Kompensimi i dëmeve, Qeveria mund të detyrohet të ndryshojë buxhetin

Dëmet e mëdha materiale të shkaktuara nga vërshimi i lumenjve në jug të vendit mund të detyrojnë Qeverinë të ndërhyjë në buxhet. Burime nga Ministria e Financave thanë për Top Channel se deri më tani shpenzimet për të asistuar familjet e prekura nga përmbytjet po përballohen nga fondi rezerve prej 50 milionë lekësh i Ministrisë së Brendshme.

Por këto janë vetëm shpenzimet për nevojat emergjente si akomodimi i banorëve të evakuar dhe furnizimi i tyre me ushqime apo veshmbathje. Fatura më e madhe vjen më pas, kur uji të tërhiqet dhe të nis vlerësimi i dëmeve në terren.

Qeveria ka një fond rezervë në buxhet prej 1.5 miliardë lekësh. Burime nga financat thonë se ky do të jetë fondi bazë për kompensimin e dëmeve. Por fatura e saktë e tyre do të mësohet vetëm pasi të ketë përfunduar vlerësimi në terren, dhe pasi Qeveria të ketë vendosur se deri në ç’masë do i kompensojë dëmet. Një ditë më parë, Kryeministri deklaroi se banorët e prekur do të dëmshpërblehen.

Nëse masa e kompensimit do të dalë më e lartë se fondi rezervë i Këshillit të Ministrave, Qeverisë do t’i duhet të gjejë burime të tjera për dëmshpërblimin. Por edhe nëse fatura do të jetë më e vogël se 1.5 miliardë, sërish prekja fondit rezervë që në muajt e parë të vitit, do e linte buxhetin zbuluar përballë ngjarjeve të tjera të papritura deri në fund të vitit.

Ndaj në të dy rastet, gjendja e jashtëzakoshme në jug të vendit mund të çoje në rishikimin e detyruar të buxhetit, i cili mund të shmanget vetëm nëse Qeveria do të sigurojë grant nga ndërkombëtarët. / Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>