Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani, deklaroi se ditën e enjte qytetarët shqiptarë “do të ngrejnë zërin e tyre kundër varfërisë, mjerimit dhe arrogancës së dyshes Rama-Meta”. “Meta është akuzuar si porositës i dy vrasjeve, ndërsa Rama si bashkëpunëtor. Këta të dy kanë shtypur dhe terrorizuar njerëzit prej dy vitesh. Askush nuk e ndal marshimin e nesërm”, theksoi Ristani në një deklaratë për shtyp.
“Mazhoranca është kapur nga paniku i protestës së nesërme popullore sepse të dhënat tregojnë se pjesëmarrja e shqiptarëve në këtë protestë do të jetë madhështore. Mijëra qytetarë do të bashkohen nesër në Tiranë në orën 11 në Sheshin “Skënderbej”, për të ngritur zërin e tyre kundër krimit në qeverisje, kundër pasigurisë, kundër varfërisë, kundër mjerimit dhe kundër arrogancës së dyshes Rama-Meta. I ka zënë paniku Edi Ramën, Ilir Metën dhe lolot e tyre, sepse, janë ata shkaktarët e depresionit të madh ekonomik të vendit dhe inkriminimit masiv në çdo qelizë të shtetit, deri në kupolën më të lartë të tij; I ka zënë paniku, se në sytë e gjithë shqiptarëve, Ilir Meta është sot i akuzuar për porositjen e dy vrasjeve, ndërsa Edi Rama është i akuzuar si bashkëpunëtor; I ka zënë paniku, sepse Edi Rama dhe Ilir Meta, e kanë tradhëtuar popullin, kanë sjellë varfëri, papunësi e skamje, korrupsion, e zhvatje të qytetarëve; I ka zënë paniku sepse kanë shtypur dhe terrorizuar njerëzit çdo ditë prej dy vitesh, dhe tani është radha e popullit sovran që të marrë fatet në dorë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike.
“Partia Demokratike i bën thirrje policisë së shtetit të përmbahet brenda kufinjve të ligjit, e mos të reagojë prej panikut e dëshpërimit të dyshes Rama-Meta. Krimi dhe kriminelët janë në gjirin e qeverisjes dhe mazhorancës, jo tek populli. Asgjë nuk do ta ndalë marshimin e nesërm”, shtoi Ristani.
/ Top Channel