Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se për shkak të uljes së temperaturave dhe rinisjes së reshjeve të dëborës duhet bërë kujdes në shumë akse nacionale. Sipas buletinit të mëngjesit, situata është rënduar në Kukës pavarësisht punës për kriposjen e rrugëve, për shkak të krijimit të shpejtë të akullit. Gjithashtu, rrugë ku duhet bërë kujdes për shkak të akullit është ajo që të çon në Priskë e Shën Gjergj në Tiranë.
Në qarkun e Elbasanit janë rikthyer ngricat në rrugën Librazhd-Steblevë, ndërsa në rrugën Elbasan-Gjinar ka shembje në Shelcan dhe mjetet e rënda nuk mund të kalojnë. Shembje ka edhe në aksin Cërrik-Banjë, tek diga dhe rruga është me një kalim për momentin.
Në aksin Elbasan-Librazhd-Qafë Thanë vazhdon spërkatja me kripë në vendet ku ka formim ngricash. Autoritetet rekomandojnë përdorimin e zinxhirëve sidomos në segmentin Lunik-Steblevë.
Ndërkohë, në qarkun e Vlorës kërkohet kujdes në Llogora për shkak të akullit. Ndërsa në Korçë po vazhdon puna për hedhjen e kripës në akset ku ka prezencë të ngricave, pasi temperaturat gjatë natës kanë shkuar deri në minus 5 gradë.
Afër doganës së Qafë Thanës ka patur një bllokim rruge, jo për shkak të kushteve të motit, pasi ky aks është plotësisht i kalueshëm, por nga një trajler që ka mbetur në vend nga akulli.
Qarkullimi kryhet pa zinxhirë në të gjitha akset e qarkut të Korçës, por në orët e mbrëmjes, nga temperaturat e ulëta ka segmente rrugore ku mund të formohen ngrica. Në Kukës kanë filluar reshjet e borës.
Nga autoritetet lokale mësohet se është bërë pastrimi i rrugëve dhe se ato janë spërkatur me kripë dhe se disa akse kalohen edhe pa zinxhirë.
Në aksin Bajram Curri-Qafë Morinë raportohet se ka ngrica si pasojë e erërave të forta dhe temperaturave të ulëta. Në Dibër ka gjithashtu prani ngricash, konkretisht në segmentet Ura e Cereneçit-Steblevë, Peshkopi-Qafë Draj e Qafë Buall-Krastë.
Në aksin Skurraj-Burrel ka patur edhe rënie gurësh në rrugë, ndërsa në pjesën Rrëshen-Tuneli Thirrë ka vatra akulli të formuara nga ulja e temperaturave gjatë natës. Këto vatra po trajtohen me kripë dhe nuk ka probleme në qarkullim, njofton më tej Autoriteti Rrugor.
/ Top Channel