Kryeministri shqiptar Edi Rama theksoi në Beograd se pavarësia e Kosovës është një realitet i pamohueshëm, që i ka shërbyer sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Ka mjaftuar kjo fjali e kryeministrit shqiptar për të tensionuar konferencën e përbashkët për shtyp me shefin e qeverisë serbe, i cili ka hequr kufjen, duke mos e dëgjuar më deklaratën e homologut të tij.Kryeministri serb reagoi ashpër, duke e cilësuar si provokim deklaratën e Ramës për Kosovën. Duke përsëritur qëndrimin se Serbia do ta konsiderojë gjithnjë Kosovën si pjesë të sajën, Vuçiç tha se nuk do lejojë askënd që të ulë Serbinë në mes të Beogradit.
“Së pari nuk kam pritur një provokim dhe që do fliste për Kosovën. Nuk do ia lejoj askujt ta ulë Serbinë këtu në mes të Beogradit, më vjen keq që ka folur për tema që s’ishte parashikuar të flisnim. Kosova është pjesë e Serbisë. Është bukur të flasim hapur që t’i themi njëri tjetrit sy më sy se çfarë mendojmë”- tha Vuçiç.
Replikat mes dy kryeministrave zgjatën për disa minuta, ndërsa kryeministri Rama i qëndroi bindjes së tij, duke përsëritur edhe njëherë përpara homologut serb se çdo perceptim i ri i Serbisë ndaj realitetit të Kosovës është i mirëpritur prej shqiptarëve.
Duke konfirmuar ftesën e tij për kryeministrin serb, që të vizitojë Shqipërinë gjatë vitit të ardhshëm, kryeministri Rama tha se shqiptarët nuk do të ndjehen të provokuar nëse ai do të flasë në Tiranë për qëndrimin serb ndaj Kosovës.
“Ju siguroj se në Tiranë nuk do ndjehemi të provokuar nëse do të keni përsëri të njëjtin qëndrim lidhur me Kosovën , por do të ndihemi të keqardhur sepse është një realitet që sa më shpejt ta njohim aq më shpejt mund të lëvizim përpara në të gjitha drejtimet dhe kuptimet. Por e përsëris që mikpritja jo vetëm do të jetë reciproke por ju siguroj se do të ndjeheni shumë mirë në Tiranë dhe asnjë fjalë thënë prej jush nuk do të konsiderohet provokim, pavarësisht se do të jetë tërësisht e ndryshme nga ato çfarë mund të prisnim nga një temë apo një tjetër. E kam ftuar kryeministrin serb të vizitojë Shqipërinë vitin e ardhshëm.”- deklaroi Rama.
Burime nga Beogradi bëjnë të ditur se debati mes dy kryeministrave për çështjen e Kosovës ka vijuar edhe në hollin e pallatit “Serbia”, në mbyllje të konferencës. Kjo për faktin se sipas kryeministrit serb, ishte rënë dakord paraprakisht që Kosova nuk do të përmendej gjatë konferencës së përbashkët.
DRONI, VUCIC: I MIRËORGANIZUAR, RAMA: POLITIKA S’BËHET NË FUSHË FUTBOLLI
Në lidhje me hetimet e policisë serbe për dronin e ngritur në stadiumin “Partizan të Beogradit”, Vuçiç nuk ka dashur të komentojë. “Sa për temën nuk duam të flasim për të kaluarën por për të ardhmen. Droni ishte një ngjarje shumë mirë e organizuar, shumë ditë më parë ka pasur organizim. Ne e dënojmë këtë akt”, tha ai.
Ndërsa Rama, u shpreh se politika e shteteve kurrësesi nuk mund të bëhet në një fushë futbolli.
“Politika e shteteve nuk lind, nuk zhvillohet dhe diktohet në një fushë futbolli. Ajo që ndodhi është tregues i brishtësisë së jashtëzakonshme, i një marrëdhënie të re që ne kemi synimin ta vendosim. Qeveria e Shqipërisë dhe unë si kryeministër kemi vullnet të plotë ta jetësojmë përmes një përpjekje të përbashkët konkrete që njerëzit tanë serbët dhe shqiptarët, fëmijët tan, serbët dhe shqiptarët të marrin përfitimin e madh nga potenciali i një paqeje të arritur. Ne nuk jemi armiq të njëri-tjetrit, kemi armiq të përbashëkët, varfëria, borxhi publik e deficiti. Sfida jonë e përbashkët është që të bashkojmë forcat të flasim me një gjuhë, sic kemi ne nevojë për Europën, Europa ka nevojë për Ballkanin”.
RAMA: PRESHEVA TË SHËRBEJË SI URË, KOSOVA E PAVARUR REALITET I PAMOHUESHËM
Në një deklaratë më të gjatë se homologu i tij serb, kryeministri shqiptar Edi Rama theksoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të parë nga e ardhmja e përbashkët evropiane, duke nënvizuar se shqiptarët kanë kurajën, vizionin dhe besimin se bashkë me Serbinë duhet të ecin përpara drejt Bashkimit Europian. Shefi i qeverisë shqiptare nuk la asnjë temë pa prekur, duke përmendur edhe pavarësinë e Kosovës, për të cilën theksoi se tashmë është një realitet i pamohueshëm, i ligjëruar dhe që i ka shërbyer sigurisë së Ballkanit.
“Për Kosovën kemi dy qëndrime krejt të ndryshme. Por realiteti është një dhe i pandryshueshëm, Kosova e pavarur është një realitet i pamohueshëm rajonal dhe evropian, ajo duhet respektuar. Njohja e Kosovës nga vendet evropiane që ende nuk e njohin atë është e rëndësishme. Pavarësia e Kosovës e ka bërë Ballkanin më të sigurtë. Çdo perceptim i ri i Serbisë ndaj këtij realiteti është i mirëpritur prej nesh. Ne e çmojmë dhe promovojmë dialogun Kosovë-Serbi. Ky dialog është një sukses evropian.”- deklaroi Rama.
Kryeministri shqiptar theksoi se shpreson që gjenerata e re që qeveris Serbinë do t’i respektojë shqiptarët e Luginës së Preshevës si një urë me rëndësi strategjike për lidhjen e fateve evropiane të dy vendeve.
Shefi i qeverisë shqiptare nënvizoi se shqiptarët kanë kurajën, besimin dhe vizionin për të shtrirë dorën e bashkëpunimit të sinqertë.
“Rastësia desh që një ditë pas kremtimit të 25 vjetorit të murit të Berlinit të ngrihet sot këtu në Beograd flamuri kombëtar i Shqipërisë dhe të nderojmë himnet e njëri-tjetrit për të parin takim mes dy kryeministrash pas 68 vitesh. Sa shumë varet sot e ardhmja jonë nga sa mundet të bëjmë së bashku në rrugën e bashkimit me Europën që veç e veç do të jetë shumë v vështirë për secilin prej nesh. Do të na duhet vizion, kurajo, besim i ndërsjellë, por sidoqoftë nuk do të jemi vetëm nëse nuk do të lejojmë që historia të ndikojë negativisht marrëdhëniet mes nesh dhe qëndrimin e Europës ndaj nesh. Ne Ballkani kemi nevojë për Europën e bashkuar, por edhe Europa ka po aq nevojë për ne. Vizioni i Europës së bashkuar na ka bashkuar më në fund të gjithëve në rrugën e paqes. Ne shqiptarët e kemi edhe këtë vizion dhe këtë kurajo. Ju shtrijmë dorën e një bashkëpunimi po aq të sinqertë saç është e sinqertë bindja jonë se fëmijët tanë nuk duhet të vuajnë prej së shkuarës. Të krijojmë së bashku kushte të reja të favorshme për zhvillimin ekonomive dhe shoqërive tona”- deklaroi Rama.
Në fjalën e tij, Rama tha se paqja erdhi bashkë me ambicien për të qënë pjesë e BE, ndërsa nuk nguroi ta ftonte homologun Vuçic për një vizitë në Tiranë
“Lejomëni të shpreh të gjithë vullnetin dhe vendosmërinë time për një proces intensiv komunikimi mes Shqiqprisë dhe Serbisë, të kapërcejmë të shkuarën e dasive ekstreme, të shkëmbejmë eksperienca në funksion të BE, të bashkëpunojmë në sektorë të ndryshëm, të mbështesim procesin e nxitur në Berlin me bindjen se rruga drejt Europës është një korsi në rrugën e madhe të BE. Le të mos harrojmë se 100 vite pas Luftës së Dytë Botërore jetojmë në një rajon me mundësi të mëdha që i ka sjellë paqja. Paqja erdhi jo se u bëmë engjej por se na e solli ambicja e BE, paqe që ia vlen të jetohet. Uroj që vitin tjetër t’ju kem mik në Tiranë”.
VUCIC: KA ARDHUR KOHA TE SHOHIM NGA E ARDHMJA
Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka qënë i qartë gjatë deklaratës së tij në konferencën e përbashkët me homologun Edi Rama, kur tha se ka ardhur koha që dy vendet tona të shohin nga e ardhmja nga BE. Problemet tona tha Vuçiç mund të zgjidhen vetëm me komunikim.
“Është një lajm i rëndësishëm se pas kaq 68 vitesh takohen kryeminsitat e dy shteteve. Unë jam i bindur që problemet tona të përbashkëta mund të zgjidhen vetëm me komunikim. Kemi biseduar për të nënshkruar marrëveshje të tjera për shkëmbime, do punohet edhe në marrëveshjen ku qytetarët tanë do lëvizin vetëm me karta identiteti. Duam që komunitetet tona të jenë në nivelet më të larta, në kuadër të integrimit të vendeve tona në BE. Kemi biseduar për hekurudhën që do kalojë nga Beogradi Podgorica dhe Tirana, një projekt që presim të marrim fonde nga BE”, tha Vuçiç.
Vizitën e Ramës ai e konsideroi një moment tejt të veçantë që hap një kapitull të ri marrëdhëniesh mes dy shteteve
“Sot edhe në Shqipëri edhe në Serbi është shumë e lehtë të ngrihen tensione shovisniste, sepse kjo sjell edhe pikë politke por unë kam zgjedhur të sjell mendime demokratike të mendoj për zhvillimin e Serbisë përsa i përket ekononmisë dhe intergrimit në BE. Kjo i takon prespektivës së re të rajonit, të mos shohë nga e shkuara por të shikojmë nga e ardhmja dhe një rrugë që na çon drejt BE”, tha Vuçiç.
NENSHKRUHEN 3 MARREVESHJE NE SERBI
Takimi Rama-Vucic zgjati rreth 40 minuta, u pasua nga nënshkrimi i tre marrëveshjeve me palën serbe, një për doganat, një që shqiptarët dhe serbët të udhëtojnë me karta identiteti dhe një për bashkëpunimin rinor.
RAMA DHE VUCIC TAKIM KOKE ME KOKE NE PALLATIN “SERBIA”
Ora 12:00 – Kryeministri shqiptar Edi Rama është pritur me nderime në Pallatin “Serbia”, ku zhvilloi një takim kokë më kokë me homologun e tij serb Aleksander Vuçiç. Takimi i dy kryeministrave ka nisur rreth orës 11:00 dhe ka zgjatur rreth 40 minuta, ndërsa në pallatin kryeministror në Beograd është ngritur flamuri shqiptar përkrah atij serb. Në oborrin e pallatit “Serbia” janë luajtur himnet e të dy vendeve, ndërsa kryeministri Rama ka mbajtur dorën në zemër gjatë ekzekutimit të himnit shqiptar.
Zv/kryeredaktori i “Gazeta Shqiptare”, Tedi Blushi raportoi nga Beogradi se në atë që konsiderohet si toka e nderit është mbajtur vetëm flamuri serb, përpara të cilit janë përkulur të dy kryeministrat, ndërsa pas tokës së nderit është ngritur edhe flamuri shqiptar. Mësohet se të dy palët kanë preferuar të komunikojnë në gjuhën e tyre kombëtare dhe jo në anglisht.
Sipas gazetarit Blushi, kryeqyteti serb është “blinduar’ nga forca të shumta policore dhe helikopterë që monitorojnë nga ajri. Udhëtimi i kryeministrit shqiptar nga aeroporti i Beogradit drejt pallatit “Serbia” ka qenë i qetë dhe nuk është shënuar asnjë incident.
Vizita e Ramës në Serbi është shoqëruar me polemika të shumta, pas incidentit të 14 tetorit në Beograd, gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, ku kombëtarja shqiptare u bë pre e dhunës dhe racizmit në stadium, pas valëvitjes së një droni me simbole shqiptare, që u cilësua si provokim nga ana e serbëve. Pikërisht ky incident, shtyu vizitën e parë të Ramës, e parashikuar më 22 tetor. Vizita pritet të normalizojë marrëdhënit në rajon dhe shihet si një parakusht për përparimin në integrimin evropian të të dy vendeve.
RAMA PRITET PA FLAMUR SHQIPTAR NE AEROPORTIN E “BLINDUAR’ TE BEOGRADIT
Ora 10:00- Kryeministri Rama dhe delegacioni që e shoqëron kanë mbërritur rreth orës 10:00 në aeroportin e Beogradit, i cili ishte blinduar nga forca të shumta policore dhe helikopterë që monitoronin nga ajri.
Gazetari Tedi Blushi raportoi se kryeministri Rama u prit me ceremoni nderi në aeroport nga ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiç.
Forca të shumta policore kishin rrethuar zonën, ndërsa kryeministri shqiptar shoqërohet nga 6 truproja shqiptare. Mësohet se në aeroport nuk është ngritur flamuri shqiptar, por valëvitej vetëm flamuri serb.
Ajo që të bie në sy është veshja e kryeministrit shqiptar, një kostum i zi dhe kollare të kuqe. Nërkaq, mediat nga Beogradi raportojnë për një interesim të madh për vizitën në fjalë, e cila do të ndiqet nga rreth 200 gazetarë.
RAMA DHE DELEGACIONI SHQIPTAR NISET DREJT BEOGRADIT
Ora 08:45 – Vizita dy ditore e kryeministrit Rama është e para e kreut të qeverisë shqiptare pas 68 vjetësh në Serbi. Avioni me të cilin udhëtoi delegacioni shqiptar u nis nga aeroporti “Nënë Tereza” i Rinasit, në orën 08.45, ndërsa kryeministri shoqërohet prej një delegacioni që përbëhet nga: Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj.
Me të mbërritur në Beograd Edi Rama, do të ketë takim me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiç, ndërsa nesër do të vizitojë Luginën e Preshevës, e banuar nga shqiptarë, ku do të takohet me drejtuesit vendorë si dhe do të bashkëbisedojë me qytetarët.
AXHENDA E VIZITËS SË RAMËS
Sipas axhendës, me arritjen e Kryeministrit shqiptar, në orën 11:00, në selinë e qeverisë serbe do të fillojë ceremonia zyrtare. Më pas do të vazhdohet në takimin kokë më kokë mes dy kryeministrave dhe më pas do të bëhet nënshkrimi i marrëveshjeve nga Ministrat e Jashtëm”.
Në 12:15 minuta, do të mbahet konferenca për shtyp e kreut të qeverisë së Tiranës dhe Beogradit. Axhenda vijon më tej me një takim të shefit të qeverisë shqiptare në orën 16:00 me gazetarët.
Pasditja rezervon gjithashtu axhendë të ngjeshur, ku Rama do të jetë i pranishëm në forumin e biznesit serbo-shqiptar dhe ora 18 e zhvendos Kryeministrin në Bashkinë e Beogradit. Në axhendë nuk përfshihet ecja në këmbë e kryeministrit Rama në rrugët e Beogradit. Ky takim përmbyllë axhendën e Kryeministrit për ditën e pare.
Ndërsa me presidentin Timosllav Nikoliç, kryeministri Rama nuk do të takohet, po ashtu është anuluar ecja në këmbë e Kryeministrit shqiptar në rrugët e Beogradit.
Ditën e martë në orën 05:00 të mëngjesit do të bëhet nisja për në Preshevë e delegacionit shqiptar
Pas mbërritjes në Preshevë, axhenda përcakton orën 11.00, ku Kryeministri Rama do të takojë kryetarin e komunës. Rama në këtë takim shoqërohet nga disa ministra, si dhe dhjetëra gazetarë shqiptarë. Gjatë qëndrimit të delegacionit shqiptar në Beograd pritet nënshkrimi i tri marrëveshjeve dypalëshe. (ma.ar/er.nu/BalkanWeb)