Kryeministri komenton vizitën në Serbi. Cështja e Kosovës, Rama: “Keqardhje kur sheh njerëz që përpiqen ta mbulojnë diellin me shoshë”Kryeministri Edi Rama e cilësoi sot vizitën e tij në Serbi si një moment historik dhe një pikë kthese në marrëdhëniet mes dy vendeve. Lidhur me reagimet e palës serbe mbi deklarimet e tij për Kosovën, zoti Rama rikonfirmoi të njejtin pozicion duke shtuar se ajo që duhet të reflektojë mbi këtë cështje është pala serbe. Vizita e zotit Rama u cilësua sot si mjaft e rëndësishme dhe historike edhe nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë Aleksandër Arvizu.
Pas kthimit nga vizita e tij në Beograd dhe dje në Luginën e Preshevës kryeministri Edi Rama u shfaq sot në Tiranë për të folur sërish rreth saj dhe efekteve që ajo pati. Në kryeqytetin serb vizita shkaktoi tronditje për shkak të deklarimeve të zotit Rama rreth Kosovës. Ndër shqiptarët në rajon u shoqërua me entuziazëm dhe nota triumfalizmi, ndërsa në Shqipëri debatet dhe analizat u përqëndruan mbi rezultatin konkret të saj.
Vetë zoti Rama foli për një pikë khese të plotë në marrëdhëniet mes dy vendeve: “Padyshim e konsideroj këtë një moment me rëndësi historike. Për mua, vizita e ka përmbushur plotësisht qëllimin e saj, përsa na takon. U thye një akullnajë e shtresëzuar në dekada të gjata luftërash, konfliktesh, ndasish të pangushëllueshme në mes të Europës.Ne shkuam në Beograd me dorën e shtrirë të miqësisë dhe jemi sot më afër se ç’ishim para dy ditësh, edhe pse rruga që duhet të bëjmë për t’u bërë miq të vërtetë është shumë më e gjatë se rruga që bëmë këto dy ditë”.
Por ndërsa që të arrihet kjo miqësi do të duhet një kohë e gjatë, sic theksoi zoti Rama, partneriteti serioz dhe bashkëpunimi intensiv nuk mund të presin theksoi ai duke rishprehur angazhimin e palës shqiptare për të ecur përpara.
Takimet e tij në Beograd dhe afrimi mes palëve u duk se u errësua nga deklarimi publik i kryeministrit shqiptar për Kosovën, ndonëse më pas palët u ulën sërish duke finalizuar në mbrëmje edhe nënshkrim marëveshjesh të rëndësishme. Kryeministri Rama edhe sot nuk i hoqi asnjë presje qëndrimit të tij, ndërkohë që u shpreh i keqardhur nga reagimi i palës serbe: “Nuk ka si mos të të vijë keq, kur sheh njerëz që përpiqen ta mbulojnë diellin me shoshë, apo që e kanë të pamundur të hapin sytë, për të parë një realitet që është në sytë e të gjithëve. Dhe nuk jam unë që e krijoj problemin e tyre në raport me Kosovën, por janë ata që duhet ta zgjidhin këtë, si një problem të madh të vetvetes me të shkuarën dhe me të ardhmen e tyre”.
Një moment i vecantë ishte dhe vizita e djeshme në Luginën e Preshevës dhe pritja entuziaste që ju bë kryeministrit nga popullsia e shqiptarëve të atjeshëm, ndaj të cilëve kryeministri shprehu dhe një herë angazhimin për të garantuar të drejtat që atyre u takojnë: “I siguroj të gjithë motrat dhe vëllezërit tanë në Luginë, se nuk do të rresht dhe nuk do të rreshtim përpjekjet tona për të garantuar që ata të gëzojnë të njëjtat liri dhe të njëjtat të drejta që gëzojnë serbët në Veriun e Kosovës”.
Edhe ambasadori amerikan në Tiranë Aleksandër Arvizu e cilësoi si mjaft të rëndësishme vizitën ndërsa evitoi të përfshihej në polemikat që u nxitën mes palëve: “Për SHBA kjo vizitë ka qenë shumë e domethënëse, historike. 68 vjet është një kohë shumë e gjatë pritjeje që drejtuesit të zgjedhur të dy vendeve të rëndësishme fqinje të mund të takoheshin. Të shpresojmë që të dyja vendet do të mund të ndërtojnë mbi këtë vizitë. Le të shpresojmë që ata do të mund të punojnë me njëri-tjetrin që edhe zoti Vucic të vizitojë Shqipërinë në 2015. Kjo do të jetë diçka e rëndësishme për të dy vendet rajonin dhe të gjithë gjithë Europën.”
Një ditë më parë edhe zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të Komisionit europian për politikën e Jashtme Federica Mogherini e vlerësoi si një hap mjaft të rëndësishëm dhe fillimin e një faze të re në marrëdhëniet mes dy vendeve, viziten e kryeministrit Rama. (voa)