Sociologu Edmond Dragoti konstaton një mungesë totale të përgjegjësisë shoqërore dhe të vetëdijes qytetare në Shqipëri, që favorizon fenomenet e krimit dhe të vrasjeve.DW: Z. Dragoti , duke marrë shkas nga ngjarja e ndodhur pak ditë më parë kur katër persona u vranë në Tiranë a mund ta cilësojmë si një ngjarje që mund të ndodhë kudo, jashtë Shqipërisë, apo është një shenjë e pasigurisë në Shqipëri?
Dragoti: Ngjarje të tilla ndodhin edhe në vende të tjera, më të sigurta se Shqipëria, por tek ne ka disa veçori të ndryshme që përcaktohen nga kushtet e zhvillimit aktual të vendit dhe shoqërisë. Pas “sigurisë” që ofronte sistemi i mbyllur i diktaturës së proletariatit, shoqëria jonë u gjend e lirë, e hapur, pa kufij, por kaotike dhe krejt e pasigurt dhe e pa mbrojtur. Familja dhe individi shqiptar, për dy dekadat e fundit, kanë qenë vazhdimisht të ekspozuar ndaj krimit, dhunës, vetëgjyqësisë, hakmarrjes e gjakmarrjes, pasigurisë së jetës, pronës dhe punës, sepse kryesisht ka munguar rendi publik dhe barazia para ligjit. Klasa politike e deridjeshme ka drejtuar vendin pa vizion, pa perspektivë, por vetëm për zgjidhje të çastit, dhe kryesisht për përfitime personale. Prandaj edhe kanë mbizotëruar krimi, korrupsioni, vjedhja, e makutëria.
Si paraqitet niveli I kriminalitetit ne Shqipëri sipas jush? Ka shtim te veprave kriminale, ulje të tyre apo situata ka mbetur njësoj?
Vitin e fundit ka një përpjekje nga qeverisja aktuale për stabilitet social dhe ekonomik, dhe për të kontrolluar territorin e vendit dhe shoqërisë. Me gjithë problemet e mëdha që sjell korrupsioni skajor dhe politizimi i institucioneve të drejtësisë, fryma qeverisëse ka ndikuar në uljen e nivelit të krimeve në vend.
Cila formë e krimit është kthyer në një shqetësim serioz ne vend?
Më e ndjeshme është dhuna në familje, që shpesh shfaqet në formën më agresive të saj, deri në vrasje, si dhe veprimet terroriste me frymëzim kryesisht politik që drejtohen ndaj biznesit, objekteve me rëndësi publike apo drejtuesve të pushtetit vendor apo qendror.
Zoti Dragoti, përse vrasin shqiptarët?
Është një lehtësi karakteristike për shqiptarët që vrasin. Duket se është mungesë totale e përgjegjësisë shoqërore dhe e vetëdijes qytetare. Një mungesë kontrolli ndaj emocioneve, prandaj i dorëzohen instinktit agresiv të çastit; paaftësi për të llogaritur raportin e kostos dhe shpërblimit për një veprim të caktuar, dhe vrasin sot duke humbur gjithçka nesër; por edhe një tregues papjekurie sociale, që vjen nga infantilizmi i zhvillimit tonë kulturor, shoqëror, ekonomik etj. Që do të thotë, se ne vazhdojmë të jemi në moshën e foshnjërisë, ose të adoleshencës kulturore, kur veprojmë si rebelë , por mohues të vlerave tona; gjaknxehtë dhe impulsivë të pakontrollueshëm për veten dhe të tjerët; krenarë për identitetin tonë inferior, dhe të papërgjegjshëm për atë që bëjmë.
Si mund te ulet numri i veprave kriminale ne Shqipëri? Ne çfarë drejtimi duhet te fokusohen institucionet përgjegjëse apo dhe vete shoqëria shqiptare?
Të gjitha institucionet e shoqërisë shqiptare duhet të ruajnë kohezionin, bashkëpunimin, konsensusin e veprimeve të përbashkëta për të respektuar njeriun, pronën, shtetin, ligjin dhe vetveten. Dhe kjo nuk arrihet vetëm nëpërmjet hartimit të ligjeve të duhura, por më tepër, duke krijuar praktikën e zbatimit rigoroz të tyre. Dhe më tepër, duke ofruar modelin e barazisë para ligjit.
Po niveli i ndëshkueshmërisë për personat qe kryejnë krimin si paraqitet? A ndëshkohen mjaftueshëm kriminelet apo dënimet qe jepen nuk zbatohen njësoj për te gjithë? Nëse po, çfarë duhet te behet ne këtë drejtim?
Modeli i ndëshkueshmërisë nuk mund të krijohet vetëm me një vit qeverisje. Aq më tepër, që institucionet zbatuese të tij, që edhe e krijojnë këtë model, siç janë gjykatat, prokuroria, KLD-ja, etj., vazhdojnë të jenë krejtësisht të korruptuar ose të paaftë profesionalisht. Një reformë rrënjësore në këtë drejtim jo vetëm është e nevojshme, por edhe urgjente. Madje këto institucione, përfshirë edhe Presidentin e Republikës si Kryetar i KLD-së, nuk duhet të kenë imunitetin e madh që ofrojnë grupet e vogla, si psh., parlamenti, por duhet të zgjidhen nga populli, për të mos u korruptuar lehtësisht dhe për të dhënë llogari drejtpërdrejt para tij.
Një nga thirrjet me te rëndësishme qe vjen vazhdimisht për Shqipërinë nga Komisioni Evropian si dhe ambasadore te ndryshëm te Bashkimit Europian është : “”Luftoni krimin “”. Edhe raporti i fundit nga ministri i Brendshëm Gjerman Thomas de Maziere për vitin 2013 ishte me nota negative, veçanërisht për krimin e organizuar. Ju si sociolog si e vlerësoni vitin 2014 ne aspektin e sigurisë në Shqipëri? Po në vazhdim ?
Unë vlerësoj një frymë dhe përpjekje pozitive të qeverisjes aktuale për të krijuar shtetin e të drejtës dhe barazisë para ligjit. Kjo nuk është e lehtë, por shpresoj të jetë e vazhdueshme, për të krijuar sigurinë e zhvillimit shoqëror. Duket që ne jemi një popull vital, i ri dhe me shumë energji, por duhet të qeverisemi nga njerëz vizionarë, idealistë dhe me hapësirë mendimi dhe të vihemi në punë për të shfrytëzuar potencialin e jashtëzakonshëm fizik, moral, emocional, shoqëror, intelektual dhe kulturor që fle brenda individit dhe shoqërisë sonë. Shenjat e para janë optimiste, por të mos mbetemi gjithmonë në fillimin tonë. (dw)