Arben Ahmetaj, jo vetëm që u përfshi në koncesionin e inceneratorit të Elbasanit, por kishte edhe një rol thelbësor në përcaktimin e formës së procedurës së ndjekur.
Dokumentet e siguruara nga Top Channel tregojnë se si Ahmetaj, përmes vartësve të tij në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes, përcaktoi të gjithë procedurën dhe vendimmarrjen e institucioneve të tjera të përfshira në proces.
Një dokument i datës 8 tetor 2014-të, që është firmosur nga Frederik Seiti, në atë kohë Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së drejtuar nga Arben Ahmetaj, përcakton Zamir Stefanin si përfaqësues të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes në komisionin e dhënies me koncesion të inceneratorit të Elbasanit.
Por, cili ishte roli i Zamir Stefanit si anëtar i Komisionit? Përgjigjen e japin dëshmitë e dy anëtarëve të tjerë të komisionit që miratuan koncesionin dhe që janë marrë nën akuzë. Etleva Kondi, përfaqësuesja e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në këtë koncesion thotë para SPAK:
“Me propozim edhe të juristit të Komisionit, i cili ishte në detyrën e drejtorit juridik dhe legjislacionit në Ministrinë e Zhvillimit, Ekonomisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes (fushë e veprimtarisë së të cilës ishin edhe vetë koncesionet), propozoi dhe argumentoi si ligjore dhe në përputhje me ligji me ligjin idenë e referimit të zhvillimit të procedurës në kushte emergjente, duke iu referuar ligjit për prokurimin publik, negociim pa shpallje, i cili na argumentoi se ligji për koncesionet nuk parashikon situata emergjente dhe konkretisht, dispozitat e këtij ligji shpreheshin se përveçse kur rregulloheshin ndryshe nga ky ligj, kuptimi i termave të përcaktuar në ligjin e prokurimit publik zbatohet për këtë ligj në përputhje me rrethanat. Konkretisht nenet 3, pika 19, si dhe nenin 33/1 të ligjit për prokurimin publik, për kushtet e emergjencës”.
Deklarata e Etleva Kondit përforcohet nga dëshmia po në SPAK e Bardhul Çabirit, që në komisionin e vlerësimit të ofertave ishte në cilësinë e përfaqësuesit të Bashkisë së Elbasanit. Çabiri u pyet se cilët ishin anëtarët e tjerë të komisionit, institucionet nga vinin dhe rolet e tyre. Në përgjigjen e tij ai shprehet:
“Zamir Stefani, i cili më duket vjen nga Ministria e Ekonomisë dhe ishte jurist dhe drejtonte të gjithë procesin nga ana juridike”.
Dy dëshmitë sugjerojnë se ideja për dhënien e koncesionit me negociim pa shpallje, që binte ndesh me parashikimet e ligjit të prokurimeve buron nga Ministria e drejtuar në atë kohë nga Arben Ahmetaj, duke vënë në dyshim të gjitha pretendimet e ish-ministrit se ka pasur zero rol në gjithë procesin.
Top Channel