Tre persona kanë humbur jetën si pasojë e motit të keq në të gjithë vendin. Mësohet se babë e bijë humbën jetën në qendër të Laçit, pasi makinën me të cilën udhëtonin e ka marrë rrjedha e ujit, ndërsa në Kurbin si pasojë e shembjes së një ure ka humbur jetën një i ri 22-vjeçar.Gjon Kola, ish-drejtor shkolle në Laç është nxjerrë i pajetë nga makina, ndërsa disa orë pas kërkimeve nga ekipet e emergjencës, konkretisht rreth orës 01:20 pas mesante, është gjetur edhe trupi i pajetë i vajzës së tij rreth 23 vjeç, Dorina Kola. Mësohet se trupi i vajzës është gjetur në Sanxhak, rreth 2 km nga vendi ku makina me të cilën udhëtonin babë e bijë u përfshi nga rrjedha e ujit.
Ndërkohë, në fshatin Skuraj të Kurbinit si pasojë e shembjes së një ure ka humbur jetën 22-vjeçari Liman Balluku të cilin e ka marrë rrjedha e ujit. Ekipet e forcave të kërkim-shpëtimit vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit.
Në Lundër të Tiranës si pasojë e përmbytjeve 4 persona kanë mbetur të bllokuar për disa orë në tarracën e banesës së tyre pranë Arkivës Qëndrore. Shërbimi zjarrfikës ka bërë të mundur evakuuimin e 4 banorëve të bllokuar, të cilët fatmirësiht janë në gjendje të mirë shëndetësore.
PËRMBYTJA NË SHKOZË, BOZDO: QEVERIA TË ZHBLLOKOJË PROJEKTIN PËR LUMIN E TIRANËS
Ora 11:43- Nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo ka inspektuar sot urën e Shkozës për të parë nga afër situatën e krijuar nga përmbytjet.
“Stafi i bashkisë ndodhet në terren për të evidentuar situatën”, tha ai ndërsa shtoi se Bashkia ka një plan për rehabilitimin e lumit të Tiranës, projekt ky, që siç shtoi, numri dy i Bashkisë, mbahet i bllokuar nga qeveria.
“I bëjmë thirrje qeverisë të zhbllokojë projektin”, tha Bozdo.
Bozdo ndër të tjera tha se bashkia ka ngritur një shtab emergjence për konstatimin e dëmeve.
TAHIRI DHE KODHELI MË LEZHË, MBLIDHET SHTABI I EMERGJENCËS NË PREFEKTURË
Ora 11:00 – Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka mbërritur në Lezhë rreth mesditës, ku ka mbledhur Shtabin e Emergjencës, lidhur me masat e marra në përballimin e situatës së përmbytjeve në këtë qark, si pasojë e reshjeve të dendura të një dite më parë, ku u regjistruan edhe tre viktima. Ministri Tahiri ka urdhëruar ngritjen e Shtabeve të Emergjencës në zonat problematike.
Ndërkohë në Lezhë ndodhet edhe ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, e cila theksoi se forcat e ushtrisë janë të angazhuara në Lezhë dhe komunën Kolsh, për tu ardhur në ndihmë banorëve. Sipas Kodhelit, Forcat e Armatosura kanë punuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës.
“Kemi ndërhyrë dhe në qytetin e Tiranës. Shpëtuam arkivin e sigurimeve shoqërore në Tapizë”- deklaroi Kodheli.
POLICIA LEZHE: MOTI I KEQ, JA SI U MBYTËN 3 VIKTIMAT
Ora 10:30 – Si pasojë e motit të keq më datën 18.11.2014 në gjithë Qarkun e Lezhës duke filluar nga ora 15.00 e ditës së djeshme e deri në mesnatë ka pasur shira të rrëmbyshëm. Nisur nga situata e krijuar është ngritur grupi i emergjencës në bashkëpunim me Prefekturën dhe Bashkinë e Lezhës. Si rezultat i kësaj situate ka mbërritur në Drejtorinë e Policisë së Qarkut edhe një grup nga Drejtoria e Pergjithshme e Policise si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Për përballimin e kësaj situate janë angazhuar rreth 300 forca Policie me 10 automjete , ku në ndihmë të policisë së Lezhës kanë ardhur edhe forcat e FNSH . Forcat e policisë janë shpërndarë në gjithë territorin në bashkëpunim dhe me forcat e zjarrfikëses ku kanë bashkërenduar punën për tu ardhur në ndihmë banorëve të dëmtuar nga përmbytjet.
Si rezultat i shirave te rrëmbyeshëm hidrovori nuk ka punuar, pasi ka qenë e stakuar energjia si rezultat i përmbytjes së nënstacionit elektrik. Prurjet në qytetin e lezhës dhe Kurbinit kanë qenë të mëdha e për pasojë ka patur dëme të medha materjale dhe tre viktima në rrethin e Kurbinit , ku forcat e policisë kanë punuar deri në orët e para të ditës së sotme për të nxjerr viktimat nga uji.
Më datë 18.11.2014, rreth orës 20.30, në afërsi të Bankës Raiffesien, në qytetin Laç, Kurbin, është marrë nga rrjedha e ujit si pasojë e reshjeve të rëna mjetin ËË veturë në të cilën ndodhej shtetasi Gjon Zef Kola, vjeç 60, banues në Laç,Kurbin si dhe vajza e tij shtetësja Dorina Kola, 26 vjeçe, banuese në Laç, Kurbin. Në afërsi të ish komunales në Laç, është gjetur mjeti si dhe shtetasi Gjon Kola i vdekur, ndërsa vajza e tij është gjetur e vdekur në ora 01.04, datë 19.11.2014.
Më datë 18.11.2014, rreth orës 23.30, në Gallatë, Kurbin, shtetasi G N, vjeç 15 , banues në Malbardhë, Kurbin, ka qenë duke drejtuar një çiklomotorr ku si pasagjer ka patur shtetasin Liman Balloku, vjeç 21, banues në Vinjollë, Kurbin, të cilët janë marrë nga rrjedha e ujit nga ku drejtuesi i mjetit shtetasi G N ka arritur të dalë i ndihmuar nga banorë të zonës dhe forcat e policisë ndërsa shtetasi Liman Balloku, është gjetur i vdekur në ora 00.30, datë 19.11.2014.
Si rezultat i pushimit të reshjeve pas mesnatës hidrovorët kanë filluar të punojnë dhe situata në ditën e sotme është drejt normalizimit.
UKT: TURBULLOHEN BURIMET E BOVILLËS SË VJETËR NGA RESHJET E SHIUT
Ora 10:20- Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë bën me dije se si pasojë e reshjeve të dendura janë turbulluar burimet e Bovillës së vjetër. Për pasojë, UKT-ja bën me dije se do të ketë ndërprerje të furnizimit me ujë në disa zona. Kështu do ndërpritet uji i pijshëm në Babrru, nga reparti 3700 deri në Kinostudio. Ndërprerje do të ketë edhe në Komunën e Zall-Herrit
SITUATA, MBLIDHET GRUPI KOORDINATOR NË KRYEMINISTRI
Menjëherë pas gjendjes së krijuar nga reshjet e dendura të shiut në disa zona të vendit, nën drejtimin e Zëvendëskryeministrit Niko Peleshi, u mblodh grupi koordinator në Kryeministri, i cili po ndjek situatën në mënyrë të vazhdueshme.
Në përbërje të grupit janë: Ministri i Punëve të Brendshme; Ministri i Energjisë dhe Industrisë; Ministrja e Mbrojtjes; Ministri i Bujqësisë dhe Ministri i Shëndetësisë. Prej disa orësh, në zonat e rënduara si pasojë e reshjeve të forta ndodhet Ministri i Bujqësisë, i cili po ndjek situatën në terren.
Gjithashtu, në terren janë angazhuar forca dhe mjete logjistike të Ushtrisë, për t’i ardhur në ndihmë shtabeve të emergjencave civile të ngritura në çdo qark.
Grupi koordinator po monitoron orë pas ore të dhënat e ardhura nga të gjitha shtabet e emergjencave civile të çdo qarku dhe siguron qytetarët e zonave të prekura që janë ndërmarrë të gjitha masat e duhura, për të përballuar çdo situatë eventuale.
SITUATA NE TE GJITHE VENDIN
QARKU LEZHË:
Në qarkun e Lezhës vazhdojnë reshjet por me intensitet të ulët. Në Nënstacionin e Lezhës po punojnë 5 mjete zjarrfikëse, të cilat kanë ardhur nga Shkodra dhe Tirana në ndihmë të zjarrfikësve të Lezhës dhe po punojnë për largimin e ujërave. Në nënstacion niveli i ujërave është rreth 0,80 m. Gjithashtu në Nënstacion po punojnë edhe punonjësit me mjete nga OST, të cilët po kontrollojnë pajisjet e Nënstacionit për ti vënë në gadishmëri, pas largimit të ujit.
Në Nënstacion kanë shkuar edhe Prefekti i Lezhës dhe Shkodrës të cilët kanë mbledhur bashkërisht të dy komisionet e emergjencave të qarqeve me të gjithë punonjësit e administratës dhe forca nga Ndërmarrjet Rajonale që funksionojnë në territoret e qarqeve.
Në komunat Balldren, Blinisht, Shëngjin, aktualisht reshjet kanë intensitet të dobët, por vihen re prezencë e ujit në nivelet 30- 50 cm në një pjesë të mirë të zonave.
Në qytetin e Rrëshenit për shkak të daljes së ujërave të lumit Fan, ka përmbytje në 5 banesa dhe 1 banesë në qytetin e Rubikut. Sipas informacioneve të tanishme reshjet kanë pushuar dhe ujërat e lumit po ulen. Kryetarët e komunave kanë mbledhur Komisionet e Planifikimit dhe Përballimit të Emergjencave Civile, të cilët po analizojnë situatën e krijuar dhe po marrin masat për përballimin e gjendjes.
QARKU TIRANË
Në Bashkinë e Tiranës ka probleme në disa zona të qytetit. Njësia nr.1: Në rrugët “Ali Demi”, “Shemsi Haka”, te ura e Poligrafikut ka përmbytje për shkak të daljes së ujërave nga shtrati i Lanës.
Njësia nr.2: Rruga “Gramos Pashko” dhe zona e “Qytetit Studenti” kanë përmbytje dhe ujërat janë futur në disa banesa.
Njësia nr.3: Në “Kodrën e Priftit”, në “Rrugën e Kokonozve”, rruga “Bardhyl”, rruga “Qemal Stafa” ka probleme nga dalja e ujërave sipërfaqësore.
Njësia nr.4: Tek Bregu i Lumit, në Allias, për shkak të daljes nga shtrati të lumit të Tiranës ka përmbytje në disa banesa dhe në rrugët sekondare në mes pallateve.
Njësia nr.5: Në rrugën “Sami Frashëri”, rrugën “Komuna e Parisit” dhe rrugën “Medar Shtylla” ka dalje të ujërave sipërfaqësore për shkak të rrjedhjes nga kodra e Diellit.
Njësia nr.6: Ka përmbytje gjithë lagjja “Shaban Bardhoshi” sepse ujrat e kanalit kullues kanë dalë jashtë shtratit.
Njësia nr.9: Rruga “Don Bosko” ka përmbytje, pasi ka dalje ujrash nga mospërballimi i tyre prej kanaleve ekzistuese.
Qarqet Shkodër, Durrës, Elbasan, Korça, Fieri, Vlorë, dhe Gjirokastër nuk kanë problem me reshjet e shiut.
Ministria e Punëve të Brendshme u bën thirrje të gjithë qytetarëve në zonat e rrezikuara nga rreshjet e shumta, që të evitojnë daljen nga banesat e tyre, apo udhëtimet në akset rrugore dhe për çdo rast rreziku të njoftojnë menjëherë në sallat operative të policisë, në numrin 129.
BASHKIA: PROBLEME NGA RESHJET NË DISA SHKOLLA
Ora 09:33- Bashkia e Tiranës ka dhënë sot informacione për situatën e krijuar nga shirat e rrëmbyeshëm të natës së mbrëmshme në disa shkolla në Tiranë.
Raportohet se probleme ka në shkollën “Sabaudin Gabrani”, “Qazim Turdiu” dhe “Lasgush Poradeci”.
Sipas Bashkisë, situata nëpër çerdhe nuk është problematike.
PËRMBYTEN 50 BANESA NË LIBOFSHË, EVAKUOHEN 4 FAMILJE
Ora 09:16- Rrebeshi i shiut të rënë gjatë mbrëmjes së djeshme ka përmbytur edhe 5 banesa në fshatin Libofshë të Fierit. Nga vendngjarja raportohet se 25 prej tyre janë të banueshme, ndërkohë që deri më tani janë evakuuar edhe 4 familje.
SHËMBET URA NË KOMSI TË MATIT, 340 NXËNËS PA SHKOLLË
Ora 09:10- Si pasojë e motit të keq me reshje të dendura shiu ka pasur dëme edhe në rrethin e Matit. Kështu, kryetari i komunës Komsi ka konfirmuar për News 24 shembjen e urës që lidh këtë komunë me rrugën kryesore.
Për pasojë 340 nxënës kanë mbetur të izoluar, pa mundur të shkojnë në shkollë.
MOTI I KEQ, UKT NJOFTON PËR KUFIZIME TË FURNIZIMIT ME UJË NË DISA ZONA
Si pasojë e motit të keq Ujësjellës Kanalizime Tiranë ka njoftuar se në disa zona të Tiranës do të ketë kufizime të energjisë për shkak të ndërprerjes së energjisë në në disa stacione të pompimit, konkretisht në stacionin e pompimit në “Qafë Mollë’, “Selitë’, “Borxull’.
UKT bën me dije se si pasojë e këtyre avarive do të ketë kufizime me ujë të pijshëm tek “Komuna e Parisit’, zona e “Senatoriumit’, “Saukut’, “Qyteti Studenti’, “Tirana e Re’, zona e “Ish- Bllokut’, si dhe tek rruga “3 Dëshmorët’ në Yzberisht. UKT njofton se kufizimet në këto zona do të zgjasin deri në riparimin e avarive të shkaktuara si pasojë e përymbytjeve.
PREFEKTURA TIRANË: BANORËT E SHKOZËS DHE LUNDRËS TË STREHOHEN NË SHKOLLA
Prefekti i Tiranës, Sadi Vorpsi mblodhi komisionin e planifikimit të emergjencave për shkak të situatës së rënduar në kryeqytet si pasojë e përmbytjeve. Prefektura njofton se zonat më problematike janë Lundra dhe Shkoza, për pasojë banorët e këtyre zonave mund të strehohen në shkollat që kanë më afër.
Sipas prefekturës, Drejtoria Arsimore Rajonale ka hapur shkollat për banorët e këtyre zonave deri në normalizimin e situatës. Bëhet me dije se shërbimi zjarrfikës dhe policia janë në gatishmëri të plotë për përballimin e situatës.
BASHKIA TIRANË: SITUATË EMERGJENTE NË BREGUN E LUMIT
Bashkia e Tiranës njofton se në Bregun e Lumit, në njësinë bashkiake numër 11 situata është alarmante dhe është e domosdoshme ndërhyrja e forcave të ushtrisë dhe policisë për të ndihmuar banorët e përmbytur. Sipas Shtabit të Emergjencave Civile në Bashki në rrugën “Siri Kodra’, “Hamdi Pepa’, në zonën e “Ish Kombinatit Tekstil’ dhe pallatet “Çabej’ disa familjeve u është futur uji në banesa, ndërsa janë dëmtuar dhe disa biznese. Punonjësit e bashkisë po ndihmojnë banorët në zonën e Bregut të Lumit.
(d.d/ma.ar/er.nu/BalkanWeb)