Në Shqipëri, ambasada amerikane u shpreh sot se ajo priste një hetim të plotë për rastin e Ervis Martinajt, i mbetur i plagosur gjatë një përplasjeje me armë zjarri në një lokal në qendër të Tiranës, pak javë më parë, por dhe për ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.
Javën e shkuar ambasada amerikane dhe disa seli të tjera diplomatike në Tiranë përshëndetën vendimin e gjykatës së Krimeve të Rënda ndaj “Grupit Shullazi”. Në deklaratën e sotme, ambasada e SHBA-ve, shprehet se pret “përparim të vazhdueshëm në rrugën e Shqipërisë drejt sundimit të fortë të ligjit.” Duke folur për vendimin e djeshëm të Gjykatës së Apelit e cila la në burg pa afat Ervis Martinajn, ambasada thotë se “presim hetimin e plotë të tij” duke shtuar gjithashtu se “presim që sundimi i ligjit të zbatohet në hetimet në vazhdim për Saimir Tahirin”.
Për ish ministrin e Brendshëm prokuroria shqiptare kërkoi pak javë më parë shtyrjen e afatit të hetimeve duke shpjeguar se ishte në pritje të dokumentave të tjerë të kërkuar nga autoritetet e disa shteteve të huaja. Vetë zoti Tahiri, pak ditë më parë u shfaq publikisht për të deklaruar se hetimet në Itali për lidhjet e tij me grupin e Habilajve ishin mbyllur duke qenë se nuk ishte gjetur asnjë provë.
Zoti Tahiri reagoi në mbrëmje ndaj deklaratës së ambasadës amerikane, e cila në të vërtetë ka komentuar disa herë çështjen e hapur ndaj tij. “Siç nuk duhet të ndodhte në një vend normal, për fat të keq ka ndodhur që Ambasada Amerikane ka folur për hetimin ndaj meje, më shumë se ç’kam folur unë vetë”, shkruan zoti Tahiri ndërsa shton se “nuk besoj kurrë se Ambasada Amerikane është kthyer në Prokurori a Gjykatë. Ndaj e përshëndes prononcimin, me besimin se duam e presim të njejtën gjë; Drejtësia të bëjë Drejtësi”, e mbyll reagimin e tij ish ministri i Brendshëm. (voa)