Në Shqipëri, kryetari demokrat Lulzim Basha ka ashpërsuar dhe më tej tonet ndaj paraardhësit të tij Sali Berisha. Gjatë mbledhjes me kryetarët e 71 degëve të Partisë Demokratike zoti Basha ka kërcënuar deri me një përjashtim të mundshëm të tij nga forca politike të cilën e drejtoi deri në vitin 2013.
“Do ta zbatoj Statutin ndaj kujtdo. Kush shkel vendimin e Kryesisë së Partisë, fatin e ka te caktuar nga Statuti i Partisë, përfshirë këtu edhe Sali Berishën. Boll është boll. Asnjë anëtar nuk është mbi Statutin dhe nuk është mbi të tjerët”, mësohet të jetë shprehur zoti Basha gjatë mbledhjes.
Neni 27 i Statutit të PD-së për “Masat disiplinore” parashikon se “thyerja e disiplinës së brendshme të Partisë, ndërmarrja e veprimeve, në çdo formë apo mënyrë, që dëmtojnë interesat elektorale apo politike të PDSH-së, dhe mosplotësimi i detyrimeve të anëtarësisë sjell sanksione dhe kufizime të të drejtave të anëtarit të PDSH-së… Masat disiplinore që mund të merren ndaj anëtarëve janë: paralajmërimi, pezullimi dhe përjashtimi”.
Dy ditë më parë, Kryesia e PD-së, me shumicë dërrmuese të votave miratoi propozimin e zotit Basha për thirrjen e Kuvendit kombëtar të kësaj force politike, më 18 dhjetor, një javë pas datës që zoti Berisha dhe mbështetësit e tij, kishin paralajmëruar për thirrjen e Kuvendit, bazuar në një kërkesë të cilën ata thanë se e kanë firmosur 4200 anëtarë të Kuvendit.
Propozimi i zotit Basha, pasoi një debat të zjarrtë mes palëve mbi parashikimet statutore dhe të rregullave të partisë mbi verifikimin e firmave. Zoti Berisha e kundërshtoi menjëherë, duke folur për një “përpjekje qesharake” për të bllokuar mbajtjen e Kuvendit, i cili siç theksoi ai do të zhvillohet në datën e caktuar.
“Do të bëjë Sali Berisha miting më 11 dhjetor? Apo mendon se do të ngrejë struktura paralele? Ka thënë që nuk e njeh Kuvendin e dateës 18 si Kuvend legjitim. E kuptoj, asgjë legjitime nuk njeh Sali Berisha. Sepse qëllimi është ilegaliteti, bunkerizimi, destabilizimi i PD. Por veprimet ilegjitime, tentativa për bunkerizim, dëmtimi i interesave elektorale dhe politike të PD, e kanë përgjigjen në Statut”, ka deklaruar zoti Basha.
Përplasja e fortë që rrezikon të çojë në një ndarje të thellë të forcës kryesore të opozitës, erdhi pas vendimit të zotit Basha për të lënë jashtë grupit parlamentar të PD, zotin Berisha, si pasojë e shpalljes së tij “non grata” nga Departamenti amerikan i Shtetit. Në situatën e krijuar, kryetari demokrat mësohet të ketë thënë se përballë PD-së ka vetëm dy zgjidhje “ose ne do të jemi një parti e pranueshme për Perëndimin dhe Shtetet e Bashkuara, mikun tonë të madh, ose do të jemi një parti non-grata. Nuk ka zgjidhje tjetër dhe kushdo me mend në kokë e kupton që është ekzaktësisht kështu.”- theksoi Basha.
Gjatë mbledhjes, të paktën 5 kryetarë degësh, janë shprehur qartazi në mbështetje të lëvizjes së ndërmarrë nga zoti Berisha. Sekretari i Përgjithshëm Gazmend Bardhi, tha pas takimit që zgjati disa orë, se kishin raportuar për një shqetësim për degët që drejtonin. “Këta 5 kryetarë kanë shfaqur një shqetësim të tyre në lidhje me Kuvendin Kombëtar të PD, janë dëgjuar me shumë respekt edhe pse ishin pakicë në mbledhje, janë respektuar, mendimi i tyre është dëgjuar me shumë vëmendje, janë sqaruar për çdo çështje që kanë kërkuar sqarim”, shpjegoi ai.
voa