Në Shqipëri drejtori i Agjencisë së Legalizimeve, Artan Lame tha sot se pjesa më e madhe e territorit të vendit rezulton e parregjistruar në zyrat e hipotekave duke bërë që cështja e pronësisë të kthehet në një burim konflikti dhe abuzimesh.
“Gjithë bregdeti i Jugut është i parregjistruar. Nuk ka ndodhur më kot. Eshtë lënë, jetë e mot, në këto 20 e ca vjet i parregjistruar, për t’u shqyer. Dhe me thënë të drejtën, ja kanë dalë, ka funksionuar. Përgjithsisht, në rang Republike, pa bërë ndarje, as PD e as Ps, as blu e të kuq, se hajdutëria nuk ka ngjyrë, aty ku janë përzierë, administratat vendore janë përzierë njësoj në këtë proces”
Zoti Lame tha se kontrollet e kryera ne lidhje me rregjistrimet e tokave bujqësore kanë nxjerrë problematika në thuajse të gjithë vijën bregdetare nga Veriu në Jug të vendit. Shkeljet kanë të bëjnë me mënyrat e lëshimit të titujve të pronësisë apo ndryshimin e zërit kadastral të tokës, në tokë bujqësore pa qenë e tillë.
Qeveria shqiptare ka vendosur së fundmi “pezullimin e regjistrimit të titujve të pronësisë në bregdet dhe mbi reformën e pronës në tërësi me qëllim që të bllokojë të gjithë ata që kanë abuzuar me pronat dhe i kanë tjetërsuar ato në mënyrë të paligjshme”.
Për abuzimet me pronat janë ndërmarrë disa hetime që kanë zbuluar parregullsi mbi sipërfaqe të mëdha në zonën e Karaburunit, Kavajës e së fundmi dhe në bregdetin e Lezhës. (voa)