Audiopërgjimi me vëllanë e Xhafajt, dënohet ish deputeti Salianji

SalianjiNë Shqipëri prokuroria ka konsideruar fajtor për veprën penale të kallëzimit të rremë, katër personat e përfshirë në audio-përgjimin e supozuar të vëllait të ish ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Prokuroria ka kërkuar dënim për Albert Veliun, personin që pranoi se kishte bërë përgjimin, Fredi Alizotin, i cili u zbulua më pas se kishte qenë njeriu që ishte hequr si Geron Xhafaj, vëllai i ish ministrit, në bisedën me Veliun, gazetarin Jetmir Olldashi, i cili e deklaroi publikisht se kishte qenë ai që i kishte dhënë pajisjen përgjuese Veliut, dhe ish deputetin demokrat Ervin Salianji, i cili e bëri publik faktin dhe e mbrojti përmbajtjen e bisedës.

Për Albert Veliun, prokuroria ka kërkuar 3 vite e 6 muaj burg, duke qenë se përveç akuzës së “kallëzimit të rremë”, është gjendur fajtor dhe për “Kalim të paligjshëm të kufirit”. Për Fredi Alizotin, janë kërkuar 3 vite burg. Edhe për gazetarin Olldashi është kërkuar 1 vit burgim, por i konvertuar në 200 orë punë në komunitet, ndërsa për ish deputetin Salianji 1 vit e 6 muaj burgim të konvertuara në 3 muaj shërbim prove.

Në përfundimet e prokurorisë vlerësohet se “të pandehurit Albert Veliu, Fredi Alizoti, Jetmir Olldashi dhe Ervin Salianji, në bashkëpunim me njëri tjetrin dhe nisur nga motive personale, kanë krijuar një provë të rremë në formën e një audio përgjimi me qëllim ngritjen e një dyshimi se nga ana e Geron (Agron) Xhafaj, ishte konsumuar një vepër penale në fushën e narkotikëve”. Prokurorët kanë shpjeguar se Veliu dhe Alizoti kanë vepruar duke patur si motiv marrjen e një shpërblimi material nga ana e të pandehurit Ervin Salianji. Sipas prokurorisë, ish deputeti i ka premtuar Albert Veliut 200 mijë euro si shpërblim nëse do t’i sillte të dhëna që inkriminonin vëllain e ish ministrit Xhafaj, në atë kohë në krye të mnistrisë së Brendshme. Veliu, theksohet në pretencën e Prokurorisë “ka patur si motiv dhe marrjen e statusit të azilantit për vete dhe familjen. Ndërsa ish deputeti demokrat, i cilësuar si “nxitës dhe organizator i këtij procesi dhe Jetmir Olldashi, si ndihmës i drejtëpërdrejtë i tij, kanë patur si motiv, dëmtimin politikisht të shtetasit Fatmir Xhafaj (vëllai i Geron Xhafaj) që në atë kohë ishte me detyrën e ministrit të Brendshëm.

Në fakt, publikimi i audio-përgjimit, pasoi një fushatë të tërë të opozitës kundër zotit Xhafaj, duke kërkuar me ngulm dhe dorëheqjen e tij si dhe duke organizuar protesta përpara ministrisë së Brendshme. Zoti Xhafaj, akuzoi që në atë kohë opozitën si autore të një materiali të sajuar, ndërsa i vëllai i tij hodhi poshtë kategorikisht të kishte patur biseda me Albert Veliun, një personazh i dënuar me burg për trafik droge në Itali dhe më pas edhe në Shqipëri. Vetë Geron Xhafaj, ndaj të cilit kishte një dënim të mbetur pezull në Itali, i përfshirë në një rast trafiku droge në vitin 2003 në Itali, ju vetdorëzua autoriteteve italiane për të shlyer dënimin, pas akuzave të opozitës se ishte marrë në mbrojtje nga vëllai i tij ministër.

Pas përfundimit të seancës së sotme, ish deputeti Salianji foli për një akt politik sipas tij, nga ana e Prokurorisë e cila siç tha ai “nuk solli asnjë provë të re. Duhet thënë se kjo nuk është drejtësia e re, janë prokurorë të drejtësisë së vjetër të përfshirë në llumin dhe batakun e korrupsionit”, u shpreh zoti Salianji i cili në sallën e gjyqit u mbështet nga një numër i konsiderueshëm figurash politike të Partisë Demokratike.

Edhe kryetari demokrat Lulzim Basha, foli sot për një “gjyq politik”, duke sulmuar prokurorët e çështjes. “Edi Rama përdori dy prokurorë të korruptuar, Kolë Hysenaj dhe Genci Qana, që zbatuan sot skenarin e dështuar për t’i mbyllur gojën opozitës. Pretenca e dy prokurorëve të korruptuar është paracaktuar nga Edi Rama që të nesërmen e publikimit të skandalit”, u shpreh zoti Basha.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>