Kodheli: Feka i dënuar më parë për thyerje të disiplinës. Strazimiri: Ju e quajtët më i besuari

Kuvendi ka nisur seancën e sotme plenare me një interpelancë që Partia Demokratike kishte kërkuar me ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli lidhur me ngjarjen e rëndë të shënuar disa ditë më parë ku një major i Forcave të Armatosura humbi jetën duke pilotuar një helikopter me drogë në Spanjë. Ministrja Kodheli në fjalën e saj bëri me dije se majori Sokol Feka ka pasur precedentë të mëparshëm penalë për largim pa leje nga Shqipëria në vitet 2005-2007, gjë që sipas saj është pranuar nga vetë majori i cili në atë kohë ka kërkuar gjykim të shkurtuar.

Sipas Kodhelit, me gjithë këta precedentë të majorit, strukturat drejtuese të atëhershme të FA nuk i kanë marrë parasysh ato dhe kanë bërë gradimin e majorit dhe propozimin e tij për trajnime të ndryshme.

“Feka rezulton i dënuar 2 herë: më 18 nëntor 2005 dhe në vitin 2007 për largim pa leje nga vendi. Në të dy rastet ai e ka pranuar fajin dhe ka kërkuar gjykim të shkurtuar. Në të dyja herët është dënuar në bazë të kodit penal. Atij në të dy rastet i është bërë ndërprerje e pagës për të gjitha mosparaqitjet në punë. E megjithëse ky individ ishte dënuar nga gjykata, ai propozohej për trajnime”, tha Kodheli.

Pas fjalës së saj ka reaguar deputeti demokrat Gent Strazimiri, i cili i ka cilësuar tërësisht të pavërteta fjalët e ministres. Sipas tij, të gjitha fjalët e saj bien ndesh me atë që vetë Ministria e Mbrojtjes tha se majori Feka ishte një nga më të përgatiturit dhe të besuarit e Forcave të Armatosura. Strazimiri paralajmëroi ngritjen e një komisioni hetimor për të hetuar lidhur me informacione mjaft sensitive dhe informacione sekrete, të cilat Strazimiri pretendoi se i disponoi dhe kanë të bëjnë me abuzime të shumta nga strukturat drejtuese e FA.
/ Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>