Stuhi të forta e reshje shiu në ultësirën perëndimore, borë në zonat malore

Moti me diell e temperaturat e larta ia kanë lënë vendin shirave erërave të forta dhe borës në zonat malore. Të gjitha këto ndryshime kanë ndodhur nga dita në ditë, si pasojë e një fronti atmosferik të ulët që zaptoi Europën Qëndrore dhe një pjesë të madhe të Europës Lindore. Temperaturat kanë pësuar një ulje me 3 deri në 4 gradë, ndërsa në zonat malore kanë shkuar në minus gradë.

Kështu raportohet se reshje bore kanë rënë në lartësinë mbi 500 metra, në Kukës, ku trashësia e dëborës ka arritur deri në 10 cm.

Në lartësinë mbi 1 mijë metra ka pasur reshje dëbore edhe në Dibër e Pukë. E njëjta situatë edhe në Korçë, ku është mbuluar nga dëbora mali i Ostrovicës.

Ndërkohë që edhe në ultësirën perëndimore të vendit parashikohet një mot me reshje të dendura shiu e erëra të forta. Pritet që qarku i Lezhës e Shkodrës të preken nga stuhi të forta. Vetë ministri Panariti është nisur drejt qarkut të Lezhës, për të ndjekur nga afër situatën.

MOTI I KEQ, SHTYHET NISJA E TRAGETIT TË LINJËS NGA BRINDIZI- VLORË
Ora 11:00- Si pasojë e motit të keq është shtyrë për nesër edhe nisja nga Brindizi e tragetit të linjës Brindizi- Vlorë. Raportohet se erërat në det të hapur në Vlorë shkojnë në 35-40 km në orë, ndërsa valëzimet shkojnë nga 7deri në 9 ballë. Mësohet se është ndaluar dalja e anijeve të tonazhit të vogël në det të hapur.

DURRËS, VONESA NË MBËRRITJEN E TRAGETEVE NGA BARI
Ora 10:42- Si pasojë e erërave të forta dhe valëzimit në det deri në 7 ballë ka pasur edhe vonesa në mbërritjen e trageteve në Durrës. Kështu, dy tragete të nisur nga Bari pritet të mbërrijnë 7-8 orë me vonesë.

Kapiteneria e Durrësit, bën me dije se aktualisht valëzimi në det është 6-7 ballë, ndërsa bëjnë apel që anijet të sigurohen për vendstrehim.

Probleme me motin ka pasur edhe në ujërat italiane, ku kanë mbizotëruar stuhitë dhe erërat e forta.

MB: STUHI E FORTË NË QARKUN E SHKODRËS DHE LEZHËS, FERMERËT TË MARRIN MASA
Ora 10:00- Duke u nisur nga kushtet klimaterike, ku ultësira perëndimore e vendit pritet të pushtohet nga erërat e forta e shirat e dendur, Ministria e Bujqësisë i bën apel fermerëve të përgatiten për të mbrojtur të mbjellat.

Raportohet se në qarkun e Shkodrës dhe Lezhës ka stuhi e forta, ndërsa reshjet e shiut janë prezente në të gjithë zonën perëndimore.

“Fermerët të marrin masa për të mbjellat, ndërkohë që edhe Shtabi i emergjencës ndodhet në terren. Po ashtu edhe bordet e kullimit janë në gatishmëri për situatën”, thuhet në deklaratën e MB-së.

(ma.ar/BalkanWeb)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>