njësisë vendore që thuhet se ka bërë një marrëveshje me pronarët”, ka thënë Bollano. Më tej ish-kryebashkiaku i Himarës ka komentuar edhe ndërhyrjen e Athinës. “Zoti Kotzias ka të drejtë kur thotë se nuk mund të ketë zhvillim pa respektimin e të drejtës së pronës”, ka shtuar ai.
Ndërsa historiani Pëllumb Xhufi ka nënvizuar se rehabilitimi i infrastrukturës së Himarës është diçka e domosdoshme, ndërsa aspekti ligjor sipas tij është një çështje tjetër. Ndërsa ka theksuar se shpronësimi duhet të bëhet sipas ligjit, Xhufi është shprehur kritik ndaj qëndrimit të Athinës që sipas tij ka dashur ta pengojë zhvillimin. “Që Himara duhet të ndryshojë duhet të ndryshojë patjetër. Por ka pasur një vullnet që disa herë është inkurajuar nga Athina për ta mbajtur në gjendje arkaike Himarën, pasi sa më shumë arkaike aq më shumë ngelet greke, në thonjëza”, ka thënë Xhufi.
Për gazetarin Stavri Marko, çështja është më e thellë. Sipas tij, ajo ka dy aspekte: atë teknik dhe atë diplomatik. “Himara është një zonë e lakmuar, që ka perspektivë zhvillimi. Kjo është ana teknike, për të cilën vlera është shumë e lartë dhe është kërkuar nga të gjithë oligarkët”, ka thënë Marko. Aspekti i dytë sipas tij lidhet me fjalimin e fundit të kryeministrit Rama në Kuvend lidhur me Himarën, që acaroi dhe Athinën. “Ndoshta nga problemet që ka pasur me narkotrafikun dhe qeverinë e tij donte të tërhiqte vëmendjen. Por kjo solli një acarim dhe zoti Kotzias dha një mesazh për Tiranën. Liderëve të FYROM (Maqedonisë) në Shkup ai u tha, ju që mplekseni me Tiranën duhet të na informoni cili është targeti”, ka thënë Marko.
Ndërsa Tomor Alizoti, ish-drejtues i marrëdhënieve ndërkombëtare në PD, e ka cilësuar të tepruar reagimin e Athinës. “Mendoj se reagimi grek është tejmase i tepruar. Greqia ka patur një politikë të tillë prej kohësh dhe është një vend i BE-së që nuk i njeh minoritetet”, ka thënë Alizoti. Ai ka theksuar se qeveria shqiptare duhet të jetë e qartë kundrejt asaj greke, se çështjet kombëtare janë çështje kombëtare. “Qeveria duhet të thotë se ndërhyrja greke në çështjet shqiptare është e papranueshme dhe ne do të hyjmë në Europë me krenarinë tonë”, ka thënë Alizoti. Ai ka kritikuar edhe qëndrimin tolerant të shtetit shqiptar ndaj Greqisë. “Shteti shqiptar ka lejuar pensionet nga Greqia, ka lejuar ndërrimin e emrave. Është një faj i rëndë për mendimin tim”, ka shtuar Alizoti.
Top Channel