Bashkim Dedja: Ligji për Byronë e Hetimeve, papajtueshmëri kompetencash

Bashkim DedjaKryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Bashkim Dedja, ndodhet këto ditë në Shtetet e Bashkuara për vizitë, gjatë së cilës do të ketë takime me institucione të drejtësisë amerikane në nivelin shtetëror dhe federal, në kuadër të bashkëpunimit mes tyre dhe Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri.

Intervistë e zoti Dedja për Zërin e Amerikës.

 

Zëri i Amerikës: Zoti Dedja, cili është synimi i vizitës tuaj.

Bashkim Dedja: Unë ndodhem këtu në Shtetet e Bashkuara për një vizitë me ftesë të Seton Hall University, School of Diplomacy and International Law, të George Washington Law School, kam disa takime në Departamentin e Shtetit për çështjet në Evropën Qëndrore dhe Jugore, për të drejtat e njeriut, takim në Gjykatën Supreme, në Gjykatën e Apelit, në Gjykatën e Distriktit, ku krahas referencës që unë do mbaj në universitete do kem edhe takime për sa i përket njohjes me Gjykatën Kushtetuese, vendosje të urave të bashkëpunimit dhe çfarë mund të bëjmë për të mirën e bashkëpunimit me instititucionin tonë në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Kalojmë tani tek problematika në Shqipëri. Vitin e fundit duket se në Gjykatën Kushtetuese ka patur një fluks në rritje të kërkesave për interpretimin e legjislacionit. Sipas jush, arsyeja cila është? Janë përplasjet e vazhdueshme politike dhe mosmarrëveshjet e vazhdueshme politike, apo këto ligje miratohen pa konsulencën e duhur dhe janë të mangëta nga ana e përbërjes së tyre ligjore, pra lënë për të dëshiruar në këtë drejtim?

Bashkim Dedja: Besoj që janë të dyja arsyet, edhe përplasjet politike dhe mosdakortësia e palëve në ndërtimin e një ligji, dhe e dyta mospasja parasysh sa duhet e rregullave të teknikës ligjore dhe përqasjen me kushtetutën. Dhe, arsyeja tjetër është edhe fakti që shumë ligje bëhen edhe pa konsulencën e nevojshme, pa marrë kohën e duhur të debateve dhe diskutimeve me grupet e interesit, dhe njëkohësisht me një shpejtësi, urgjencë, të cilat çojnë në gabime, në ligje të paplota, të pasakta, ose që vijnë në kundërshtim me kushtetutën. Natyrisht që njëra nga arsyet e këtyre përplasjeve është edhe mosgjetja e konsensusit mes palëve, për të gjetur atë që është më të mirën, për t’i shërbyer vendit nëpërmjet ligjeve të cilat të jenë demokratike në përqasje me kushtetutën dhe me standartet ndërkombëtare, por edhe mungesa e bashkëpunimit midis palëve dhe e besimit reciprok që nuk ekziston midis tyre.

Zëri i Amerikës: Pra, mbetet ende për të dëshiruar. Kalojmë në një temë tjetër. Ose, e njëjta temë, por një çështje tjetër. Ndër vendimet e fundit të gjykatës është edhe rrëzimi për Byronë Kombëtare të Hetimeve. A mund të na thoni se cilat ishin arsyet për rrëzimin e këtij projekti të qeverisë?

Bashkim Dedja: Kjo çështje u shqyrtua nga Gjykata Kushtetuese. Është marrë vendimi që është shfuqizuar kapitulli i ligjit që ka të bëjë me Byronë Kombëtare të Hetimeve. Akoma nuk është bërë publik vendimi sepse është në ripunim e sipër, por dy ishin arsyet madhore që gjykata vendosi të marrë një vendim të tillë. Së pari, në këtë ligj nuk janë respektuar standartet kushtetuese që kanë të bëjnë me mospërplasjen midis institucioneve, dhe midis kompetencave të organeve të posaçme që merren me hetimin e çështjeve penale.

Zëri i Amerikës: Cilat institucione, më konkretisht?

Bashkim Dedja: Kishte papajtueshmëri midis kompentencave të Prokurorisë, të cilat njihen nga Kushtetuta, që sipas Kushtetutës së Shqipërisë dhe Ligjit për Prokurorinë e Përgjithshme është i vetmi organ që ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në gjyq. Ndërkohë që sipas Ligjit të Byrosë së Hetimeve, Byroja Kombëtare e Hetimeve ushtronte, ndjek hetime, dhe kryen hetime në lidhje me vepra penale që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe veprimtarinë penale lidhur me të. Qenia e kësaj dispozite krijonte paqartësi në lidhje me kush i udhëheq këto hetime, sepse Kushtetuta ka ngarkuar Prokurorinë; kush i mbikëqyr dhe vendos në lidhje me këto hetime, së pari. Së dyti, vetë dispozita, duke u thënë në fjalët e përmendura në ligj, që ushtron ndjekjen penale për veprën penale të fushës në luftën kundër korrupsionit, nuk ka të përcaktuar se cilat janë këto llojë veprash penale dhe krijonte një paqartësi në lidhje me kuptimin e vetë dispozitës, por paqartësi edhe në zbatimin praktik të tij, që mund të çonte në përplasje midis prokurorisë dhe policisë. Kush do të hetojë këto lloj veprash penale, ose mund të kishte edhe dualizëm midis tyre. Duke patur parasysh që në fushën e korrupsionit, ka edhe organe të tjera të cilat bëjnë veprimtari gjurmuese, siç janë p.sh. në fushën e tatimeve, të taksave, doganave, administratën publike, aty ku kryhen veprime korruptive. Duke qenë se kjo paqartësi krijonte pasoja në kuptimin dhe zbatimin e kësaj dispozite, dhe të tërë kreut, si dhe krijonte probleme në lidhje me pavarësinë e këtij institucioni, Gjykata Kushtetuese çmoi që këto vijnë në kundërshtim me Kushtetutën, dhe i shfuqizoi këto dispozita.

Zëri i Amerikës: Kur pritet të dalë zbardhja e argumentave, megjithëse ju i përmendët tani, dhe a lënë hapësirë këto probleme që të ngrihet byroja ashtu siç ka premtua qeveria që do të bëjë në bazë të këtij ligji, apo sa të thella janë këto që përmendët ju, dhe çfarë sugjeroni ju, një rishikim të ligjit, ose sa punë do të duhet sipas mendimit tuaj?

Bashkim Dedja: Vendimi është në ripunim e sipër, dhe besoj që shumë shpejt do të dalë dhe do të publikohet. Nëse ligjvënësi, Parlamenti, duhet ta ribëjë këtë ligj, apo të bëjë një ligj tjetër, është vlerësim i tij. Parimisht, çdo instrument, çdo organ, apo agjensi ligjore, e cila lufton korrupsionin, është e nevojshme, e domosdoshme, për t’i shërbyer luftës kundër korrupsionit dhe forcimit të shtetit ligjor. Edhe në qoftë se do bëhet, duhet të kihen parasysh ato çfarë do të thotë Gjykata Kushtetuese në argumentimin e vendimit. Së dyti, duhet parasysh që të mos ketë mbivendosje kompetencash midis policisë dhe prokurorisë, dhe të mos lërë shteg për interpretime, apo hapësira të cilat mund të çojnë në një konfondim midis organeve apo lënie shtegu për të patur vlerësime për njëanshmërinë në kryerjen e  këtyre veprimeve hetimore nga organi i Byrosë së Hetimit, që ajo është në varësi të Policisë së Shtetit. Sidoqoftë, çdo iniciativë e cila i shërben forcimit të shtetit ligjor, luftës kundër korrupsionit, respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, ndarjes dhe ballancimit të pushtetit, është e mirëpritur. Por, nuk është në misionin e Gjykatës, dhe njëkohësisht, nuk është Gjykata ajo që vlerëson nëse duhet apo jo. Është ligjvënësi i cili vendos nëse duhet të bëhet apo jo.

Zëri i Amerikës: Një nga problemet që vazhdon të jetë shumë shqetësues dhe që e kanë shprehur edhe Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, dhe së fundmi u përmend sot në konferencën për të cilën sapo raportuam për Këshillin e Evropës, për përvjetorin e hyrjes së Shqipërisë në Këshillin e Evropës, është mungesa e pavarësisë në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Sipas mendimit tuaj, a është kjo më shumë politike, apo ka të bëjë më shumë me interesat monetare, ose më saktë korruptive në vend?

Bashkim Dedja: Së pari, dua të bëj një sqarim të shkurtër, që Gjykata Kushtetuese nuk përfshihet në sistemin gjyqësor shqiptar, sepse sistemi gjyqësor shqiptar ka tre shkallë. Kush janë elementët që të çojnë të ketë një perceptim për këtë korrupsion që është në sistemin gjyqësor shqiptar? Natyrisht që janë të dyja ato arsye që ju thatë, qoftë problemet monetare, qoftë mënyra e pagesës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, e cila nuk është e kënaqshme për punën dhe rrezikun që ata marrin përsipër, qoftë edhe ndërhyrjet në sistemin e emërimeve dhe ngritjes në detyrë dhe përgjegjësi të tyre. Çfarë do të thotë që, në kuadër e reformës që ndërmerr qeveria, këto elementë duhen patur parasysh për të sanksionuar kritere më të qarta, për të dhënë udhëzime më të drejta, njëkohësisht për të gjetur edhe struktura më efiçente për ta luftuar këtë korrupsion, dhe për të ndryshuar këtë imazh që është për sistemin gjyqësor në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Duke pasur parasysh kontekstin e Shqipërisë dhe luftërat e mëdha politike, sa efektive janë opinionet dhe vendimet e gjykatës tuaj? A është mendimi juaj që ato respektohen nga parlamenti?

Bashkim Dedja: Po. Vendimet respektohen nga Parlamenti dhe në përgjithësi nuk ka patur diskutim në lidhje me këtë element. Bëhet fjalë për shumë vite të shkuara, kur ka pasur përplasje sidomos për mosrespektim të vendimeve që kishin të bënin me shkarkime të gjyqtarëve nga ana e KLD-së, ku Gjykata Kushtetuese kishte urdhëruar që të rishqyrtoheshe çështja; ose, ekzekutime në lidhje me kthimin në pozicione në administratën shtetërore. Por, ka dy elementë. E para, ndërgjegjësimi i administratës shtetërore që ka ardhur gjithmonë në ngritje, dhe që po respekton pa ndikim dhe shtytje nga jashtë këto vendime. Dhe e dyta, dihet që edhe një organ monitorues, pra Këshilli i Europës, i cili merret posaçërisht me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore, përfshi edhe ato të Gjykatës Kushtetuese, por edhe të Gjykatës së Strasburgut.

Zëri i Amerikës: Ka pasur raste kur për shkak të konflikti interesi një gjyqtar tërhiqet nga çështje duke pasur disa raste katër nga anëtarët e gjykatës pro dhe katër kundër, dhe në këtë rast gjykata tërhiqet. A është e drejtë kjo? A duhet gjetur një mekanizëm që të mos ndodhi?

Bashkim Dedja: Gjyqtari ka rastet përjashtimore kur ai nuk mund të marri pjesë në shqyrtimin e çështjes, bie fjala për Gjykatën Kushtetuese. Ku mund të ketë konflikt interesi, ose ka papajtueshmëri.

Zëri i Amerikës: Po. Kjo është e qartë. E kam fjalën kur tetë të tjerët janë katër e katër.

Bashkim Dedja: Normalisht, Gjykata nuk duhet të refuzojë zgjidhjen e çështjes (Gjykata Kushtetuese). Sepse qytetari kërkon një përgjigje nga gjykata. Dhe na është vënë në dukje edhe nga Gjykata e Strasburgut dhe Bashkimi Evropian, që gjykatat shqiptare dhe legjislatori shqiptar duhet të gjejë zgjidhjen sesi të shmanget ky ngërç. Prej shumë vitesh, neve kemi bërë edhe sugjerime se si mund të bëhet. Por që, kjo kërkon ndryshime në ligj, madje edhe në Kushtetutë. Që një variant mund të jetë gjetja e gjyqtarëve rezervë, siç janë gjyqtarët që aplikohen edhe në Gjykatën e Strasburgut, kur s’merr pjesë gjyqtari i përhershëm, merr pjesë gjyqtari rezervë. Apo përjashtimi i elementeve të papajtueshmërisë, meqenëse gjykimi kushtetues është i natyrës krejt ndryshe nga gjykimi i zakonshëm. Apo një variant gjerman, që kur vota ndahet në mënyrë të barabartë, kur kërkesën e bën individi, zgjidhet çështja në favor të individit. Kur kërkesa ka të bëjë me çështje të akteve normative, rrëzohet kërkesa pasi presupozohet që aktet normative janë në pajtueshmëri me Kushtetutën, dhe çështja zgjidhet në këtë mënyrë. Pra, i takon ligjvënësit të gjejë se cila metodë, mënyrë, është më e arsyeshme, dhe më e drejta për Gjykatën Kushtetuese shqiptare, sepse ne nuk kemi vetë iniciativë për ta bërë një gjë të tillë.

Zëri i Amerikës: Pra, duhet një kuadër ligjor për këtë.

Bashkim Dedja: Duhet patjetër një kuadër ligjor dhe në kuadrin e rishikimit të ligjeve dhe për Gjykatën Kushtetuese besoj që këto elementë do të zgjidhen dhe nuk do ketë një problem të tillë.

Zëri i Amerikës: Zoti Dedja, faleminderit që ishit sot i pranishëm në studion tonë.

Bashkim Dedja: Faleminderit edhe juve për ftesën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>