Dr Flori’, akuzat për mosdhënie ndihme, Urgjenca: Vepruam në kohë, vdiq nga overdoza

Policia e Tiranës po heton mbi pretendimet e familjarëve të këngëtarit Doktor Flori’ i cili humbi jetën një ditë më parë krejt papritur, edhe pse shtëpia ku banonte ishte pak metra larg Urgjencës së Tiranës. Ndërkohë që pritet që mjekësia ligjore të nxjerrë zyrtarisht shkaqet e vdekjes nga rezultatet përfundimtare të toksikologjisë, policia po heton pretendimet e familjarëve, të cilët thonë se ambulanca është vonuar për t’i dhënë atij ndihmën.

Policia ka marrë dëshminë e bashkëshortjes së të ndjertit, ndërsa ka pyetur edhe mjekët e stafit të Urgjencës. Ndërkohë që materialet hetimore do t’i kalojnë Prokurorisë së Tiranës.

Në një emision televizov, pastori i një kishe ku kantautori i njohur shkonte sëfundi deklaroi se, gruaja e tij sëbashku me djalin disa javësh në krahë kishte shkuar në urgjencë për të kërkuar ndihmë dhe aty ishte përballur me shprehjen “Silleni vetë të sëmurin, nuk kemi ambulancë”.

“E kishin marrë urgjencën në telefon, por ajo nuk po vinte megjithëse klinika është vetëm 5 minuta larg në këmbë. Ata thoshin vetëm që nuk kemi ambulancë për momentin pasi është diku tjetër. Bashkëshortja e tij, ka marrë djalin në dorë dhe ka shkuar tek ambulanca e lagjes ku i kanë thënë që ta sjellin familjarët në urgjencë”, tha pastori.

Pastori tha se gjithçka mbaroi rreth orës 10.05 ndërsa kur mbërritën mjekët gjithçka ishte e kotë. “Si ka mundësi që t’i thuhet një nëne të re me një fëmijë në krahë silleni këtu të sëmurin, kur mjekët mund të shkonin në këmbë për të ndihmuar një njeri” – tha pastori Muça.

URGJENCA: ZBATUAM PROTOKOLLIN ME PËRPIKMËRI
Ndërkohë që Urgjenca e Tiranës ka mohur akuzat për vonesën e ambulancës. Burime nga urgjenca bëjnë me dije se autoambulanca ka mbërritur në shtëpinë e të ndjerit 3 minuta pas njoftimit.

Të njëjtat burime saktësojnë se, gruaja e “Doktor Florit’ ka lajmëruar fillimisht për gjendje të dehur të bashkëshortit të saj.

Ndërsa shefi i Urgjencës, Naim Lusha thotë se është zbatuar me përpikmëri protokolli.

Shefi i Urgjencës: Dr Flori në vdekje klinike nga overdoza, padi ndaj akuzave të familjarëve

Shefi i Shërbimit të Urgjencës, Naim Lusha bën të ditur se ekipi mjekësor ka mbërritur në orën 10:08 minuta në vendin e ngjarjes ku ka gjetur Florand Kondin ne vdekje klinike nga nje arrest kardio-vaskular nga overdoza.

“Shefi i shërbimit të urgjencës Naim Lusha: jemi njoftuar në orën 09.45 fillimisht nga gruaja e doktor Florit e cila ka kërkuar ndihmë mjekësore për burrin e saj që është i alkolizuar dhe axhituar dhe i dhunshëm, i është dhënë përgjigje nga personeli se duhet të shoqërohet personeli mjekësore me policë, në këto momente gruaja është larguar pa dhënë me shpjegime. Në orën 10 e 05 është telefonuar në shërbimin tonë për një rast emergjencë dhe menjëherë është nis ekipi mjekësore dhe në 10.08 minuta është gjendur në vendin e ngjarjes.
Personi Florian Kondi ishte në vdekje klinike arrest kardio vaskular nga ovërdoza. Në këtë moment është tentuar rikthimi në jetë nga ekipi mjekësore nëpërmjet reanimimit zemër mushkri dhe i është injektuar adrenalinë, por pamundësi rikthimi në jetë. Është cuar në QSUT nga autoambulanca jonë në prani të ekipit mjekësor dhe vëllait.
Në një turn 12 orësh ka tre automjete autoambulancë, 6 mjekë, 5 infermiere dhe tre shofer.

Naim Lusha thekson se do të bëjë kallzim penal për shpifje në adresë të Urgjencës për pastorin, vëllain e viktimës që kanë ngritur akuza ndaj tij.
“Do bëjmë kallëzim penal për shpifje në adresë të shërbimit të urgjencës për pastorin dhe vëllain e viktimës që kanë ngritur akuza”.

BEQAJ: GRUAJA E DOKTOR FLORIT KËRKOI NDIHMË PËR DIKË QË KISHTE KONSUMUAR ALKOOL
Në lidhje me pretendimet e familjarëve të “Doktor Florit’ për mungesën e autoambulancës në dhënien e ndihmës së parë, ka regjur edhe kreu i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Sipas ministrit, “Thirrja telefonike nga familjarët është bërë në orën 10:05 minuta”.

Beqaj tha më tej se, “Gruaja kërkoi ndihmë për dikë që ka konsumuar alkool. Në raste të tilla ambulanca shkon bashkë me një polic, por gruaja nuk donte të shoqërohej nga policia”.

VDEKJA E DR.FLORIT, PROKURORIA: PROCEDIM PENAL PËR MOSËDHËNIE NDIHME
Prokuroria e Tiranës ka regjistruar kryesisht procedimin penal për “Mosdhënie ndihme”, parashikuar nga neni 97 i Kodit Penal për rastin e vdekjes së shtetasit Florian Kondi (Dr. Flori). Po punohet intensivisht për marrjen në pyetje të personelit mjekësor dhe familjarëve të të ndjerit.

KUSH ISHTE DOKTOR FLORI
Dr.Flori ishte një ndër tre anëtarët e grupit shqiptar të njohur me emrin “West Side Family”. Rolandi, Miri dhe Flori, dikur shokë në një klasë, më pas anëtarë të një prej grupeve më të njohura muzikore të Shqipërisë. Pas suksesit të madh me këngën-hit ‘Mesazh’, shikohen në skenën e festivalit të “Këngëve të Stinës”, por tashmë jo për të kënduar, por për të prezantuar. Ndërsa Doktor Flori, si pjesë e grupit mjaft të njohur “West Side Family” do të mbahet mend edhe për bashkëpunimin me ish-kreun e Bashkisë së Tiranës dhe ish-kreun e opozitës, tashmë kryeministër, Edi Rama. Kënga e parë e debutuar nga ata ishte “Tirona”, prej nga doli edhe shprehja: “Gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tironë”. Në atë kohë, grupi i mirënjohur mbajti një koncert recital, me të ftuar special kryebashkiakun Rama. Kënga ‘Tirona’ ishte pa dyshim që i dha dhe famën më të madhe grupit të tre djemve. Në 2009-ën, ‘West Side Family’ u bashkua përsëri me Ramën, këtë herë për të sjellë këngën e fushatës elektorale. Në qershor të vitit 2013, Flori si solist tashmë publikoi një këngë, ku shfaqte dukshëm zhgënjimin që kishte marrë nga Partia Socialiste dhe nga Edi Rama. Megjithatë edhe kjo këngë shënjoi një
sukses për këngëtarin e rrepit. Teksti i këngës i shkruar nga 35-vjeçari, “Zjarr e Ftohtë”, i kënduar nga këngëtari Luiz Ejlli, fitoi në “Festivali i Këngës 44″ dhe më vonë përfaqësoi Shqipërinë në “Eurovision Song Contest 2006″. Florian Kondi ishte baba i dy fëmijë dhe në rininë e tij ka qenë pjesë e grupit “West Side Family”. Ai ka marrë pjesë në disa festivale.

(ma.ar/d.b/BalkanWeb)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>