Aleksandër Vuçiç – kryeministri i parë serb që viziton Tiranën

Vizita në Tiranë e kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç më 27 Maj vlerësohet si një ngjarje historike për marrëdhëniet Shqipëri-Serbi. Të dyja vendet kanë rol kyç për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan.

vucic ramaAleksandër Vuçiç është kryeministri i parë serb që pritet të vizitojë Shqipërinë (27.05). Faktorë të shumtë që kanë të bëjnë me historinë e shkuar dhe atë postkomuniste mes dy vendeve, nacionalizmin, ideologjinë, kulturën dhe mbi të gjitha me çështjen e Kosovës kanë bërë, që marrëdhëniet mes dy vendeve fqinjë të kenë qenë tepër të dobta, por sidomos të vështira. Por në pesë vitet e fundit nisi një dialog politik në rritje, i frymëzuar nga perspektiva e përbashkët e anëtarësimit në BE, e cila, po dëshmon se është më e fuqishme sesa rikthimi tek paragjykimet dhe stereotipet e së shkuarës. Argument “par excellence” është edhe kapërcimi nga të dyja palët i incidentit të dronit apo “përleshjes për flamurin” në ndeshjen e futbollit Shqipëri- Serbi, në Beograd, në vjeshtën e kaluar.

Vuçiç në Tiranë – një kapitull i ri në marrëdhëniet Shqipëri-Serbi

Ilir Boçka, ambasador i Shqipërisë në Beograd, diplomat i mirënjohur karriere, e vlerëson vizitën e kryeministrit Vuçiç si fillimin e një etape të re emancipimi dhe përpjekjesh të përbashkëta të dy vendeve në rrugëtimin e tyre drejt BE-së. “Kjo vizitë është një ngjarje e shënuar, që vjen krejt natyrshëm, si një hap i dytë pas vizitës në Beograd, në nëntorin e kaluar, të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Këto vizita dypalëshe si edhe kontaktet e tyre të shpeshta në forume e tribuna ndërkombëtare, dëshmojnë se tashmë jemi në një kapitull të ri dhe dinamik të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë. Më vjen mirë që tashmë po lemë pas rekorde të trishtuara intervalesh kohore të gjata të mospasjes së marrëdhënieve apo të marrëdhënieve të zbehta, për të hyrë në një etapë të re emancipimi e perpjekjesh të përbashkët për arritjen e qëllimeve, që për momentin janë identike: futja në familjen e madhe të Bashkimit Europian » thotë për DW, ambasadori Boçka.

Fillimin e një etape të re duket se e dëshmuan edhe punimet e Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Jug-Lindore ( SEECP) që përfunduan fundjavën e kaluar në Tiranë, ku morën pjesë 11 vende të rajonit, përfshirë edhe Serbinë. Në deklaratën përfundimtare Serbia ishte dakort që Kosova “të inkurajohet” të marrë pjesë në të gjitha aktivitetet e kësaj Asambleje.

Forcat proeuropiane në gjirin e shoqërisë serbe në rritje

Dr. Albert Rakipi, Drejtor Ekzekutiv i Institutit Shqiptar për Marrëdhënie Ndërkombëtare e konsideron të rëndësishme vizitën në Tiranë të kryeministrit Vuçiç. “Ajo do t’u japë një shtysë përpara marrëdhënieve dhe dialogut politik mes dy vendeve, që në pesë vitet e fundit kanë dalë nga stanjacioni historik, flas për një komunikim më të madh mes dy tregjeve, kontakte dhe shkëmbime kulturore. Kjo ka treguar se qëndrimet diametralisht të kundërta që kanë Serbia dhe Shqipëria për Kosovën, nuk po bëhen pengesë në marrëdhëniet mes tyre.”

Sipas tij, udhëheqësit politikë të Shqipërisë kanë treguar qartësi dhe vizion kur kanë qenë të vendosur dhe kanë ndërmarrë hapa konkretë për të thelluar marrëdhëniet, pavarësisht nga marrdhëniet e Serbisë me Kosovën”.

Por nuk është vetëm Kosova molla e sherrit mes dy vendeve. Dy vendet fqinjë nuk janë dakort edhe për çështje të tjera ku më spikaturat janë qëndrimi i Serbisë ndaj NATO-s dhe politikave të BE ndaj Rusisë, pas ngjarjeve në Ukrainë. Ambasadori i Shqipërisë në Beograd, Ilir Boçka shprehet se për këto çështje të diskutueshme Shqipëria ka shprehur qartë dhe fort qëndrimin e saj duke synuar njëkohësisht të mos mbetet peng i tyre. “Synojmë edhe urojmë që neser të kemi më pak çështje të tilla dhe më shumë vlera e interesa të përbashkëta zhvillimi në vendet tona dhe në rajon. Shqipëria ka njohur shtetin e ri, të pavarur të Kosoves si kanë bërë më shumë se njëqind shtete të tjera anëtare të OKB-së. Urojmë që edhe Serbia ta kalojë këtë pengesë, për të ecur më tej në rrugen e integrimit të plotë në BE. Jemi të inkurajuar nga fakti që forcat proeuropiane në gjirin e shoqërisë serbe janë në rritje dhe mbështesin kursin e vlerave të demokracisë dhe lirisë”, thekson Ilir Boçka.

Rruga për në BE- më e shkurtër, më e sheshtë nëse Ballkani ka bashkësi interesash

Nisma e re e BE për Ballkanin Perëndimor, e lançuar nga kancelarja Merkel, në Berlin në gushtin e vitit të kaluar, ka pasur ndikimin e saj për të thyer akullin historik mes Serbisë dhe Shqipërisë dhe për të mbërritur tek vizita e Vuçiç në Tiranë, të mërkurën, më 27 maj.

“Ky është nje moment i ri, i përvetësuar me shpejtësi nga lidershipi politik në të dyja vendet. Perspektiva e përbashkët, integrimi europian, është themeli i marrëdhënieve të mira mes dy vendeve. Mesazhi që vjen nga Brukseli është i qartë dhe besoj edhe i kuptuar mirë. Rruga për në BE është më e shkurtër dhe më e sheshtë, në rast se do të kemi më shumë bashkëpunim në rajonin e Ballkanit , me pak probleme e divergjenca, më shumë bashkësi interesash e lidhjesh” shprehet në bisedë për DW ambasadori i Shqipërisë në Beograd, Ilir Boçka .

Shqipëria dhe Serbia rol kyç për stabilitetin dhe paqen në Ballkan

Nisma e BE për Ballkanin Perëndimor ka ridimensionuar edhe rolin e marrëdhënieve të mira mes Shqipërisë dhe Serbisë në stabilitetin dhe paqen e rajonit. “Në qarqet politike e diplomatike, këtu në Beograd, kohët e fundit, pas këtij fillimi premtues në marrëdhëniet shqiptaro-serbe po përsëritet përherë dhe më shumë teza e peshës së veçantë që kanë për paqen e stabilitetin në rajon perspektiva e zhvillimit të marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Ne duhet që më tej të punojmë që ta justifikojmë këtë nominacion që vërtetë të kontribuojmë për paqen e stabilitetin në rajon » thotë ambasadori Boçka.

Roli kyç i dy vendeve për stabilitetin dhe paqen ne Ballkan ka të bëjë me një kontekst gjeo-strategjik. Sipas ekspertit Albert Rakipi ka ndryshime në politikën e jashtme të dy vendeve. Nëse «Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe që aspiron për t’u anëtarësuar në BE. Ajo është tepër e artikuluar në politikën e saj të jashtme dhe ka mbështetur pa ekuivoke dhe mëdyshje politikat e Perëndimit: BE, NATO, SHBA. Ndërsa Serbia ka hezitim kur është fjala për të mbështetur politikën e jashtme të BE dhe fton në Ballkan, një faktor tjetër, si është Rusia. Konteksti i zhvillimeve ndërkombëtare me Ukrainën e bën problematik këtë qëndrim të Serbisë. ”

Nga tjetër në Serbi ka hezitime, thotë Rakipi, jo vetëm të udhëheqësve politikë që veprojnë sipas interesave politike afatshkurtëra por edhe në shoqërinë serbe, ku nuk mungojnë idetë, edhe pse jo mbizotëruese, për një aleancë me Rusinë dhe rol të Rusisë në Ballkan. “Mendoj që Serbia kërkon të ketë ndikim në Ballkan. Por ajo duhet të përballet me të kaluarën dhe të kontribuojë për pajtimin e popujve në Ballkan pasi pajtimi dhe komunikimi është një vlerë themelore e BE” thotë për DW, Dr. Albert Rakipi.

Krijimi i Europës në vendet e Ballkanit

Në kuadrin e kësaj situate gjeo- politike, tregues domethënës i prirjes në marrëdhëniet Serbi-Shqipëri do të jenë paraqitja ose jo e projekteve të përbashkëta në takimin e Vjenës, që pason takimin e Berlinit, gushtin e kaluar. “Kam informacioneve që në takimin e Vienës do të hidhen në tryezën e diskutimit projekte të rëndësishme që lidhen me shtimin e lidhjeve e komunikimin midis të dy vendeve, në formën e autostradave, linjave hekurudhore dhe të tjera projekte, për të cilat palët kanë kohë që bashkëpunojnë. Besoj shumë se kjo do të jetë edhe tema kryesore e këtij takimi të rëndësishëm, i cili njëkohësisht do të shfrytëzohet edhe për shkëmbimin e ideve e pikëpamjeve për ta bërë këtë pjesë të Evropes më të begatë e më të sigurtë” thotë për DW, ambasadori shqiptar në Beograd, Ilir Boçka.

Fryma dhe temat e bisedimevetë në Tiranë, mes palëve, këtë të mërkurë, do të jetë një tregues sesi do të ecin marrëdhëniet Serbi –Shqipëri. « Nëse vijohet me teorite e “Shqipërisë së Madhe” dhe të konspiracionit atëhere kjo është një shenjë që elitat politike nuk janë të gatshme për t’u shkëputur nga e kaluara. Në bazë të marrëdhënieve të reja mes Serbisë dhe Shqipërisë duhet të jenë projektet të përbashkëta strategjike, në infrastrukturë, energji të financuara nga BE. Me të tilla investime strategjike mund të shkohet drejt stabilitetit, sigurisë dhe krijimit të Europës në vendet tona. Ky është një komponent shumë i rëndëssihëm që kryeministri Rama dhe Vuçiç e kanë diskutuar në takimet e tyre në Bruksel” thotë për DW, Albert Rakipi. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>