Kryeministri Edi Rama, duke e quajtur akt terrorist vendosjen e bombave në Tiranë, i konsideroi reagimet e opozitës pas ngjarjes si mjaft të ulëta dhe në anën e krimit. Duke folur në Kuvend, në seancën plenare të ditës së enjte, Kryeministri u shpreh se krimi po përdoret si lëndë e parë fjalimesh nga politika.
“Menjëherë pas akteve të dhunshme, opozita sulmoi ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe familjen e tij, që ishin objekt i këtyre sulmeve. Opozita, jo vetëm që nuk e dënoi terrorin, por drejtori gishtin nga familja e ministrit, duke e bërë krimin partner të sajin”, tha Rama.
Sipas shefit të Qeverisë, kjo nuk është hera e parë që opozita reagon në këtë mënyrë, pasi gishti i akuzës është ngritur edhe kur u shkul ‘Republika e Lazaratit”, edhe kur u anuluan 53 mijë fatura abuzive të energjisë elektrike apo në aksione të tjera të zhvilluara muajt e fundit.
“Opozita të provojë në Gjykatë, akuzat ndaj meje”
Kryeministri Edi Rama njoftoi po ashtu se do të kërkohet kriminalizimi i shpifjes për shkak të detyrës.
Për këtë, sipas tij, janë bërë shkak akuzat e vazhdueshme që janë ngritur ndaj tij prej opozitës, ndërsa i kërkoi deputetëve të PD-së që të provojnë në Gjykatë akuzat e bëra deri më sot.
“Nëse akuzat vërtetohen atëherë unë jap dorëheqjen. Nuk ka vend në Evropë ku deputeti të bëjë akuza kriminale dhe prokurori mos e thërrasë. Shqipëria nuk mund të qëndrojë më në baltën e akuzave, që i kanë përdorur më herët vetëm komunistët dhe nazistës. Asgjë nuk do të na pengojë që të vazhdojmë luftën kundër krimit”, theksoi Kryeministri.
/ Top Channel