Durim Bami, i cili po mbahet i paraburgosur nën masën “arrest me burg” për dyshimet e vrasjes së mbetur në tentativë, u soll në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për t’u ballafaquar me deputetin denoncues Tom Doshi. Procesi i daljes përballë Doshit është kryer jo vetëm sipas standardit pyetje-përgjigje, por edhe me teknikat speciale të hetimit, siç u shprehën burimet.
Kjo, pasi prokurorët vlerësuan gjatë ditës se, nëse të dyja palët do të liheshin vetëm pa grupin e hetimit në bisedë të lirë, ata do të mund të tregoheshin më të sinqertë me njëri-tjetrin.
Por, sikurse thanë burimet jozyrtare, Durim Bami i ka qëndruar versionit të tij dhënë një ditë pas ndalimit, se gjithçka ishte e sajuar dhe e kërkuar nga deputeti Tom Doshi.
Nga ana e tij, Doshi ka këmbëngulur se ndaj tij ka patur një tentativë për ta eleminuar fizikisht, jo vetëm atë por edhe deputetin demokrat Mhill Fufi, referuar edhe rrëfimit të 36-vjeçarit se ishte porositur për t’i vrarë.
Ballafaqimi mes të dyve ka zgjatur deri në orën 11.30 minuta. Ndërkohë që deputeti Doshi la ambjentet e prokurorisë, i shoqëruar nga një eskortë jo vetëm private por edhe nga dy efektivë të RESI-t.
Bami ndërkohë ka vijuar një maratonë të gjatë ballafaqimi me familjarë të deputetit Doshi, seancë që zgjati deri në orën 16. Por prokuroria, siç kanë bërë gjatë këtyre ditëve politikanët që u thirrën për t’u pyetur, kishte vendosur që të ruante sekretin hetimor e për këtë nuk dha asnjë detaj mbi këtë seancë pyetjesh.
Në përfundim të ballafaqimit prokurorët kanë vendosur të zhvillojnë një analizë me njëri-tjetrin, ku edhe do të dalin me konkluzione se cilët janë personat e radhës që do të pyeten dhe çfarë veprimesh të mëtejshme do të zhvillojnë.
Nga ana tjetër, Prokuroria e Përgjithshme, përveç deklaratës për mediat ku njoftoi çeljen e hetimeve, nuk ka dhënë ende një version zyrtar, ndonëse çështja “Doshi” prej 11 ditësh është çështja më sensitive për publikun. / Top Channel