Shpërthimi i pusit në Marinzë, kryeministri Rama: Kompania 100 përqind përgjegjëse. Të dëmshpërblejë banorët dhe të paraqesë sa më parë planin e rehabilitimit
Në Shqipëri kryeministri Edi Rama deklaroi sot se do të kërkojë angazhimin e një auditi ndërkombëtar për të vlerësuar kontratën që shteti ka me kompaninë kanadeze Bankers Petroleum. Deklarata e kryeministrit vjen pak ditë pas shpërthimit të një pusi në zonën e Marinzës, i cili shkatoi dëme të shumta në zonën e banuar përreth. Zoti Rama tha se kompania duhet që një orë e më parë të bëjë dëmshpërblimin e plotë të banorëve, ndërkohë që ministri i tij i Mjedisit Lefter Koka, në takim me banorët e Marinzës u shpreh se nëse rehabilitimi i zonës nuk bëhet brenda afateve të përcaktuara do të kërkohet dhe prishja e kontratës.
Kryeministri Edi Rama përdori sot tone të ashpra ndërsa për herë të parë u shpreh për situatën e krijuar në Marinzë, ku pak ditë më parë shpërthimi i një pusi u shoqërua me pasoja të shumta dhe të rënda për banorët e zonës. “Përgjegjësia është 100% e kompanisë. Kompania duhet të dëmshpërblejë 100% të gjithë të dëmtuarit. Duhet ta bëjë këtë një orë e më parë. Duhet ta bëjë sipas standardeve ndërkombëtare, sepse, pavarësisht sesi mund t’i dukemi ne, njërit apo disave që nuk flasin shqip, në vendin tonë ne jemi po kaq ndërkombëtarë sa ndërkombëtarët dhe jo vetëm meritojmë, por do të sigurojmë që çdolloj ndërkombëtari, sado i pasur që të jetë, nëse bën biznes në Shqipëri, të mos guxojë të trajtojë asnjë shqiptar sikur të jetë një qenie e dorës së dytë”, u shpreh kryeministri.
Bankers Petroleum është kompania më e madhe dhe me aktivitetin më të gjerë në nxjerrjen e naftës në Shqipëri. Ajo ka qenë shpesh në qendër të debateve lidhur me përfitimet që pala shqiptare ka patur nga kontrata e lidhur me kanadezët që në vitin 2004. Kryeministri Rama tha sot se do të kërkojë një audit ndërkombëtar pikërisht për vlerësimin e kësaj kontrate: “Ne do të marrim falë ekspertizës më të mirë ndërkombëtare, edhe rezultatin e të gjithë problematikave që ka kompania me kontratën, me shtetin dhe me qytetarët shqiptar dhe për çdo problematikë që do të rezultojë si një problem mes kompanisë dhe shtetit, kompania do të vihet para përgjegjësisë, njësoj siç vihet para përgjegjësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada, në Francë, në Gjermani apo kudo qoftë. Ne nuk jemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk jemi Kanadaja, nuk jemi Franca, nuk jemi Gjermania, ne jemi Shqipëria dhe nuk kemi luksin që të mbyllim sytë, apo që të humbasim qoftë edhe një litër naftë nga kjo pasuri që nuk na e kanë dhënë të huajt dhe nuk mund të na e marrin të huajt dhe të na e zhvatin si t’iu teket atyre. Kjo histori do mbarojë”.
Kryeministri tha se kompania duhet që një orë e më parë të paraqesë planin afatmesëm të rehabilitimit të zonës. Ndërsa ministri i Mjedisit Lefter Koka, në takim me banorët e zonës, paralajmëroi prishjen e kontratës nëse nuk do të respektohen afatet e rehabilitimit: “Në shtator të vitit 2014, kemi nisur inspektimet në këtë zonë. Në tetor kemi vendosur një masë administrative për kompaninë dhe në fund të shkurtit kemi kërkuar pezullimin e aktivitetit. Do të vazhdojmë veprimet tona ligjore. I drejtohem Albpetrolit si enti kontraktues me kompaninë Bankers, nëse nuk do të vendosë dhe nuk do të rikthejë zonën, brenda afateve të mirëcaktuara, në një parametër optimal, do t’i kërkojmë largimin dhe prishjen e kontratës me kompaninë”.
Veprimtaria në zonën e pusit që shpërtheu është pezulluar, dhe ministri i Energjitikës Damian Gjiknuri duke folur për këtë cështje në komisionin e Aktiviteteve prodhuese të parlamentit nënvizoi se nuk do të bëhet asnjë veprim derisa të ketë një projekt të qartë e të integruar se si do të shfrytëzohet më tej zona. (voa)