Intervistë ekskluzive për DW me Ministren e Bavarisë për Evropën dhe Çështjet Ndërkombëtare, Dr. Beate Merk.DW: Znj. Ministre, çfarë qëllimesh dhe pritshmërishë kanë vizitat që ju bëtë fundjavën e kaluar në Serbi, Kosovë dhe Shqipëri?
Dr. Beate Merk: Qëllimi i kësaj vizite është që njerëzve në Serbi, në Kosovë dhe në Shqipëri t’u bëhet e qartë që Gjermania ka rregulla. Pjesë e këtyre rregulave është edhe mosmiratimi i kërkesave për azil të shtetasve nga Kosova, Serbia, dhe Shqipëria. Është shumë e rëndësishme, ta theksoj këtë, sepse një pjesë e njerëzve shesin gjithçka që ata kanë dhe marrin rrugën drejt Gjermanisë. Fatkeqësia vjen më pas kur kthehen, nuk gjejnë më asgjë dhe u rrezikohet vetë egzistenca e tyre.
Sipas raportit të fundit të Komisionit Europian për liberalizimin e regjimit të vizave në Ballkanin Perëndimor, Gjermania është vendi anëtar i BE që merr numrin më të madh të aplikimeve për azil. Cila është situata në Gjermani lidhur me azilkërkuesit nga Ballkani Perëndimor dhe në veçanti nga vendet që ju sapo vizituat: Serbia, Kosova dhe Shqiperia?
Numri i azilkërkueve shqiptarë është rritur shumë kohët e fundit, ndërkohë që nga vende të luftës civile si Siria numri i azil kërkuesve është 44 mijë, numri i azilkërkuesve nga Ballkani është 66 mijë. Të premten e kaluar ( 6 mars 2015) është bërë kërkesë në Parlamentin gjerman që Shqipëria të klasifikohet si vend i sigurtë. E drejta për azil u rezervohet atyre që vijnë nga zona të luftës, të luftës civile ku jeta e tyre është në rrezik apo nga vende ku njerëzit persekutohen për motivre politike dhe jo për ata që marrin rrugën dhe vijnë në Gjermani dhe kërkojnë azil për motive ekonomike.
Ç’masa planifikon të marrë Gjermania në rast të një vazhdimi të abuzimit të mundshëm me liberalizimin e vizave nga vendet e Ballknait Perëndimor dhe për pasojë shtimit të kërkesave për azil nga qytetarët e këtyre vendeve?
Masa e parë që do të ndërmerret do të jetë ajo e mosdhënies më shërbime në para por vetëm në mallra, pasi kemi parë që shërbimi në para është një sinjal negativ që nxit njerëzit për të kërkuar azil në Gjermani. Masa tjetër do të jetë shkurtim sa më parë që të jetë e mundur i procedurave të azilit, në mënyrë që, të gjithë atyre që nuk u përket e drejta për të kërkuar azil dhe për t’iu miratuar të kthehen sa më shpejt në vendet e tyre.
Me këto masa shpresohet që në Gjermani të ulet në mënyrë drastike numri i kërkesave nga vendet e Ballkanit Perëndimor për azil me motive ekonomike, ndërkohë që liria e lëvizjes përbën parakusht për vazhdimin e kërkesave të tilla. Në këto kushte cilat janë argumentat e Gjermanisë për të vazhduar mbrojtjen e liberalizimit të vizave dhe lirinë e lëvizjes për qytetarët e Ballkanit Perëndimor?
Ka një dallim shumë të madh nëse shkon në një vend për arësye ekonomike apo shkon atje për vizitë turistike. Koncepti i liberalizimit të vizave ka të bëjë vetëm me këtë të dytën, pra që njerëzit të lëvizin të lirë vetëm për vizita turistike. Kjo është një mundësi dhe përparësi shumë e madhe për një vend, pasi qytetarët e tij kanë mundësi të lëvizin në vendet e BE, të shohin mënyrën europianë të jetesës, funksionimin e shtetit ligjor, demokracisë.
Z. Merk, po përfitoj nga prania juaj në Tiranë dhe t’ju drejtoj një pyetje lidhur me marrdhëniet mes Bavarisë dhe Shqipërisë, të vendosura 30 vjet më parë me vizitën historike të politikanit gjerman Franz Josef Strauss, në gusht 1984, në Shqipërinë e atëhershme të izoluar, komuniste. Tani që Shqipëria është një vend kandidat për anëtarësim në BE, cilat shihni si fusha për forcimin e bashkëpunimit me interest të ndërsjelltë? Si do ta mbështesë Bavaria Shqipërinë në përpjekjet për t’iu afruar BE?
Para pak kohësh patëm nderin të festonim 30 vjetorin e vizitës së Franz Josef Shtraus në Shqipëri. Dhe është një sinjal shumë pozitiv të shohësh sesi ka ecur Shqipëria në këto 30 vjet, çfarë ndryshimesh pozitive dhe progresi ka ndodhur. Dhe sesi gjatë këtyre 30 viteve është rritur edhe miqësia gjermano – shqiptare. Në Shqipëri për të festuar 30 vjetorin e marrdhënieve mes Bavarisë dhe Shqipërisë erdhi zv. Presidenti i Bundestagut gjerman, deputeti Johannes Singhammer. Është shumë mirë që Shqipëria është vend kandidat për t’u bërë pjesë e BE dhe shumë i angazhuar për të arritur këtë qëllim. Ne kemi gadishmërinë për ta ndihmuar në këtë rrugë. Patëm një bisedë me Erion Veliaj, Ministër i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, ku diskutuam mënyra dhe forma sesi Shqipëria të ndihmohet për të bërë hapa përpara drejt BE. Duam të forcojmë shkëmbimim e formimit shkollor, të studentëve, pra që studentë nga Shqipëria të vijnë të studiojnë në Bavari dhe pse jo, studentë nga Bavaria të vijnë të studiojnë në Shqipëri. Është edhe një tregues i mirë përballë Bashkimit Europian për të sinjalizuar sesi Shqipëria po lufton për t’u integruar dhe sesi njerëzit në Shqipëri po përpiqen për të ecur përpara dhe jo për ta lënë vendin e tyre. (dw)