Arrihet marrëveshja, hapet Aeroporti i Kukësit

kukesi aeroportiKontrata që i garantonte ekskluzivitetin e fluturimeve në gjithë Shqipërinë kompanisë koncesionare që menaxhon Aeroportin e Rinasit, është ndryshuar. Ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto njoftoi arritjen e marrëveshjes me kompaninë dhe hapjen për fluturime të Aeroportit të Kukësit, i cili prej disa vitesh ndodhej në pritje.

Në një konferencë për mediat me përfaqësues të kompanisë koncesionare të Rinasit, ministri i Transporteve Haxhinasto bëri me dije arritjen e marrëveshjes që zhbllokon fluturimet për qëllime civile .

“Është një ditë me mjaft rëndësi për aviacionin civil shqiptarë sepse do të vendosim në funksion Aeroportin e Kukësit”, deklaroi Haxhinasto, duke shtuar se kjo do të ndihmojë në ofrimin e tarifave dhe çmimeve më konkurruese në rajon.

E pranishme në konferencë ishte edhe ministrja e Ekonomisë, Milva Konomi.

“Hapëm mundësinë për të patur lëvizje më të gjerë për të gjithë ata që duan të vizitojnë Shqipërinë, si në pjesën Veriore dhe në atë Jugore. Kjo është një nxitje për sektorin e turizmit dhe zhvillimit ekonomik të vendit, pasi siç tregojnë statistikat, çdo për çdo 15 vetë që vizitojnë vendin tonë kemi një të punësuar”, deklaroi ajo.

Nga ana e tij, ministri Haxhinasto deklaroi se në këmbim të hapjes së Aeroportit të Kukësit, kompanisë koncesionare të Rinasit i është zgjatur kontrata me dy vjet.

“Parimi i këtyre bisedimeve ka qenë që kompania të mos dëmtohej në planin e saj të biznesit, që do të thotë që çdo reduktim i numrit të pasagjerëve do të kompensohet me periudhën e zgjatjes koncesionare. Ne do të respektojmë koncesionarët në Shqipëri”, deklaroi ai.

Hapja e Aeroportit të Kukësit do të krijojë rreth 200 vende të reja pune, ndërkohë që Haxhinasto deklaroi se po bëhet studimi i mundësisë për hapjen e një aeroporti tjetër në Jug të vendit.

Që marrëveshja të hyjë në fuqi, duhet më parë të kalojë në Këshillin e Ministrave dhe më pas në seancë plenare në Kuvend, që ministri Haxhinasto tha se do të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Ndërkohë nga ana tjetër burime të sigurta konfirmojnë se vetë koncesionari i Rinasit është në prag të shitjes së aksioneve tek një kompani kineze. I pyetur për këtë çështje Holger Linkëeiler, Kryetar i Këshillit Administrativ të TIA-s u shpreh se ka nje interes të tillë për zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës dhe se janë në fazë diskutimi. Ai deklaroi se do të njoftohen autoritetet shqiptare në rast të ndryshimit të aksionerëve, por aktualisht pronarët, të paktën nga ana juridike nuk kanë ndryshuar.

/ Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>