I ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” Prof. Dr. Perikli Qirjazi i dha përgjigje një sërë pyetjesh mbi përmbytjet e ditëve të fundit në vendin tonë.Profesor Qirjazi ka shpjeguar me detaje se si dora e njeriut ka ndikuar direkt në përmbytjet e fundit.
Ai ka shtuar se rreziku më i madh për këto zona nuk është Vjosa apo Semani, por deti. Qirjazi është shprehur se fshatra si Darzeza apo Novosela rrezikojnë të zhduken në rast të një ngritje të nivelit të detit deri në 95 cm.
Për të shmangur pasojat katastrofike, ai deklaroi se duhet të mendohet për një strategji afatgjate për zhvendosjen e popullsisë së këtyre zonave.
Pandi Gjata: Profesor, ju i keni ndjekur përmbytjet e fundit në disa zona të vendit. A është ky një fenomen natyror i pritshëm dhe nga se shkaktohet? Domethënë a kanë ndryshuar rrethanat, në klimë, mjedis, etj?
Perikli Qirjazi: Padyshim që e kam ndjekur situatën e rëndë të krijuar në vend, jo vetëm si qytetar, por edhe si studiues. Fenomeni në radhë të parë është një dukuri natyrore dhe lidhet me ngjarjet e jashtëzakonshme meteorologjike. Shirat kapën hapësira shumë të gjëra, të gjithë pellgun ujëmbledhës të Vjosës dhe të Semanit dhe që zgjatën për një kohë relativisht të gjatë. Rezultati ishte nxjerrja e Vjosës dhe e Semanit nga shtrati natyrorë, duke shkaktuar përmbytje të përmasave të mëdha.
Pandi Gjata: Çfarë ka ndodhur me lumin e Vjosës? Sa ka ndikuar dora e njeriut?
Perikli Qirjazi: Në dhjetëvjeçarin e fundit po vihet re shtimi i ngjarjeve jo të zakonshme, të cilat kanë goditur territore të ndryshme të rruzullit tokësor. Në 2005, në Samitin e Specialistëve të Klimës ku u theksua në mënyrë të veçantë, “nëse në do të vazhdojmë ta trajtojmë mjedisin siç po bëjmë, do të përballemi me dimra polarë dhe me verëra sahariane, pra do të përballemi me situata të jashtëzakonshme. Kjo gjë është vërtetuar që nga 2005 deri në ditët e sotme, ku ngjarjet e jashtëzakonshme po përsëriten. Ngrohja globale e klimës po prish mekanizmin e zakonshëm të qarkullimit të masave ajrore. Athina ka pasur probleme me pluhurin e ardhur nga Saharaja. Masat ajrore të nxehta, nga pjesa veriore e Afrikës depërtuan deri në gjerësitë tona, ku gjetën masa ajrore me temperatura shumë më të ulëta.
Pandi Gjata: A është dora e njeriut ajo që po e shkakton të gjithë këtë situatë?
Perikli Qirjazi: Dora e njeriut, por në shkallë globale. Duke shtuar sasinë e gazrave me efektin serë po prishet qarkullimi i masave ajrore, kjo e shoqëruar me ardhjen e këtyre fenomeneve të jashtëzakonshme.
Pandi Gjata: Për ta rikthyer bisedën te Vjosa. Çfarë ndodhi me daljen e këtij lumi nga shtrati?
Perikli Qirjazi: Vjosa është lumi më i madh që ne kemi në pjesën jugore. Pellgu i tij ujëmbledhës është mbi 6700 kilometra katrorë, nga të cilat 2300 kilometra janë jashtë kufirit. Sektori i sipërm i pellgut ujëmbledhës të Vjosës, ku relievi është tepër i thyer, është dëmtuar dhe vazhdon të dëmtohet bimësia. Bimësia e ngadalëson futjen e ujit në shtrat. Pra, nëse bien reshje intensive bimësia pyjore shton sasinë e ujit që depërton në thellësi të tokës, i cili më pas do kohë të kalojë në shtratin e lumit. Në pellgun ujëmbledhës të Vjosës bimësia është dëmtuar dhe kjo e ka rritur shpejtësinë e futjes së ujit në shtratin e Vjosës. Ky ujë përcillet në sektorët e mesëm dhe përfundon në sektorin e poshtëm, ku problemi shfaqet me përmasa të kësaj natyre. Gjithashtu shtrati i Vjosës është me dredhime të mëdha, të cilat e pakësojnë kapacitetin përcjellës të ujit.
Pandi Gjata: Ju keni kryer një studim për mjedisin në Shqipëri, por njihni edhe atë se çfarë ndodh jashtë vendit. A mendoni se dora e njeriut këtu te ne e ka dëmtuar më shumë mjedisin?
Perikli Qirjazi: Natyrisht që e ka dëmtuar. Dëmtimi i bimësisë është i lidhur me këtë dukuri.
Pandi Gjata: Përveç përmbytjeve, çfarë problematikash të tjera mund të kemi?
Perikli Qirjazi: Ngrohja globale e klimës ka një pasojë tjetër të madhe për Darzezën dhe fshatrat e tjera që janë dhe që e pësuan më shumë në ngjarjet e fundit. Ngrohja e klimës shkakton shkrirje të akujve, që shoqërohet me shtimin e sasisë së ujit në oqean. Gjatë shekullit të kaluar niveli i oqeanit botëror u ngrit me 15 centimetra për këtë shkak. Agjencia amerikane e Mjedisit thekson se në këtë shekull niveli i oqeanit do të ngrihet nga 15 deri në 95 cm. Nëse kjo do të realizohet do të ketë pasoja katastrofike në shkallë globale dhe konkretisht në vendin tonë. Fshatra si Darzeza, Novosela e të tjera do të jenë të gjitha nën ujë. Problemi është Vjosa, por jo pak probleme vijnë edhe nga deti.
Pandi Gjata: Paralajmërimet kanë ardhur gati dhjetë vjet më parë. Ku mendoni se duhet të ndërhyhet?
Perikli Qirjazi: Si fillim duhet të ndalet dëmtimi i bimësisë në pellgun ujëmbledhës. Duhet të bëhet një plan afatgjatë për të ripyllëzuar ato sektorë që janë krejtësisht të zhveshura. Në sektorin e poshtëm të lumit duhet punuar për të rritur kapacitetin përcjellës. Duhen mirëmbajtur argjinaturat e ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, duhet mirëmbajtur i gjithë sistemi kullues. Ne kujtohemi për problemin vetëm kur ai ndodh.
Pandi Gjata: A kemi ne një strategji për të eliminuar efektin e dëmeve që na vijnë nga përmbytjet, por edhe nga fatkeqësi të tjera të natyrës?
Perikli Qirjazi: Do të ishte shumë mirë të kishim një strategji të tillë. Ne jemi një vend i vogël dhe nuk krijojmë ndonjë problem të madh në ngrohjen globale. Megjithatë ne duhet të marrim pjesë në luftën që po bëhet nga të gjithë ambientalistët për ta pakësuar këtë sasi. Paratë e shpenzuara për kompensimin e dëmit mund të ishin përdorur për të zhvendosur këto qendra të banuara në zona më të sigurta. Të gjitha gjasat janë që niveli i detit të ngrihet në 95 cm. Ato zona janë në një lartësi jo më shumë se 1 metër nga niveli i detit.
Pandi Gjata: Pra, strategjia duhet të fillojë në zhvendosjen e banorëve të këtyre zonave…
Perikli Qirjazi: Unë mendoj që duhet një strategji afatgjate. / Top Channel