Shqipëri, eksportet rriten vetëm me 3.6 përqind. Importet me 6.2 përqind. Thellohet deficit tregtar, shkon në 2.4 miliard dollarëAktiviteti tregtar i Shqipërisë gjatë vitit 2014 shënoi një rritje me ritme modeste krahasuar me një vit më parë. Sipas të dhënave të publikuara sot nga Instituti i Statistikave vëllimi i shkëmbimeve tregtare u rrit vetëm me 5.4 përqind
Ajo që bie në sy është një ritëm i ulët i rritjes së eksporteve, të konsideruara si një ndër shtyllat që do të mbështesin rritjen ekonomike të vendit. Gjatë 2014 eksportet arritën në 255.6 miliard lekë, afërsisht 2.1 miliard dollarë, me një rritje prej vetëm 3.6 përqind. Një nga nivelet më të ulta të viteve të fundit.
Industria e prodhimeve fason mbajti peshën kryesore duke u rritur me 19.2 përqind krahasuar me një vit më parë, ndërkohë që grupi “Minerale, lëndë djegëse dhe energji” rregjistroi një ulje me 15.7 përqind, e kushtëzuar dhe nga konjukturat ndërkombëtare, për shkak të rënieve të cmimeve, vecanërisht të naftës në gjysmën e dytë të vitit, ndërkohë që situata energjitike ndikoi negativisht në shitjet jashtë vendit.
Importet nga ana e tyre u rritën me 6.2 përqind, ndërsa vlera e tyre e përgjithshme shkoi në 551.9 miliard lekë, osë afërsisht 4.5 miliard dollarë, duke dëshmuar një tendencë të rritjes së konsumit apo dhe të investimeve. Në fakt, grupi “Makineri, pajise dhe pjesë këmbimi” u rrit me 7.4 përqind. Një rritje prej afër 10 përqind shënoi dhe importi I grupit “Materiale ndërtimi, dhe metale”.
Të dhënat e Institutit të Statistikave dëshmojnë se për 2014, deficiti tregtar pësoi një tjetër rritje me afër 8.5 përqind duke shkuar në mbi 296 miliard lekë, ose 2.4 miliard dollarë. (voa)