Skandali i Sigurimeve Shoqërore ku shumë institucione të shtetit nuk kanë paguar kontributet për punonjësit ka hapur debatin se si mund të zgjidhet kjo situatë. Top Channel ka mësuar se një nga rrugët që Qeveria po merr në konsideratë është ajo e klasifikimit të borxhit 100 milionë dollarë si detyrim i prapambetur për t’ja bashkangjitur borxheve të tjera që po shlyhen përmes një plani trevjeçar.
Kur erdhi në pushtet qeveria e majtë u angazhua për të paguar të gjitha borxhet e fsheura të shtetit. Pas verifikimit paraprak u deklarua se në total shuma e detyrimeve të fshehura që kishte krijuar Qeveria e mëparshme ishte 72.6 miliardë lekë ose 5.2 për qind e Prodhimit Kombëtar. Këto ishin detyrime në formën e punëve publike të papaguara, kontratave për furnizime mallrash, taksa të mbipaguara dhe pagesa shpronësimesh apo vendime gjykatash.
Menjëherë më pas Qeveria hartoi një plan trevjeçar për shlyerjen e tyre përmes buxhetit, duke marrë rreth 700 milionë dollarë hua nga FMN dhe Banka botërore. Burime konfidenciale nga ministria e financave thonë për Top Channel, se edhe borxhi prej 100 milionë dollarë i sigurimeve të papaguara, do të shuhet në këtë mënyrë, pasi të jetë kryer verifikimi i saktë i tyre, sepse nuk përjashtohet që mund të ketë edhe pasaktësi në rakordimin e të dhënave mes tatimeve apo ISSH-së.
Sipas tyre, këto detyrime do të paguhen pa patur nevojë për të marrë borxh të ri shtesë, pasi shuma prej 72.6 miliardë lekë që u deklarua në fillim ka qenë e mbivlerësuar. Në disa zëra si tatim fitimi apo të tjera, pas mbylljes së bilanceve, borxhi i buxhetit ndaj privatëve ka rezultuar më i ulët nga sa ishte vlerësuar fillimisht.
Shifra reale e borxhit të fshehtë shtetëror ka qenë një objekt i nxehtë debati politik mes qeverisë së majtë dhe demokratëve. Këta të fundit pretendojnë se shifra është shumë më e ulët nga sa u deklarua dhe Qeveria e rriti qëllimisht.
Por përtej sherrit politik dhe faktit Qeveria nuk do të ketë nevojë të rrisë më shumë borxhin, mospagimi i kontributeve është një skandal jo i vogël, i cili hedh përgjegjësi të forta mbi institucionet që e kanë toleruar veçanërisht tatimet dhe ISSH. Madje, jo vetëm për institucionet publike, por edhe për kompanitë private. / Top Channel