Kreu i Shtetit Bujar Nishani ka nisur sot konsultimet me krerët më të lartë të politikës për zgjedhjen e Guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë. I pari që ka nisur takimin me Presidentin, është kryeparlamentari Ilir Meta. Rreth orës 11:45 takimit konsultativ iu bashkua edhe kreu i qeverisë Edi Rama, ndërsa rreth pasdites është parashikuar një takim edhe me kreun e opozitës Lulzim Basha.
Në përfundim të takimit të tij Rama nuk ka bërë asnjë koment për 35t.
Gazetarja e News 24, Elda Menga deklaron sekreu i Kuvendit ka takuar Presidentin për 30 minuta. Po sipas saj, janë disa temat me për të cilat Nishani do të diskutojë me krerët e politikës. Përveç zgjedhjes së Guvernatorit të ri, pritet të diskutohet edhe në lidhje me plotësimin e vendeve vakant në Gjykatën e Lartë, reforma në drejtësi , etj.
Vetë Ilir Meta një ditë më parë bëri me dije se ishte i thirrur nga kreu i Shtetit në këtë takim, për të cilin uronte të ishte konstruktiv dhe i efektshëm. Edhe kryeministri Edi Rama e konfirmoi në një emision televiziv se do të ishte në takimin me kreun e Shtetit për cështjen e guvernatorit të ri.
Meta: Bashkëpunojmë për Guvernatorin e ri me Presidentin
Menjëherë pas takimit me Nishanin, kryeparlamentari Meta tha për gazetarët se pikërisht zgjedhja e Guvernatorit të ri, ishte tema kryesore që u diskutua me Presidentin, ndërsa nuk bëri të ditur nëse është përfolur ndonjë emër konkret për këtë post.
Sipas tij, për Presidentin por edhe për të rëndësi ka mbarëvajtja e procesit që do çoja tek zgjedhja e Guvernatorit.
Një figurë gjithëpërfshirëse dhe që do ruajë e thellojë më tej pavarësinë e Bankës së Shqipërisë, ishte profili që do të ketë Guvernatori i ri, siç shtoi ai.
“Natyrisht që çështja kryesore për të cilën biseduam ishte ajo e zgjedhjes së Guvernatorit të ri të BSH dhe presidenti ka bërë një ekspoze të mënyrës si ka proceduar deri tani, për të realizuar në kuadër të përmbushjes së detyrimit të tij kushtetues, emrin e guvernatorit të ri, nëpërmjet një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës. Presidenti është i hapur të bashkëpunojë në kuadër të ruajtjes së integritetit dhe pavarësisë së këtij institucioni”, tha Meta.
I pyetur për një emër konkret, Meta shtoi se, “Në takim u fol për procesin dhe rëndësinë e vajtes tek një emër nëpërmjet procesit”.
Duke folur në emër të opozitës për këtë çështje, Meta tha: “Ne do respektojë të drejtën Kushtetuese të Presidentit. Do ofrojmë gjithë bashkëpunimin tonë, që ky emër të jetë garant për drejtimin e BSH dhe ruajtjen e pavarësisë. Në themel qëndron vullneti i mirë për të garantuar një zgjedhje sa më profesionale, që ndihmon në thellimin e mëtejshëm të pavarësisë”, tha ai më tej.
(ma.ar/BalkanWeb)