Ambasadori i SHBA-vë në Shqipëri, Donald Lu, deklaroi sot se gjykatës dhe prokurorë të korruptuar dhe krerë të krimit do të përpiqen t’i vjedhin zgjedhjet e ardhshme, reformën në drejtësi dhe ekonominë e vendit, ndaj shoqëria civile dhe mediat duhet të jenë syçelur.
Ambasadori Lu tha në një konferencë për demokracinë shqiptare se “njerëz të fuqishëm po përpiqen të ruajnë kontrollin e tyre mbi gjykatat dhe prokurorinë. Prokurori i përgjithshëm për më shumë se 18 muaj ka folur vazhdimisht dhe me zë të lartë kundër reformës në drejtësi”.
Zoti Lu shtoi se në muajt nëntor dhe dhjetor “prokurorët u përpoqën dhe dështuan të sekuestronin serverin e kompjuterave të ILDKPI-së, që është jetik për vettingun”.
Ndërsa të premten e shkuar u hodh në Kuvend shorti për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, njëri prej disa institucioneve të reja, që do të mbrojë pavarësinë e gjyqësorit.
“Prokurori i përgjithshëm dhunoi frymën e përgjithshme të Kushtetutës, duke dërguar një listë me vetëm 3 prokurorë për të plotësuar pozicionet në të. Kushtetuta është e qartë, që këta anëtarë të KED duhet të përzgjidhen me short. Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë etj., dërguan lista të gjata me persona të pandikuar për shortin për pozicionet në KED. Në dallim me to, prokurori i përgjithshëm dërgoi një listë me vetëm 3 emra të përzgjedhur pa transparncë, për të plotësuar 3 poste” - tha ambasadori Lu.
Ai shtoi se hartuesit e reformës kishin parashikuar që njerëz të fuqishëm do të përpiqeshin t’i manipulonin KED. Në kushtetutë thuhet qartë se anëtarët e KED duhet t’i nënshtrohen menjëherë vetingut, por disa anëtarë të Këshillit kanë dhënë dorëheqjen në vend që të përballeshin të parët me vettingun.
“Ne do t’i ndjekim nga afër për të parë nëse komisionet e vettingut, do t’i përmbahen kësaj kërkese, dhe nëse të gjithë antarët e KED do të kalojnë procesin e vetingut” - tha zoti Lu.
Javën e ardhshme, bëri të ditur ai, do të mbërrijnë gjykatës dhe prokurorë amerikanë dhe nga BE-ja për fillimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Kuvendi do të vlerësojë kandidatët për komisionet e vetingut, dhe më pas ata do të shërbejnë si monitorues për secilin prej komisioneve të vetingut, për t’u siguruar që kjo reformë do të kryhet pa anësi politike dhe apo paaftësi profesionale.
“U bëjmë thirrje gjyqtarëve patriotë e të kualifikuar që të aplikojnë për të shërbyer në komisionet e vetingut. Mesazhi im sot është i qartë: SHBA i kanë sytë këtu. Edhe BE dhe vendet e tij anëtare. Edhe OSBE-ja. Edhe Këshilli i Europës. Dhe më e rëndësishmja: populli shqiptar dhe shoqëria civile duhet të rrinë syhapur për të parandaluar njerëz të fuqishëm të vjedhin demokracinë” - theksoi ambasadori amerikan Lu.
Por prokuroria e përgjithshme i hodhi poshtë akuzat se ka penguar reformën në drejtësi. Një zyrtare e kabinetit të prokurorit të përgjithshëm tha se prokuroria e ka mbështetur reformën në drejtësi dhe ka dhënë sugjerime, që janë mbështetur edhe nga Komisioni i Venecias.
Ajo tha se deklaratat e sotme janë një sulm i hapur paprecedent i një diplomati ndaj prokurorisë së përgjithshme dhe janë në vazhdën e një serie shantazhesh dhe presionesh të mëparshme, për të cilat është njoftuar presidenti i Republikës.
Në deklaratën e prokurorisë u përmendën edhe mosdhënia e vizave të udhëtimit drejt SHBA-ve për prokurorin e përgjithshëm dhe familjarë të tij, si dhe për prokurorë të tjerë.
Prokuroria e përgjithshme publikoi edhe një letër dërguar presidentit Nishani lidhur me presionet, që sipas saj, i ka bërë ambasadori amerikan, si dhe mbi mohimin e vizave të udhëtimit. (voa)