Vizita e kryeministrit të Shqipërisë në Beograd është historike vetëm për faktin që realizohet pas 68 vitesh. Takimi Rama Vuciq nxori në pah dallimet shumë të mëdha mes Tiranës dhe Beogradit për çështjen e Kosovës.Kryeministrat Edi Rama dhe Aleksandar Vuciq nuk e kursyen aspak njëri-tjetrin. Takimi kokë më kokë dhe sidomos konferenca e përbashkët për shtyp nxori në pah dallimet e tyre themelore për çështjen e Kosovës, si një prej parakushteve kryesore për normalizimin e plotë të raporteve shqiptaro-serbe në Ballkan. Para më shumë se 200 gazetarëve të mbledhur në Pallatin Serbia, Rama dhe Vuciq shkëmbyen fjalë aspak diplomatike. Për “befasinë e madhe” të Vuciqit, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama foli shumë hapur edhe për çështjen e Kosovës.
“Për çështjen e Kosovës ne kemi qëndrime krejtësisht të ndryshme. Por realiteti është një dhe i pamohueshëm: Kosova është shtet i pavarur dhe ky proces nuk mund të ndalet. Shumica e vendeve e kanë njohur pavarësinë, por disa vende të tjera ende jo. Realiteti duhet të respektohet edhe nga Serbia”, theksoi Rama, duke shtuar se “pavarësia e Kosovës e ka bërë rajonin e Evropës Juglindore më të sigurt. Ndaj edhe njohja e pavarësisë së Kosovës është një çështje sigurie e rajonit”.
Vuciq: Këto janë provokime
Në shenjë proteste ndaj fjalëve të Ramës, Aleksandar Vuciq i hoqi kufjet me përkthim nga gjuha shqipe në serbisht dhe nuk i dëgjoi më tutje fjalët e Ramës, kur ai foli për mbështetjen e Tiranës zyrtare të dialogut mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë; për mundësitë e bashkëpunimit të këtyre dy vendeve duke shkëmbyer të rinj, ide, përvoja dhe për domosdoshmërinë e intensfikimit të komunikimit dhe marrëdhënieve, me synim anëtarësimin në BE. Vuciq nuk dëgjonte përkthimin as në momentin kur Rama bëri të ditur se kryeministri serb është i ftuar që vitin e ardhshëm të vizitojë Tiranën (ndonëse ende nuk është caktuar ndonjë datë e saktë). Kryeministri serb mezi priti të merrte fjalën, pas një pyetje të gazetarëve.
“Nuk kam pritur që zoti Rama të flasë për Kosvën dhe Metohinë, sepse për këtë çështje nuk kam çka të bisedoj me Shqipërinë. Unë e kam për detyrë të mbroj interesat e Sebisë dhe askujt nuk do t’i lejoj ta përulë Serbinë”, tha Vuciq dhe nënvizoi: “Kosova dhe Metohia janë pjesë e Republikës së Serbisë”.
Rama: Kosova e pavarur realitet
Qëndrimet e kryeministrit Rama për Kosovën Aleksanar Vuciq i quajti “provokim” dhe “incident”. “Megjithë këtë incident, ne do ta vazhdojmë këtë vizitë”, theksoi kryeministri serb. Ndërsa kreu i qeverisë shqiptare tha se “Realiteti mbetet një dhe i pandryshueshëm: Kosova është vend i pavarur, i njohur prej më shumë se gjysmës së vendeve të botës. Të dy kryeministrat ishin të mendimit se “e vërteta duhet të thuhet në sy”, por kjo e vërtetë në çështjen e Kosovës shikohet ndryshe në Tiranë dhe në Beograd.
Marrëveshjet nën hije dallimeve
Nën hijen e shkëmbimit të fjalëve kundërthënëse rreth Kosovës, Rama foli edhe për gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke theksuar se ata “duhet të jenë urë lidhëse mes vendeve tona”. Të njëjtat qëndrime kishte dhe Vuciq, i cili tha se minoriteti shqiptar në Serbi dhe ai serb në Shqipëri, duhet të jenë urë lidhëse. Kryeministrat ishin dakord edhe sa i përket nevojës për shtimin e shkëmbimit tregtar mes dy vendeve (shkëmbimi aktual arrin vlerën prej rreth 100 milionë eurosh). Qytetarët e Shqipërisë dhe Serbisë pritet të udhëtojnë në të ardhmen në këto vende vetëm me letërnjoftime. Ata duhet të shkëmbejnë përvoja dhe duhet të punojnë në projekte të përbashkëta, që do të ndertohen me paratë e Bashkimit Evropian. Por konferenca për shtyp përfundoi pa shtrëngimin normal dhe formal të duarve mes Ramës dhe Vuciqit, që dëshmonte një “ofendim” të madh të kryeministrit serb.
Analistët: Skandal i Ramës
Në reagimet e para pas konferencës për shtyp, të dy delegacionet ishin të befasuara me kahjen e paraqitjes para gazetarëve. Delegacionet kanë pritur një takim të rëndë, por jo edhe mosmarrëveshje të hapura dhe deklarata kundërthënëse para gazetarëve. Deklaratat e Ramës për Kosovën, në 35t serbe quhen “skandaloze” dhe “keqpërdorim i mikëpritjes serbe”. Ndryshe, rastësisht apo jo, në Radio Televizionin e Serbisë, gjatë transmetimit të drejtëpërdrejtë, nuk ka pasur fare përkthim të fjalëve të Ramës.
Më pas, kryeministri shqiptar ishte mysafir në një tryezë të rrumbullakët, të organizuar nga Forumi për Marrëdhënie Etnike dhe Fondi për Shoqëri të Hapur. Ai foli për domosdoshmërinë e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Serbisë, sidomos kur dihet perspektiva dhe synimi evropian i të dy vendeve.
Shanset për bashkëpunim ekonomik
“Fatet tona janë gjithnjë e më të lidhura dhe varen nga sukseset e palës tjetër. Tani kemi një shans për ndërtimin e raporteve të reja, sepse pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit më nuk kemi konflikte kufitare”, theksoi Rama. Kryeministri i Shqipërisë tha se Ballkani ka nevojë për Evropën, por edhe Evropa për Ballkanin. Ndaj vendet e këtij rajoni duhet të bashkëpunojnë dhe të prezantohen së bashku me projekte para BE. “Kur flasim për ardhmërinë, ajo fillon sot”, tha ai duke shtuar se takimi mes kryeministrin Vuciq ka qenë i vështirë, por edhe i frytshëm.
Gjatë ditës së marte Rama dhe delegacioni i Shqipërisë, në të cilin janë edhe ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe ai i Ekonomisë Arben Ahmetaj, do të vizitojë Luginën e Preshevës. Atje do të kenë takime me këshilltarët dhe krerët e bashkisë dhe do të kenë një paraqitje para qytetarëve. Mesazhi në Beograd ishte se shqiptarët në Luginën e Preshevës duhet të jenë urë lidhëse mes Serbisë dhe Shqipërisë. Por atje ka nevojë për përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe respektimin më të denjë të të drejtave të njeriut. (dw)