BB: Ekonomia shqiptare po rimëkëmbet, efektet duan kohë të ndihen

Patrizio

Patrizio Pagano, drejtori Ekzekutiv në Bankën Botërore që mbulon Italinë, Greqinë dhe Shqipërinë thotë se, rimëkëmbja e ekonomisë shqiptare do të varet nga suksesi i reformave të brendshme dhe zgjidhja e situatës në Eurozonë.   

“Ashtu si shumë ekonomi të tjera europiane edhe Shqipëria përjetoi një moment të vështirë. Por përfundimisht ekonomia tani ka filluar të rimëkëmbet. Megjithatë ritmet e saj do të varen nga dy faktorë. Së pari është jetike që reformat të vazhdojnë dhe nga takimet që kam patur me Qeverinë kam kuptuar se ka një vullnet për këtë. Por, në të njëjtën kohë, për një ekonomi të vogël dhe të hapur si Shqipëria, një tjetër faktor kritik është ambienti i jashtëm. Fatkeqësisht, situata në vendet fqinje nuk është optimale, çka do të thotë se ndonjëherë kjo ringritje vuan për shkak se, partnerët tregtarë nuk po rriten me ritme të shpejta”, tha Pagano.

Por, sa i mundshëm është një skenar i daljes së Greqisë nga Eurozona dhe cilat do të ishin pasojat e tij? Për zyrtarin e lartë të Bankës, përgjigjen e saktë të kësaj pyetje sot nuk e ka askush.

“Në tërësi rregullat e Eurozonës janë hartuar në mënyrë të tillë që ta bëjnë daljen e një vendi anëtar një ngjarje ekstremisht të pamundur. Por, gjithmonë ka të papritura dhe ne si politikëbërës duhet të jemi të përgatitur për çdo rezultat të mundshëm. Sa ekziston ky rrezik sot dhe cilat do të ishin pasojat? Unë mendoj se është shumë e vështirë të gjesh një njeri që të dijë t’i përgjigjet saktë kësaj pyetje”, tha Pagano.

Ashtu si FMN edhe Banka Botërore parashikon që rritja ekonomike për këtë vit të shkojë në 3 për qind. Megjithatë, Pagano thotë, se do të duhet ende kohë, që familjarët të ndjejnë përfitimet e saj.

“Që konsumatorët dhe familjet të ndjejnë përfitimet e rimbëkëmbjes duhet kohë. Veçanërisht në një situatë të tillë kur ka një axhendë reformash. Së dyti, një faktor i rëndësishëm i krizës ka qenë sektori financiar, veçanërisht bankat, te cilat u preken fort. Duhet kohe që ky sektor të rindezë motorët. Ju e dini që pas krizës rregullat mbi sektorin bankar janë forcuar, kërkesat për kapital janë rritur, pra duhet një farë kohe për bankat që të zgjidhin çështjet e tyre, para se të ndihen efektet edhe në pjesën tjetër të ekonomisë”, theksoi Pagano. / Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>