Masakra, Xhuvani lihet në burg, në gjykatë me pranga, braktiset nga familjarët

Nën masa të rrepta sigurie, Kostandin Xhuvani dhe shoku i tij Erald Sida janë shoqëruar rreth orës 10:25 në Gjykatën e Tiranës, ku u njohën me masën e sigurisë. Seanca ka filluar ashtu siç parashikohej, nën gjykimin e Entela Pajo. I pari ka dalë para gjykatës ishte Konstadin Xhuvani, për të cilin u dha masa arrest me burg, për 4 vrasje.Gazetarja Klodiana Lala bëri të ditur se Xhuvani ka qendruar në kafazin e hekurt para gjykatës me pranga në duar. Reagimi i gazetarëve për një trajtim të barabartë para gjykatës ka detyruar oficerët e policisë t’i hiqnin prangat.
Xhuvani u mbrojt nga avokati Violent Coniku që i ka vendosur gjykata, edhe pse ka kërkuar mbrojtësin ligjor që ka pasur në çështjet e mëparshme, Ardian Leka.

Në sallën e gjyqit nuk ka pasur asnjë familjar të Xhuvanit, ndërsa vetë ai nuk ka dhënë shpjegime për vrasjen, ashtu sic e ka këshilluar avokati.

AVOKATI: SHKELEJ PROCEDURALE, XHUVANI NË KAFAZ ME PRANGA
Avokati mbrojtës i Kostandin Xhuvanit, Violent Coniku tha në përfundim të seancës që vërejti shkelje procedurale, pasi i akuzuari për 4 vrasjet u mbajt i lidhur me pranga gjatë kohës që qëndronte brenda kafazit të hekurt.

Avokati sqaron ndër të tjera, se i ka këshilluar 26-vjeçarit të mos flasë për ngjarjen, ashtu si edhe ka rezultuar.

“Nuk ka rëndësi ka vrarë 4 apo 400, avokati ka bërë betim që të mos i shkelet asnjë e drejtë procedurale. Xhuvani i kishte prangat vënë, kjo është shkelje procedurale. Unë si avokat i rekomandova të mos jepte asnjë shpjegim si ndodhi ngjarja”.

Po sot gjykata vendosi të lërë në burg edhe Erald Sidën, mikun e Xhuvanit, i cili natën e krimit ndodhej në një tavolinë me Xhuvanin, edhe pse sipas avokatit mbrojtës, Vladimir Gërmenji ai nuk ka qenë prezent në momenin e vrasjeve.

Ai akuzohet pë fshehje të krimit dhe shfrytëzim prostitucioni, pasi ka deklaruar se në tavolinë ndodhej me një femër, të cilën e kishte paguar për të kryer marrëdhënie seksuale.

Mbrojtja madje ka këmbëngulur se Sida ka tentuar t’i vijë në ndihmë viktimës, Arbër Demiraj duke e nxjerrë nga lokali.

“Mbrojtja kishte qëndrim të kundërt me akuzën. Klienti im Erald Sida është gjendur në kohën dhe vendin e gabuar nuk ka fare të bëjë me akuzat nuk ka parë ngjarjen as autorin. Nuk ka pse caktohet masë ndaj tij” tha avokati i tij.
PROKURORIA
Prokuroria nuk ka pasur më asnjë dyshim, se Kostandin Xhuvani, është autor i vrasjes së katërfishtë të ndodhur mëngjesin e së martës në lokalin e natës “Ante Grand” në Tiranë, duke kërkuar për të arrest me burg. Në dosjen e prokurorisë, thuhet se të katër viktimat janë qëlluar nga e njëjta armë, pikërisht arma që iu gjet në duar Xhuvanit, teksa pas masakrës që shkaktoi, tentoi ti shpëtonte policisë.

Si për të përforcuar më tej këtë fakt, në dosjen e prokurorisë, thuhet se në duart e 25-vjeçarit janë gjetur gjurmët e barutit. Në dosjen e zbardhur thuhet se pistoleta që është përdorur në ngjarje nga Kostandin Xhuvani, është gjetur e zbrazur dhe pa asnjë plumb, çka dëshmon se ai i ka derdhur të gjithë plumbat mbi katër viktimat në lokalin e natës, ndërsa me armën tjetër të gjetur në lokalin e natës nuk është kryer asnjë qitje.

TE DYSHUARIT
-Kostandin Xhuvani
I dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.
-Erald Sida
I dyshuar për kryerjen e veprave penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Prostitucioni”.

DOSJA E PLOTE E PROKURORISE
PROKURORIA TIRANE KËRKESË
Për vleftësimin e arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit.

Në Prokurorinë e Rrethit Tiranë, nga ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë në datë 05.11.2014 janë sjellë materialet që kanë të bëjnë më arrestimin në flagrancë të shtetasve;
- Kostandin Xhuvani i datëlindjes 1989, lindur me banues në Tiranë, si person i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja ne rrethana te tjera cilesuese”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve dhe municionit luftarak” parashikuar nga nenet 79/dh dhe 278/4 te Kodit Penal.
- Erald Sida, i datëlindjes 1990 lindur dhe banues ne Tirane, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Moskallzimi i Krimit” dhe “Prostitucioni” parashikuar nga nenet 300/1 dhe 113/3 te Kodit Penal

Nga aktet e procedimit penal nr.8078, rezulton se, me date 04.11.2014 rreth ores 04.20 është njoftuar Salla Operative e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë se ne vendin e quajtur Rruga e Elbasanit në lokal “Ante Grand” ka ndodhur nje konflikt i armatosur. Pas këtij momenti autopatrulla e Komisariatit të Policisë nr.1 , e cila ka qenë në afërsi ka shkuar në afërsi të lokalit ku në rrugën kryesore ka konstatuar një automjet Mercedes ML me targa TR0250N në të cilin po hipnin disa persona. Nga ana e autopatrullës është bërë bllokimi i mjetit tip Benz ML dhe në këtë moment një person i veshur me kostum tuta gri ka dale nga automjeti dhe është larguar me vrap duke mbajtur një pistoletë në dorë. Ky person është ndjekur nga punonjësi i policisë, i cili pas rreth 50 metrash e ka neutralizuar personin e veshur me tuta gri. Pas shoqërimit në polici dhe verifikimit te identitetit ka rezultuar se ky person është shtetasi Kostandin Gjergj Xhuvani i datëlindjes 24.06.1989.

Nga kqyrja e vendit te ngjarjes ka rezultuar se : Vendi i ngjarjes eshte Bar “Ante Grand” ne rrugën e Elbasanit përballë Fakultetit te Gjuhëve të Huaja. Vendi i ngjarjes eshte konkretisht lokali i sipërcituar i cili është nje bodrum i përshtatur si lokal natë. Për të hyrë në lokal janë shkallët zbritëse. Në ambientin e brendshëm përballë shkalleve janë gjetur të shtrirë me shpinë ngjitur njëra tjetrës kufomat e dy shtetasve dhe konkretisht te Edison Jahaj dhe Enea Xhaj. Prane kufomave është gjetur një armë zjarri pistolete model 54 me një fishek në fole dhe gjashtë fishekë me kreher te kalibrit 7.62mm. Gjithashtu ne ambientin e brendshem te lokalit jane gjetur te shperndara ne forme te ç’rregullt gjashte gezhoja dhe predha te demtuara. Nga kqyrja e ketij ambjenit jane gjetur fiksuar dhe sekuestruar ne cilesine e proves materiale disa gota qelqi, shishe birre, paketa cigaresh, bishta cigaresh te cilat mendohet se jane konsumuar nga personat e dyshuar dhe viktimat. Ne ambientet e jashtme te ketij lokali dhe konkretisht ne anen veriore te rruges se Elbasanit përballë hyrjes se lokali eshte gjetur nje automjet me targa TR0250N me dyer te hapura ku ne ndenjesen e pasme eshte gjetur i pajete trupi i shtetasit Arber Demiraj. Po keshtu, ne distance 52 metra nga hyrja e lokalit ne oborrin e Fakultetit Ekonomik, eshte gjetur e hedhur ne toke nje armë zjarri pistolete model 54 me numra te fshire ne menyre mekanike me kreher te vendosur dhe pa fisheke. Vendi ku eshte gjetur pistolete korrespondon me vendin ku eshte bere neutralizimi i shtetasit Kostandin Xhuvani.

Nga aktet hetimore ka rezultuar se mes Kostandin Xhuvani, Arber Demiraj, Erald Side e Alban Ballcaj kanë shkuar në lokal ku janë ulur në tavolinën e fundit të tij, e cila rezulton se ishte pranë një koltuku në të cilin ishin ulur shtetasit Edison Jaho e Enea Xhaj. Mes shtetasve Kostandin Xhuvani, Arber Demiraj, Erald Side e Alban Ballcaj dhe shtetasve Edison Jaho e Enea Xhaj ka patur një konflikt. Gjatë këtij konflikti shtetasit Kostandin Xhuvani e Arber Demiraj kanë patur edhe armë zjarri me vete. Pas ndërhyrjes së shtetasit Anton Binaku, roje sigurie në lokal shtetasit e sipërcituar kanë dalë nga lokali dhe janë futur menjëherë në lokal me pistoleta në duar. Nga dëshmitë e shtetasve ka rezultuar se personi që ka qëlluar me armë zjari ka qënë shtetasi Kostandin Xhuvani dhe si rezultat i të shtënave kanë humbur menjëherë jetën shtetasit Edison Jaho, Enea Xhaj e më pas Arber Demiraj, i cili është gjetur i vdekur në mjetin në të cilin po e vendosnin shokët e tij dhe më pas në spital edhe shtetasi italian Gianpaolo Azzola.

Sipas aktit të ekspertimit kimik gjurmëkopjuesish datë 05.11.2014 ka rezultuar se;

Në natribanët objekt ekspertimi marrë shtetasve, Erald Sida, Alban Bllacaj, Arben Shuaipi, Admir Hyseni, Anton Binaku dhe Andrea Omiro, nuk u evidentuar prania e nitriteve të cilat janë të pranishëm dhe tek mbeturinat e faktorëve plotësues të qitjes me armë zjarri.
Në naterbanin e dorës së djathtë, objekt ekspertimi, marrë shtetasit Kostandin Xhuvani u evidentuar prania e nitriteve të cilat janë të pranishëm dhe tek mbeturinat e faktorëve plotësues të qitjes me armë zjarri.

Sipas aktit të ekspertimit tekniko balistik datë 05.11.2014 ka rezultuar se;

Gjashtë gëzhojat objekt ekspertimit i përkasin pjesëve të fishekëve luftarakë të përdorura nga fishekët standartë luftarake të model 54 me kaliber 7.62.
Në sipërfaqen e jashtme të gëzhojave objetkt ekspertimi u evidentuan gjurmë të lëna nga pjesë dhe mekanizma të armës që i ka qitur ato.
Katër predhat objekt ekspertimi përkasin pjesëve të fishekëve luftarakë të modelit 54 kalibër 7.62
Në sipërfaqen e jashtme të këmishuar të katër predhave dhe një këmishë predhe objekt eksperttimi u evidentuarn gjurmë vjaskash të lëna nga vjaskat e tytës ë armës që i ka qitur ato..
Arma objekt ekspertimi është e fabrikuar pistoletë tip TT model 54 kalibër 7.62 me numër trup 14053073. Ajo paraqitet në gjendje të rregullt teknike dhe është e përshtatshme për qitje.
Arma objekt ekspertimi është e fabrikuar pistoletë tip TT model 54 kalibër 7.62 me numra të fshirë në trup dhe në djepin luajtës. Ajo paraqitet në gjendje të rregullt teknike dhe është e përshtatshme për qitje.
Në të dy armët objekt ekspertimi u evidentua prania e faktorëve plotësues të qitjes.
6 gëzhojat objekt ekspertimi janë qitur nga arma e zjarrit tip TT model 54 kalibër 7.62 me numra të fshirë në trup dhe në djepin luajtës.

Pra qitjet me të cilat është realizuar vrasja e katër shtetasve janë kryer nga arma e zjarrit, e cila i është sekuestruar shtetasit Kostandin Xhuvani.

Në mbështetje të kërkesave tona i paraqesim për shqyrtim gjykatës këto akte të hetimeve paraprake.
Procesverbal i kapjes në flagrancë.
Procesverbal për arrestin në flagrancë.
Procesverbal i sekuestrimit të sendeve.
Procesverbal i deklarimit të shtetasit.
Vendimet e ekspertimit .
Aktet e ekspertimit
Në rastin konkret, duke qënë se sanksionet ligjore që parashikon vepra penale e kryer përputhen me kriteret e parashikuara nga neni 251 e 252 të Kodit të Procedurës Penale, arrestimi në flagrancë i kryer ndaj të dyshuarit është kryer konform me ligjin.
Po kështu ekzistojnë kushtet dhe kriteret e përgjithshme e të veçanta për vendosjen e masave të sigurimit personal të karakterit shtrëngues, që parashikohen nga nenet 228, 229 e 230 të K.Pr.Penale.
Përsa i përket masës së sigurimit cmohet se masa e sigurimit arrest në burg parashikuar nga neni 238 i K.Penal është e vetmaj masë që i përgjigjet nevojave të sigurimit për vepat penale të kryera dhe për rrezikshmërinë penale të autorit të dyshuar të kryerjes së tyre, person me precedentë kriminale dhe i dënuar disa herë nga Gjykata.
Për sa më sipër bazuar i parashtrojme Gjykatës këtë

KËRKESË;
Të vleftësojë si të ligjshëm arrestin në flagrancë të kryer më datën 04.11.2014, ndaj të dyshuarit Kostandin Xhuvani, lindur dhe banues ne Tirane
Caktimin e masës së sigurimit arrest në burg sipas nenit 238 të K.Pr.Penale për të dyshuarin Kostandin Xhuvani.
Të vleftësojë si të ligjshëm arrestin në flagrancë të kryer më datën 04.11.2014 ndaj të dyshuarit Erald Sida i datelindjes 1990, lindur dhe banues ne Tirane .
Caktimin e masës së sigurimit arrest në burg sipas nenit 238 të K.Pr.Penale për të dyshuarin Erald Sida.
(ma.ar/BalkanWeb)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>