Shtetet e Bashkuara bënë thirrje për sundim të ligjit dhe për “sigurinë e procesit zgjedhor”, ndërkohë që bënë gjithashtu thirrje për qetësi në protestën që opozita në Shqipëri planifikon të mbajë të premten në mbrëmje.
Në një koment në Twitter të enjten mbrëma, ambasada e SHBA në Tiranë shkruante:
“Shtetet e Bashkuara duan atë që meriton populli shqiptar: sundim të ligjit që mbron punonjësit civilë dhe shkollat nga sulmet e pakuptimta, që mbron integritetin dhe sigurinë e procesit zgjedhor, dhe që mban premtimin e së drejtës së qytetarit për të protestuar paqësisht ndëkohë që bën që ata që përfshihen në dhunë të mbajnë përgjegjësi.”
“Nxisim të gjithë qytetarët dhe të gjitha institucionet kudo në Shqipëri që të mbështesin parimet e sundimit të ligjit, të refuzojnë dhunën në të gjitha format e saj, si dhe të ushtrojnë paqësisht të drejtat e tyre demokratike ndërkohë që lejojnë bashkëqytetarët e tyre të bëjnë të njëjtën gjë,” thotë ambasada në komentin e saj.
Ambasada u bën thirrje mbështetësve të opozitës që në tubimin e së premtes të mblidhen paqësisht dhe të refuzojnë energjikisht dhunën.
Thirrja vjen ndërkohë që tensionet mes opozitës dhe shumicës socialiste janë acaruar dhe janë shoqëruar me incidente të dhunshme.