Në Tiranë, çështja e integrimit europian zuri sot një vend të rëndësishëm në Konferencën e ambasadorëve të Shqipërisë. Në fjalën e tij përshëndetëse, kryeministri Edi Rama tha se pavarësisht dinamikave brenda Bashkimit europian, vendi duhet të punojë që të jetë gati për anëtarësimin e tij në vitin 2030. Nga ana e tij ministri i Jashtëm Igli Hasani u shpreh se synimi më i afërt është nisja sa më parë e bisedimeve me Brukselin për grup-kapitujt e parë.
Shqipëria synon të përfitojë nga momenti i favorshëm i frymës së re pro zgjerimit të Bashkimit europian, e nxitur nga agresioni rus në Ukrainë. Plani i ri i rritjes ekonomike, i cili ka si objektiv të mbështesë avancimin e vendeve të rajonit, duke i ofruar atyre përveç përfitimeve financiare dhe qasje në instrumenta të cilat deri më tani ishin të mundshme vetëm pas procesit të anëtarësimit, shihet gjithashtu si një mundësi jo e vogël për të bërë përpara, ndërsa paralelisht duhet të ecet me procesin e bisedimeve.
Në fjalën e tij në hapje të konferencës së ambasadorëve të Shqipërisë, kryeministri Rama u shpreh se vendi duhet të jetë gati për anëtarësim, në vitin 2030: “Kjo është ana jonë, kjo është detyra jonë. Dimë shumë mirë që ulja në atë tryezë sa ç‘është një proces i përmbushjes së të gjitha kritereve dhe i përmbylljes së të gjitha detyrave, është dhe një proces vendimmarrjeje politike, por çka na takon ne, qoftë në aspektin politik, qoftë në aspektin teknik është 100% e qartë, ne duhet të jemi gati”.
Janë bërë tanimë dy vite që kur në Bruksel u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare mes Bashkimit europian dhe Shqipërisë për nisjen e bisedimeve për antarësim. Por ndërsa vendi përmbyllte procesin e vlerësimit të legjislacionit nga ana e Komisionit Europian, arrestimi në maj të vitit të kaluar i Fredi Belerit, kryetarit të zgjedhur të Himarës, pasoi me qëndrimin bllokues të Greqisë për procesin e bisedimeve. Zoti Rama nuk e preku fare këtë moment, dhe as ministri i Jashtëm Igli Hasani, i cili megjithatë zgjodhi të përdorte një shprehje të vjetër me një referencë greke për të shprehur mosaprovimin për vonesat e procesit: “Ne jemi gati! Madje kemi qenë gati! Edhe Komisioni Evropian ka qenë gati, por ndërkohë na nevojitet dakordësia e të gjithëve; shpresoj dhe besoj se është vetëm çështje kohe. Ma merr mendja se koha e pritjes së kalendave greke i përket sot e gjithë ditën të shkuarës”.
Ministri Hasani u duk megjithatë optimist për ecurinë e bisedimeve ndërsa deklaroi se “në planin praktik, synimi ynë imediat për vitin 2024 është, të hapim sa më parë bisedimet për grupimin e parë të kapitujve, të ashtuquajturin themelorët, gjatë Konferencës së dytë Ndërqeveritare. Po ashtu, para fundit të vitit edhe një grupkapitujsh tjetër, duke krijuar kështu një kantier pune ambicioz, jo thjesht e vetëm pretencioz, por përmbi gjithçka tjetër realist dhe të realizueshëm. Është humbur shumë kohë, ndaj nuk duam të humbasim më as edhe një minutë”.
Diplomacia shqiptare dhe zhvillimet në rajon ishin një tjetër çështje e trajtuar gjatë konferencës së ambasadorëve. Kryeministri Rama u shpreh se përpjekjet dhe energjitë duhet të përqëndrohen “për ta bërë rajonin sa më bashkëpunues, më paqësor dhe më të ndjeshëm ndaj të ardhmes dhe më pak të ndjeshëm ndaj të shkuarës“.
voa