Kryeministri Edi Rama ka komentuar sot raportin e Bankës Botërore mbi lehtësinë e të bërit biznes në Shqipëri.Lajm i mirë për kë do Shqipërinë e punës dhe sipërmarrjes: Ngjitemi 40 vende në klasifikimin e Bankës Botërore për kushtet e bërjes biznes, shkruan kryeministri në Facebook.
BASHA: DEKLARATAT E RAMËS, KURAJO PREJ TË MBYTURI
“Gënjeshtra të pacipa të Ramës për raportin e Bankës Botërore mbi klimën e biznesit në vend. Përvetëson reformat tona që i sulmoi si opozitë, hesht për dështimet e tij si qeveri. Kurajo prej të mbyturi”, shkruan ai
Më tej Basha është shprehur se, “90% e qytetarëve luftojnë çdo ditë për bukën e gojës, 1 në 3 shqiptarë i zhytur ne borxh për konsumin e përditshëm, mbi 10 mijë biznese në prag falimentimi, papunësia në shifra alarmante. Rritje çmimesh, taksash dhe gjobash, dhunë policore, arbitraritet dhe paligjshmëri. Këto janë “arritjet” e Rama-Metës. Paradën e sukseseve imagjinare nuk e ha askush. Vendi rënkon, gjeli këndon majë plehut”.
RAPORTI
Në raportin e botuar dje mbi lehtësinë e të bërit biznes, Banka Botërore theksoi se në Shqipëri ky tregues është përmirësuar me 6.3 pikë, ndërsa në Kosovë me 1.8 pikë. Raporti vjetor, mbi praktikat më të mira për klimën e biznesit, arrin në përfundimin se gjatë vitit të kaluar, qeveritë në shkallë globale vazhduan të vënë në zbatim reforma të gjera për të përmirësuar sistemin rregullator në ndihmë të klimës për biznes.
Raporti thekson se ekonomitë që arrijnë përmirësim si në procedurat rregullatore, ashtu edhe në forcimin e institucioneve që mbështesin tregtinë, biznesin dhe sipërmarrjen e hapur, mundësojnë rritje dhe zhvillim më të fuqishëm.
(ma.ar/BalkanWeb)