Korporata Elektroenergjetike Shqiptare deklaron se dalja e ujit në Obot nuk është shkaktuar nga shkarkimet e hidrocentraleve. Në ato zona poshtë nivelit edhe me ditë me shira të zakonshëm, është në një lloj përmbytje. Kjo situatë nuk ka ardhur si shkak i shkarkimeve të kontrolluara që KESH ka bërë, thotë Ilir Belba, drejtor i Prodhimit në KESH.
KESH garanton se në Shkodër nuk do të ketë asnjë përmbytje nga hidrocentralet, pasi kuotat e ujit dhe prurjet e parashikuara janë në nivele optimale.
“Duke iu referuar parashikimeve të sinoptikanëve, Shkodra duhet të jetë e qetë sepse nuk do të ketë asnjë lloj përmbytje, të paktën nga lumi Drin. Edhe lumejtë e tjerë janë nën vëzhgim të vazhdueshëm nga KESH dhe në këto lumej nuk ka ndonjë prurje të rrezikshme”, tha Belba.
Korporata thotë se aktualisht është duke shkarkuar 900 metër kub ujë në sekondë. Sipas drejtorit të Prodhimit, shkarkimet rrezikojnë përmbytje kur janë mbi 1450 metër kub në sekondë, dhe ky nivel s’ka gjasa të ndodhë. Derdhja e ujit do të vijë duke u ulur.
“Shkarkimet do të vijojnë duke u ulur nga portat e shkarkimit, si rrjedhojë kjo edhe e vendimit të Komisionit të Posaçëm, që na detyron neve për uljen e kuotave në Fierzë. Ulja graduale e kuotave dhe minimizimi i prurjeve në Fierzë, automatikisht reflekton në uljen e shkarkimeve në Vaun e Dejës”, tha Belba.
KESH: Kur OSHEE bleu energji, ne nuk permbushnim kushtet ligjore
KESH ka sqaruar për herë të parë se pse nuk i shiti energji drejtëpërdrejt Operatorit të Shpërndarjes. Drejtoresha e Menaxhimit Strategjik Erideta Bashi thotë se në datën 25 janar kur OSHEE bleu energjinë për shkurtin, nuk ishin përmbushur kushtet ligjore që KESH të mund të shiste.
“KESH sh.a ishte në kuotat e 288 metrave dhe nëse KESH në pamundësi për të parashikuar sa do të vinin prurje dhe për sa kohë do të zgjasnin, do t’i shiste të mënyrë të menjëhershme OSHEE-së të gjithë sasinë e energjisë së nevojshme për mbulimin e humbjeve, nga ana tjetër do të ulej rezerva apo niveli i Fierzës me rreth 4 metra. Pra, do të cënonte nga ana tjetër sigurinë e furnizimit të vendit për periudhën në vazhdim”, thotë Bashi.
Drejtoresha e Menaxhimit Strategjik thotë se kuota e ujit që e detyron KESH të shesë energji u arrit vetëm në datën 1 shkurt, kur OSHEE e kishte blerë sakaq energjinë e saj. Ndaj, Korporata u detyrua ta shesë energjinë e tepërt në treg të lirë. Për gjithë shkurtin KESH ka shitur 8.39 milionë euro energji me një çmim mesatar 30.83 euro për mega. Sipas drejtoreshës, ky çmim është në linjë me bursat e rajonit, edhe pse situata e tregut nuk ishte e favorshme.
“Duke patur parasysh që kërkesa për energji në vend është 100 për qind e mbuluar. Evidencë e kësaj është fakti që KESH hodhi në ankand 307 milionë kilovatorë dhe mundi të shiste vetëm 272 milionë”, thotë Bashi.
Shitja e energjisë nga kesh tek privatët me çmime më të ulëta nga ato që ble OSHEE u shndërrua edhe në një pikë e nxehtë e debatit politik. Opozita e quajti atë një skemë kriminale, nga e cila përfituan tregtarët, kur energjia mund të shitej dretpërdrejtë tek operatori i shpërndarjes. / Top Channel