Presidenti Bujar Nishani i ka dërguar sot një letër Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, kreut të grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, kreut të grupit parlamentar të PD-se, Edi Paloka si dhe kreut të grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili për Projekt Buxhetin e vitit 2015. Në këtë letër Nishani shpreh keqardhje që nuk është ftuar në komisione për të dëgjuar kërkesat specifike që i janë paraqitur Ministrisë së Financave gjatë fazës së hartimit të projektbuxhetit 2015. Gjithashtu ai rendit edhe disa problematika ku ndër më kryesoret është ulja e buxhetit për Presidencën.
LETRA E PLOTË
Lënda: Mbi Projekt Buxhetin e vitit 2015
Drejtuar: Sh.T.Z. ILIR META
KRYETAR
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
Z. GRAMOZ RUÇI
Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste (PS)
Z. EDI PALOKA
Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokrattike (PD)
Z.PETRIT VASILI
Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI)
TIRANË
I nderuar Zoti Kryetar i Kuvendit,
Të nderuar kryetarë të grupeve parlamentare të PS, PD dhe LSI,
Në kuadër të diskutimeve për miratimin e Projekt Buxhetit për vitin 2015, paraqitur nga Këshilli i Ministrave për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Shqipërisë, fillimisht shpreh keqardhjen që Institucioni i Presidentit të Republikës nuk u ftua në seancë dëgjimore nga Komisionet e përhershme për t’u dëgjuar mbi kërkesat specifike që i janë paraqitur Ministrisë së Financave gjatë fazës së hartimit të projektbuxhetit 2015.
Në pamundësi për t’u dëgjuar, edhe pse zyrtarisht kemi kërkuar të dëgjohemi nga Komisioni i cili mbulon veprimtarinë e institucioneve të pavarura, jam i detyruar t’ju paraqes disa problematika që implikojnë veprimtarinë e Institucionit të Presidentit të Republikës përgjatë vitit 2015, ndërkohë që projektbuxheti i vitit 2015 po diskutohet në seancë plenare.
Për vitin 2014, Institucionit të Presidentit të Republikës, megjithëse me ulje te theksuar krahasuar me dhjetë vitet e fundit, iu akorduan 183.2 milion lekë në total, ndërkohë që për vitin 2015 janë parashikuar 177 milion lekë, me një diferencë negative prej rreth 3.4 % më pak. Po kështu për zërin shpenzime të tjera operative në buxhetin e vitit 2015 është parashikuar ulje e këtij zëri me 8.5% më pak.
Vë në vëmendjen tuaj se përgjatë vitit 2014 janë kryer dhe shpenzime të paparashikuara, siç ishte rasti i vizitës së Papa Franceskut në vendin tonë, ku kemi kërkuar në Ministrinë e Financës fonde shtesë për shpenzime të kryera dhe të faturuara, për të cilat jemi akoma në pritje.
Siç jeni në dijeni, për vetë natyrën specifike të Institucionit, për përmbushjen e funksioneve kushtetuese të Presidentit të Republikës si në veprimtarinë brenda vendit, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, dalin vazhdimisht aktivitete shumë të rëndësishme për t’u kryer.
Kështu, në kuadër të Presidencës Shqiptare të SEECP, në përmbyllje të Presidencës, në mes të vitit 2015, do të organizohet Samiti i Kryetarëve të Shteteve të këtij organizmi ku roli i Institucionit të Presidentit të Republikës në këtë organizim është primar, por që buxheti i planifikuar nuk e mundëson organizimin serioz shtetëror.
Gjithashtu, viti 2015 përkon me 25 vjetorin e rënies së komunizmit në vendin tonë, ku Institucioni i Presidentit të Republikës ka të parashikuar organizimin e ceremonive me pjesëmarrjen e personaliteteve të shquara ndërkombëtare dhe buxheti i alokuar për këtë vit nuk e bën të mundur realizimin e të tilla aktiviteteve.
Duke shpresuar në pranimin e shqetësimeve të sipërpërmendura, dhe reflektimin përkatës, kërkojmë të vendoset buxheti i Institucionit të Presidentit të Republikës në parametrat e funksionimit normal të këtij Institucioni dhe të përmbushjes së misionit kushtetues të Kreut të Shtetit Shqiptar.
(a.n/BalkanWeb)