Kompania e shpërndarjes së energjisë ka mbi 200 milionë dollarë humbje vjetore nga vjedhjet dhe mos-pagimi i faturave të energjisë, ndaj dhe invetimet në fuqizimin e saj janë minimale. Kështu deklaroi sot ministri i energjisë, Damian Gjiknuri, para komisionit parlamentar të ekonomisë, lidhur rme gjendjen e OSHEE-së, të cilët spekullantët i vjedhin të gjithë energjinë e importuar nga jashtë vendit. Hidrocentralet e vendit prodhojnë sa 60 për qind e nevojave të tregut vendas dhe opjesa tjetër e energjisë blihet nga jashtë. Ministri Gjiknuri tha se masat shtrënguese në sektorin energjitik po përmirësojnë me shpejtësi gjendjen financiare të kompanisë, ku mospagimi i faturave dhe vjedhjet përbëjnë gati 40 për qind te energjisë që shërben në shkallë vendi.
Zoti Gjiknuri tha se nga një masë mbrojtëse për të varfërit, fasha 300 kv me çmim të ulët u bë prej 10 vjetësh metoda kryesore për të vjedhur energjinë elektrike. Statistikat nxorën të dhëna paradoksale, sipas të cilave, mbi 200 mijë klientë faturohen 0 kv energji, rreth 300 mijë klientë faturohen deri në 100 kv. Të dhënat e fundit tregojnë se janë shtuar me 80 për qind klientët që harxhojnë minimumin nën 300 kilovatorë, ndërkohë që konsumi real i energjisë është rritur në mënyrë galopante.
Banka Botërore mbështeti me 100 milionë dollarë investimet në rrjetin e dërrmuar energjitik të Shqipërisë, ku ndërhyrjet e paligjshme janë me qindra mijëra. Rreth 400 persona janë arrestuar për vjedhje, mospagim dhe abuzim me energjinë, ndërsa policia po ndihmon punonjësit e kompanisë të ndërpresin mijëra lidhje të paligjshme në të gjithë vendin. OSHEE kërkoi pranë ERE-s rritjen e çmimit të energjisë elektrike, si një nga më të ultit në rajon. Ndërsa kërkesa ende po shqyrtohet, ajo u bë temë kryesore e protestave të opozitës, e cila kundërshtoi heqjen e fashës me çmim minimal për shtresat në nevojë dhe i kujtoi qeverisë premtimet e fushatës zgjedhore për ulje taksash dhe shërbime më të lira në shumë fusha. (voa)