Trafiku ndërkombëtar i drogës, edhe dy ushtarakë në pranga

Në skandalin e trafikut ndërkombëtar të drogës janë të përfshirë edhe dy ushtarakë të tjerë shqiptarë, bashkëpunëtorë të pilotit Sokol Feka, që humbi jetën javën e shkuar në Spanjë teksa transportonte drogën me helikopter nga Maroku. Ata janë një major dhe një kapiten që mbahen të ndaluar nga Policia Ushtarake. Emrat e tyre deri më tani nuk bëhen të ditura nga Shtabi i Përgjithshem i Forcave të Armatosura. Por gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha mundi të mësojë identitetin e dy të arrestuarve që jo zyrtarisht thuhet se janë Hamit Koxha dhe Vladimir Ademi.

Dy ushtarakët mbahen në ambientet e Policisë Ushtarake prej disa orësh. Mësohet se ata i përkasin regjimentit të Helikopterëve të Farkës. Në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes thuhet se dy ushtarakët janë ndaluar për shkelje të rënda dhe përfshirje në trafikun e drogës me të ndjerin Sokol Feka.

Ajo që dihet deri më tani është se ndalimi i tyre është bërë nga Policia Ushtarake dhe ndaj tyre nuk ka asnjë urdhër prokurori apo një vendim gjykate, por Top Channel mëson se në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ka mbërritur një kallëzim penal prej Ministrisë së Mbrojtjes ditën e enjte dhe në rrugë jozyrtare mësohet se bëhet fjalë për trafik lëndësh narkotike.

Shkëputur nga hetimet për trafikun ndërkombëtar të drogës janë liruar këtë të enjte nga detyra dy punonjës të Policisë Ushtarake. Ata janë Destan Shehu dhe Hajdar Nako, që të dy të akuzuar për shkelje të rënda dhe largim pa leje nga detyra. Shkeljet e tyre janë gjetur pas verifikimeve që kanë nisur pas ngjarjes së ndodhur në Spanjë. / Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>